Google search engine
Home Politike Zbardhen ndryshimet në Statutin e PS, ja si do të bëhet verifikimi...

Zbardhen ndryshimet në Statutin e PS, ja si do të bëhet verifikimi i kandidatëve për lidhjet me krimin, kushtet për kreun e Kuvendit

0
336

Zbardhen ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste. Në Kongresin 3 ditor të javës që lamë pas u miratuan një sërë ndryshimesh, ku më kryesorja ka të bëjë me skanimin e kandidatëve para procesit zgjedhor. Deri më sot, kandidatët për kryetar bashkie apo deputet dorëzojnë formularin e dekriminalizimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe është ky institucion që vendos nëse kandidati është i denjë për të vijuar garën apo jo. Por duke iu referuar situatës aktuale, ku disa kryebashkiakë kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit duke fshehur dënimet, PS ka miratuar ndryshimet e reja për verifikimin e kandidatëve për lidhjet me krimin. Në nenin 45 të statutit, bëhet me dije se kandidatët duhet të bëjnë deklarime të sakta për të kaluarën e tyre, duke theksuar se nëse ka deklarime të pasakta kandidati do të mbajë përgjegjësi personale dhe do të ç’regjistrohet nga partia. “Përfaqësuesit e partisë në funksione politike në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të qeverisjes qendrore e vendore duhet të karakterizohen nga standardet më të larta të integritetit dhe të garantojnë besimin e publikut tek organet e zgjedhura shtetërore, institucionet dhe administratën publike të shtetit të së drejtës; Para kandidimit ose emërimit në funksionin politik, kandidatët e propozuar për t’u zgjedhur ose emëruar plotësojnë një formular/deklaratë, të miratuar nga Asambleja Kombëtare, bazuar në legjislacionit shqiptar për integritetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, bëjnë transparente të kaluarën e tyre si dhe shprehin angazhimin se, nëse zgjidhen ose emërohen, do të zbatojnë me korrektesë standardet e funksioneve për të cilat kandidojnë ose emërohen si edhe rregullat dhe orientimet e partisë; Deklarimi i pasaktë apo i rremë në formular/deklaratë është përgjegjësi personale penale dhe politike. Pavarësisht nëse përbën vepër penale, ndaj deklaruesit të pasaktë apo të rremë merret masa disiplinore e ç’regjistrimit të përhershëm nga partia”, thuhet në nenin 45.

Kushtet për kreun e Kuvendit

Por një tjetër pikë që u ndryshua në statutin e PS është edhe kushtet për zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Në nenin 50, bëhet me dije se kryeparlamentari duhet të jetë anëtar i Kryesisë së partisë. Deri më sot ky kriter nuk ekzistonte dhe në krye të Kuvendit mund të zgjidhej edhe një politikan që nuk ka qenë pjesë e partisë që është në pushtet. “Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, Grupi parlamentar i partisë i paraqet Kuvendit kandidatët e partisë për kryetar ose/dhe zëvendëskryetar të Kuvendit, kryetarë dhe zëvendëskryetarë të komisioneve parlamentare dhe për delegacionet e përhershme parlamentare. Kandidati për Kryetar Kuvendi duhet të jetë anëtar i Kryesisë së partisë; Përfaqësuesit e partisë në funksionet kryetar dhe zëvendëskryetar i Kuvendit si dhe për kryetarë dhe zëvendëskryetarë të komisioneve parlamentare mbajnë marrëdhënie te vazhdueshme dhe bashkëpunojnë me Grupin parlamentar socialist, Kryesinë e tij, Asamblenë Kombëtare, Kryesinë, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Sekretariatin Ekzekutiv si edhe me anëtarët e partisë dhe zgjedhësit”, thuhet në nenin 50. Ndërsa në nenin 36 të statutit evidentohet një tjetër ndryshim, i cili ka të bëjë me përbërjen dhe drejtimin e Asamblesë Kombëtare të partisë, ku me ndryshimet e reja pjesë do të bëhen edhe kryebashkiakët apo kryetarët e këshillave bashkiakë. “Anëtarë ex-officio të Asamblesë Kombëtare të partisë janë: Kryetari i partisë, deputetët dhe ministrat anëtarë partie, kryetarët e partisë së bashkive, kryetarët e bashkive anëtar partie, kryetarët e këshillave të qarqeve anëtar partie, Kryetari i FRESSH dhe Kryetarja e FGSSH si dhe anëtarët e partisë që kanë patur mandat të Kryetarit të partisë, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në nenin 36.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here