Rreziqet e kompanive që po zhvatin shqiptarët, mbyllja në Kosovë, paralajmërimet në Maqedoni dhe dyshimet mbi paratë ruse

0
16

Kompanitë e mikrokreditit duket se janë kthyer në një problem serioz në Ballkan. Shqipëria nuk është e vetmja që është mbërthyer nga “dhënia e fajdeve”, pasi edhe në Kosovë, Maqedoni dhe disa vende të tjera të rajonit kanë mbirë si kërpudha me dhjetëra kompani që japin kredi me interesa tejet të larta. Por ndryshe nga ne, Kosova është shteti i parë që hodhi hapin më të fuqishëm, duke mbyllur kompanitë “Monego” dhe “IuteCredit”, ku kjo e fundit operon dhe në vendin tonë. Sipas gazetës kosovare “Koha Ditore”, “Monego”, “IuteCredit”, “Mogo” dhe 61 biznese të tjera të kësaj natyre veprojnë në 32 shtete. Sipas saj, që të gjitha janë nën kupolën e “Mintos”, e cila përmbledh një investim në hua prej 4.5 miliardë eurosh. Ajo është themeluar nga letonezi Aigars Kesenfelds. Biznesi i kredive të shpejta ka filluar në Letoni. Dhjetë vjet më parë, katër shokë që vijonin mësimet në një shkollë elitare në kryeqytetin Riga themeluan një Start-up, “AS OC Finances”. Ishin Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss. Së paku tre prej këtyre janë përfitues të fundit nga bizneset e kredive të shpejta, të vendosura në rajon. Kompania e këtyre katër të rinjve të zgjuar mbërriti sukses të madh në mesin e ndërmarrjeve të reja baltike. Modeli i biznesit – duke siguruar hua të vogla për klientët përmes platformës së tyre të internetit, mesazheve me tekst dhe thirrjeve telefonike – tërhoqi shumë konsumatorë. Kësisoj, shpikja u kthye në makinë për të tërhequr para dhe kjo bëri që biznesmenë të lidhur me elitat politike t’iu bashkohen atyre.

Kompanitë

Të katërt kishin formuar kompaninë “4 Finance”, biznes ku më vonë bleu shumicën e aksioneve oligarku Oleg Boyko. “Koha Ditore” shkruan se Thesari i Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një listë të personave kryesorë që i shërbejnë regjimit të presidentit rus, Putin. Emri i Oleg Boyko ndodhet në të. Sipas “Linkedin”, Aigars Kesenfelds është themelues i “Mintos”, me kapitalin e së cilës funksionojnë 64 biznese të kredive të shpejta. “Monego”, ka për aksionar të vetëm Kesenfeldsin. Ajo figuron të ketë hua të papaguar në “Mintos” 10.79 milionë euro. Ndërsa “Mogo” që operon në Shqipëri, në “Mintos” ka 81.32 milionë euro hua. Mbështetur në një prospekt që vetë “Mogo” fundvitin e shkuar e ka publikuar në uebfaqen e saj, përfitues të saj janë: Aigars Kesenfelds, që mban drejtpërdrejt dhe indirekt 46.5 për qind të kapitalit; Alberts Pole, 15.5 për qind të aksioneve; Kristaps Ozols, 15.5 për qind, dhe Maris Keiess, 15.5 për qind. As “Lutecredit Europe” ka hua në “Mintos” 34.47 milionë euro. Vepron edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, raporton “Koha Ditore”. Në Maqedoni, ndërkaq, përpos “Iute Credit” funksionon edhe “Tigo”, biznes që ka 4.95 milionë euro hua te “Mintos”. Mediat kosovare kanë raportuar se mbyllja e dy kompanive ka ardhur dhe për shkak se ka pasur indicie nga institucionet e inteligjencës, për shkak se dyshohet se janë të përfshirë biznesmenë letonezë të lidhur me persona rusë.

Rreziku në Shqipëri e Maqedoni

Mbi kompanitë e mikrokreditit kanë shkruar edhe mediat maqedonase. “Tetova Sot” ka bërë një artikull me titull: “Bankat “Iute Credit” dhe “Tigo” rrjepin qytetarët e Maqedonisë, qendra në Rusi”. Po ashtu në artikuj thuhet e Banka Qendore në Maqedoni nuk ka marrë asnjë masë. Edhe në vendin tonë këto kompani ofrojnë kredi me interesa shumë të larta, por nuk është marrë asnjë masë.

Leave a Reply