Kombëtarja mbërriti dje në Kazakistan, atje ku do të zhvillojë ndeshjen e radhës në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve, ndërsa më 14 tetor do të zhvendoset në Lituani për duelin e kthimit me këtë skuadër. Trajneri Edi Reja nuk e ka shprehur shqetësimin, por të gjithë në grup dhe në ambientin kuqezi e dinë që ka të bëjë me mungesat e shumta, raportet e tensionuara së fundmi me lënien jashtë të disa titullarëve që janë bërthamë e grupit. Kuptohet, nga grumbullimi i Rejës këtë herë ka shumë të rinj, që do të përpiqen të mbulojnë rolin e të “vjetërve”. Duket e vështirë, pasi mungon eksperienca dhe trajneri ka ndërtuar skuadrën duke u bazuar në gërshetimin e elementëve veteranë me elementët e rinj. Por në kuadër të dy sfidave të radhës kjo nuk do të ndodhë, pasi ka shumë mungesa titullarësh, përfshi Hysajn, Roshin, Balajn, Cikalleshin, Berishën, Strakoshën e disa të tjerë. E thënë shkurt, bërthama veterane e skuadrës mungon, por ka elementë të tjerë si Abrashi, Gjimshiti, Dermaku, bare e ndonjë tjetër që mund të japin efektin e duhur nëse skuadra funksionon në skemën e saj taktike. Por Reja nuk është i qetë dhe këtë e ka pasqyruar edhe media e shkruar sportive, që i referohet toneve të ngritura të trajnerit gjatë seancave stërvitore dhe natyrisht mungesës së elementëve të përshtatshëm për role të ndryshme në fushë. ai e kupton se mungesat mund të kenë efekt negativ këtë herë.
Skema, disa variante kundër Kazakistanit
Trajneri reja nuk e ka vendosur ende dhe madje e ka fshehur modulin taktik me të cilin do të luajë në dy sfidat e radhës, duke nisur nga kjo e nesërmja kundër Kazakistanit. Ekipi është testuar me skema të ndryshme gjatë ditëve stërvitore, nisur dhe nga mungesat e shumta që nka pasur, por edhe dëmtimin e papritur të disa elementëve. Mundet që trajneri të praktikojë 3-5-2 të zakonshëm, por nuk përjashtohet as mundësia e një 4-4-2 klasike apo dhe një 4-1-4-1 që në përgjithësi ka funksionuar me ekipin kuqezi. sgidoqoftë, do të varet nga cilësia e kundërshtarit aplikimi i skemës.
Hoxha, titullar në portë
Në kushtet kur Etrit Berisha mungon, sikurse edhe Tomas Strakosha nuk është në dispozicion për shkak të një tërheqjeje muskulore (kështu u tha në ambientet e brendshme të grupit), në portë ka shanse maksimale të luajë titullar portieri Alban Hoxha. Gardiani i Partizanit ka eksperiencë edhe në ndeshjet ndërkombëtare dhe ka mundur madje të aktivizohet në ndonjë takim me Kombëtaren, kështu që pritet ta nisë titullar, edhe pse Selmani është gjithashtu i gatshëm dhe një rival i fortë. Në aktivizimin e Hoxhës mund të luajë rol fakti se ai ka qenë vazhdimisht portieri i tretë në ekip dhe në kushtet kur mungojnë dy të parët vendi i takon pikërisht atij. Gjithsesi, është në dorën e Rejës për të aktivizuar lojtarët dhe në këtë kuadër nuk mund të përjashtohen as surprizat, jo vetëm në portë, por në të gjitha repartet e lojës.
Përgjigjet/ Bënë tamponët, asnjë kuqezi nuk është i infektuar me kovid
Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Edi Reja u nis dje në mëngjes drejt Kazakistanit, ku do të përballet më datë 11 tetor me vendasit në kuadër të Ligës së Kombeve, teksa janë pjesë e Ligës C. Kuqezinjtë kanë marrë edhe përgjigjet e tamponëve para nisjes dhe për fat të mirë në grupin e kombëtares nuk ka rezultuar asnjë futbollist apo pjesëtar stafi i prekur nga virusi i rrezikshëm. Ndërkohë, në këtë transfertë, padyshim objektiv janë tre pikët duke qenë se të besuarit e Rejës kanë si objektiv triumfin në grupin e tyre, megjithatë nuk do jetë e lehtë duke pasur parasysh mungesat e shumta në radhët e futbollistëve. Ndërkohë, më datë 14 tetor, Shqipëria do të zhvillojë edhe ndeshjen e dytë në grup, sërish në transfertë teksa përballet me Lituaninë.






































