Filmi me metrazh të shkurtër “Vulë” me regji të Valmir Tertini, producent “Kinostudio Dardan” ka fituar çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër”, në festivalin “Ayodhya Film Festival”, që zhvilloi edicionin e 14 këtë vit në Indi. Po ashtu në këtë festival çmimi “Aktorja më e mirë” shkoi për aktoren Jorida Sorra, me rol në filmin “Vulë”. Regjisori Valmir Tretini shprehet se ky projekt para realizimit të tij kishte vështirësi deri në momentin, që gjeti dhe mbështetjen në Shqipëri. “Para realizimit kishte vështirësi, deri sa gjeti mbështetje në Shqipëri, pastaj me distribuim nuk është që ecëm me ritme të shpejta, tani po shihet suksesi dhe kemi shtatë çmime”, thotë regjisori Valmir Tertini. Në këtë film luajnë aktorët Jorida Sorra, Fatlume Bunjaku, Avni Dalipi, Edmond Hafizademi, Vlera Pylla dhe të tjerë. Ky film flet për Viktorian, një punonjëse e papërgjegjshme në Ambasadën Gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, dhe me mungesë të një partneri, bën një jetë geto. Ndërsa punën për të cilën i është besuar posti nuk i intereson fare dhe le dosjet e hapura pa firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani. Xhirimet e filmit artistik “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini janë bërë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Rolin kryesor në film Viktorian e luan aktorja shqiptare Jorida Sorra, që në Gjermani është pjesë e teatrit. Ky është filmi i pestë i regjisorit Valmir Tertini, që deri tani ka në aktivitetin e tij çmime të ndryshme ndërkombëtare, si dhe disa çmime kombëtare. Financimi i projektit kinematografik “Vulë” është nga Qendra Kombëtare e Kinematografike (QKK) dhe kompania realizuese është “DardanKinostudio”. Filmi “Vulë” me skenar dhe regji nga Valmir Tertini është vlerësuar më parë edhe me çmimin për skenarin më të mirë, në “New York True Venture Festival” (NYTVFF). Në një reagim pas këtij vlerësimi, regjisori Valmir Tertini më herët tregoi se ky është çmimi i dytë në këtë kategori, pas MEDff në Itali. Projektet kinematografike të regjisorit Valmir Tertini kanë qenë pjesë e festivaleve të ndryshme nëpër botë.