Google search engine
Home Politike Drejtesi KPK zbardh vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit, ja sqarimet e...

KPK zbardh vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit, ja sqarimet e Kurushit për gjetjet në kriterin e pasurisë

0
374

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Kurushi, ku janë evidentuar dhe sqarimet e këtij të fundit për gjetjet në kriterin e pasurisë. Kujtojmë se në seancën dëgjimore të zhvilluar në dhjetor të 2019, Kurushi u vlerësua pozitivisht në kriterin e figurës dhe aftësive profesionale, dhe u evidentuan gjetje në kriterin e pasurisë. Gjyqtari Kurushi ka deklaruar se do të marrë kredi për blerjen e një apartamenti, kundrejt çmimit 60.000 euro, për të cilin palët deklarojnë se është likuiduar paraprakisht me nënshkrimin e kontratës. Por, kontrata e sipërmarrjes dhe pagesa nuk është deklaruar nga gjyqtari në asnjë deklaratë periodike dhe as në deklaratën “Veting”. Siç deklaroi në seancë, Kurushi tha se me shoqëritë ndërtuese dhe me ortakët e saj ka marrëdhënie miqësore dhe disa prej tyre i njeh. “Subjekti i rivlerësimit deklaron se kontrata është lidhur në kushtet e marrëdhënieve miqësore që kishte me shtetasin A. Ç., duke mos paguar asgjë për sa kanë deklaruar në kontratë. Sipas deklarimit të subjektit, çmimi do të likuidohej pas miratimit të kredisë që do të përfitonte për shkak të funksionit si gjyqtar. Në vijim, për shkak se, pas miratimit të kredisë, shoqëria e ndërtimit ndryshoi destinacionin e përdorimit të objektit (nga objekt banimi në shkollë), po me mirëkuptim, palët nënshkruese kanë zgjidhur në heshtje kontratën e sipërmarrjes, e cila nuk i filloi asnjëherë efektet e saj”, shkruhet në vendim. Ndërsa lidhur me konstatimin se Kurushi nuk e ka deklaruar kontratën, gjyqtari tha se nuk e ka pasqyruar këtë veprim në deklaratë sepse nuk ka kryer asnjë veprim financiar dhe po kështu, kontrata nuk prodhoi asnjë pasojë juridike brenda atij viti. Kurushi gjithashtu ka bashkangjitur disa dokumente, për të vërtetuar deklaratën e tij. KPK pas sqarimit, arriti në përfundimin se gjyqtari nuk ka krijuar marrëdhënie të mirëfilltë fiktive me shoqërinë e ndërtimit për të fshehur përfitimin e asetit. Gjithashtu, referuar vendimit, KPK ka konstatuar se Kurushi nuk ka shfrytëzuar pozitën e tij si magjistrat për përfitime të padrejta, për sa kohë marrëdhënia që kishte nisur me një person me të cilin kishte një miqësi të hershme në vijim nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik konkret dhe, për rrjedhojë, asnjë përfitim nga subjekti i rivlerësimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here