Komedia “Shtëpia pa dritare” për luftën e përditshme të heroit të paemër, në programin e Teatrit Kombëtar

0
376

Vepra “Shtëpia pa dritare” është një komedi nga Saimir Gongo, që flet për dramën e një heroi të heshtur që quhet Neritan. Shkruar dhe vënë në skenë nga Saimir Gongo, komedia do të vijë në programin artistik online të Teatrit Kombëtar mbrëmjen e datës 25 dhjetor. Aktorë në role janë Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Gert Ferra, Eva Alikaj për të vijuar dhe me Indrit Çobani, Enkel Gurakuqi dhe Ergys Çekrozi. Skenografia dhe kostumografia Klajd Ymeri dhe formulimi muzikor Sokol Marsi. Komedia shkruar dhe vënë në skenën e teatrit disa vite më parë nga Saimir Gongo mund të ndiqet mbrëmjen e datës 25 dhjetor ora 18:00 livestream në Facebook të Teatrin Kombëtar. Në qendër të komedisë, Neritani. I ndershëm, aq sa ka ndërtuar një shtesë pranë shtëpisë së tij krejt pa dritare. Po, po, pa dritare sepse beson se ligji nuk duhet shkelur. Por ndonëse është kaq i rregullt dhe i sinqertë do t’i duhet të përballet me një sërë rrethanash dhe personazhesh që nuk ndajnë të njëjtat parime morale me të. Në materialin që ka publikuar Teatri Kombëtar thuhet se është një vepër për luftën e përditshme të heroit të pa emër, për të cilin askush nuk flet, qytetarit të thjeshtë. “Thamë që hero i paemër, sepse është fort i ndershëm, aq sa ka ndërtuar pranë shtëpisë së tij një shtesë krejt pa dritare. Po, sepse beson në ligj dhe ligji nuk të lejon të bësh dritare përballë dritares së komshiut. Por ndonëse është kaq i rregullt dhe kaq i sinqertë do ti duhet të përballet me një sërë rrethanash dhe personazhesh që nuk ndajnë të njëjtat parime morale me heroin tonë. Dhe ai lufton një betejë epike, të padukshme dhe heroike, që ka disa dekada që zhvillohet në vendin tonë. A do t’ia dalë mbanë?”, vijon materiali, që ka publikuar Teatri Kombëtar për këtë shfaqje teatrore që së shpejti do të jetë në programin artistik online këtë muaj të fundit të vitit.

Personazhi kryesor

Rolin kryesor në vepër, personazhin e Neritanit e interpreton aktori i njohur Sokol Angjeli, i cili më herët në reagimet e tij e vlerësonte këtë rol në karrierën e tij artistike. Për këtë komedi, aktori Sokol Angjeli shprehej se vepra në muajin korrik të vitit 2014 u lexua në ditët e projektit “Netët e leximit të dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar. “Ishte një iniciativë, që solli shumë përfitime dhe për teatrin dhe për aktorët që luajnë në teatër. Aty e kam lexuar për herë të parë veprën “Shtëpia pa dritare”, që erdhi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Që në fillim kjo vepër shkruar nga Saimir Gongo u duk që nuk ishte si gjithë të tjerat, pra kishte diferencë. Kur vepra u lexua në publik pati mundësinë të prezantohej dhe dolën vlerat e saj. Pra teatri i leximit pati vlerë të jashtëzakonshme për veprën, sepse e bëri pronë të teatrit. Unë që nga leximi i saj në publik pata mundësinë që të vazhdoja dhe të luaja personazhin e Neritanit, i zoti i shtëpisë në vepër që pëson tërë atë kalvar historish, dhe në fund i dorëzohet fatit të tij”, shprehej aktori Sokol Angjeli mbi komedinë, që ka shënuar premierën disa vite më parë në skenën e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar ashtu si dhe të tjerë institucione të artit nuk po zhvillon aktivitetin artistik në skenë për shkak të rregullave, që janë vënë këtë kohë nga pandemia. I gjendur në këto kushte institucioni më i rëndësishëm teatror në vend, këtë muaj të fundit të vitit vjen me disa aktivitete artistike online. Në njoftimi e tij disa ditë më parë, Teatri Kombëtar shprehej se festat e fundvitit po afrojnë dhe së bashku me to vjen edhe shpresa, për rikthimin së shpejti të normalitetit. Ndërsa shprehet për vitin e ri që vjen, TK bën me dije se i kushtëzuar nga rrethanat e shkaktuara nga covid-19, vjen në muajin dhjetor me aktivitete artistike online.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here