Festivali i këngës qytetare “Luleborë”, këtë mbrëmje me 20 këngë në konkurrim

0
356

Festivali i këngës qytetare “Luleborë” zhvillon këtë mbrëmje edicionin e pestë të tij. Festivali në qytetin e Shkodrës sjell 21 këngë të autorëve të ndryshëm, që do të interpretohen nga këngëtarët, ku njëzet prej tyre janë në konkurrim dhe një është përshëndetëse. Në kushtet e pandemisë, festivali “Luleborë” do të zhvillohet në oborrin e teatrit “Migjeni”, por dhe spektatori do të jetë në numër të kufizuar dhe i ftuar. Udhëheqës artistik është Roland Guli dhe Ilir Zoga, regjisore Rita Gjeka Kacarosi dhe moderator i këtij edicioni është Enkel Demi. Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, duke i dhënë një dimension të ri asaj, duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik. Regjisore e festivalit Rita Gjeka Kacarosi shprehet se një natë më parë këngët janë interpretuar përpara jurisë, ndërsa këtë edicion ka kompozitorë jo vetëm nga qytetet e Shqipërisë, por nuk mungojnë dhe pjesëmarrës nga Kosova me këngët e tyre. “Janë në festival 21 këngë, ku 20 janë në konkurruese dhe 1 është përshëndetëse, sepse autori i muzikës ka ndërruar jetë. Ne e kemi bërë për nderim dhe nuk e kemi futur në konkurrim, por e kemi punuar si këngë dhe do të interpretohet në festival. Të premten këngët janë interpretuar vetëm para jurisë, që i ka dëgjuar ato. Në këtë festival ka kompozitorë jo vetëm nga Shkodra, por dhe qytete të tjera si nga Vlora apo Tirana, ku pjesëmarrës janë dhe nga Kosova. “Luleborë” është një festival mbarëkombëtar”, thotë regjisorja e festivalit këtë vit. Edhe pse një kohë e vështirë për shkak të pandemisë në vendin tonë, në qytetin e Shkodrës aktivitetet artistike dhe kulturore nuk kanë munguar. Festivali “Luleborë” organizohet nga Bashkia e Shkodrës, duke sjellë para publikut këngën qytetare. Si regjisore e festivalit Rita Gjeka Kacarosi thotë se Shkodra nuk di të ndalet me aktivitetet kulturore. “Pavarësisht vështirësive nuk mundet Shkodra me ndenjt, është në punë gjithmonë. Nuk ndalet Shkodra për muzikën”, thotë regjisorja.

Tradita e festivalit

Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite, Bashkia Shkodër organizon këtë vit edicionin e pestë të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”. Për rrjedhojë thuhej më herët në njoftimin për zhvillimin e këtij festivali, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e këtij projekti, që do të jenë edhe njësitë matëse për vlerësimin paraprak të këngëve. Të gjitha materialet muzikore janë shqyrtuar nga një komision profesionistësh, të cilët zgjedhin edhe këngët pjesëmarrëse në festival. Si një prej pjesëmarrësve në këtë festival, më herët autori Xhahid Bushati tha se “Luleborë”, që zhvillohet çdo vit në qytetin e Shkodrës ka krijuar një traditë, që vazhdon e pasurohet. “Ky festival është iniciativë e Bashkisë Shkodër. Në përmbajtjen dhe strukturën e tij muzikore, ky festival ka të mbrujtur traditën e këngës qytetare shkodrane, traditë që e pasuron dhe i jep frymë bashkëkohësie. Ndaj, për shkodranët ka zgjuar interes dhe është shumë i pëlqyer, sepse në tingujt e këtyre këngëve magjike ata gjejnë vetveten dhe integrohen në hapësirat e këtyre këngëve”, thotë autori Xhahid Bushati. Një vit më parë festivali zhvilloi edicionin e katërt, ku “Luleborë” hapi siparin në teatrin “Migjeni”. Krijimtaria në këngë një vit më parë u përcoll mes përmes zërave më të mirë të qytetit të Shkodrës. Edicioni i pestë i festivalit nis këtë mbrëmje në orën 19:00 në Shkodër. Bashkia Shkodër shpalli ftesë të hapur për pjesëmarrje për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar për festivalin “Luleborw”, në qershor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here