Pas raportit të KiE, opozita hidhet në sulm për zgjedhje të reja, PS gati të lëshojë pushtetin vendor në pranverë

0
284

Goditja e KiE për zgjedhjet e 30 qershorit ka shtuar zërat për ripërsëritje të procesit të votimit. Pas uljes në tryezën e dialogut, Partia Demokratike iu rikthye kërkesave për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por deklarata e KiE ka bërë që të shtohen akoma më tepër shanset që së paku në pushtetin vendor të përsëriten zgjedhjet. Ditën e djeshme ka reaguar lideri demokrat Lulzim Basha, i cili ka shtuar edhe më shumë zërat për zgjedhje të parakohshme. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha ka përshëndetur dje deklaratën e zyrtarëve të Këshillit të Europës. Kryedemokrati deklaroi se KiE ritheksoi se në 30 qershor nuk pati zgjedhje dhe se beteja më jetike është për zgjedhje të lira, duke shprehur qartë kështu rikthimin e opozitës tek kërkesa e tyre e hershme, pra tek zgjedhjet e parakohshme, pasi ishte lënë pas dore nga opozita kjo kërkesë. “Përshëndes deklaratën e Misionit të KiE që ritheksoi se në 30/06 nuk pati zgjedhje, se pushteti vendor sot nuk është pluralist, dhe as i qytetarëve. Beteja më jetike sot është për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për t’u kthyer qytetarëve qeverisjen legjitime qendrore dhe vendore”, ka shkruar Basha.

LSI për zgjedhje të parakohshme

Opozita ashtu sikurse u tha më sipër është hedhur në sulm për zgjedhjet e parakohshme që pas raportit të KiE. Pas kryedemokratit Lulzim Basha ka reaguar dhe ish-deputeti Luan Rama nga radhët e LSI. Duke publikuar deklaratën e presidentit të Dhomës së Rajoneve të Kongresit, ku shprehet se zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, Rama i është kthyer deklaratave për zgjedhje të reja. Ne raport thuhet po ashtu se këto zgjedhje kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të më tejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. “Zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit dhe më tej gjithashtu Presidenti i dhomës së rajoneve të Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Europës thekson se nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e shtetit pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal. Pra qëndrimi më i fundit evidenton, denoncon dhe nxjerrë edhe njëherë zbuluar maskaradën e zgjedhjeve të ashtu quajtura të 30 qershorit të vitit të kaluar dhe denoncon gjithashtu paturpësinë e veprimit të mazhorancës, e cila i kriminalizoi edhe këto zgjedhje siç ka bërë në fakt edhe me zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017”, ka deklaruar ai.

PS gati për zgjedhjet e parakohshme

Përveç opozitës duket se edhe PS do të lejojë zgjedhjet e reja. Që pas ardhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, zërat për zgjedhje të parakohshme kanë ndryshuar edhe brenda PS. Burime i thanë gazetës se në takimet që janë zhvilluar mes tyre dhe PS është folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe ata kanë deklaruar se këto zgjedhje nuk janë demokratike, duke bërë kësisoj që edhe PS ta rikonsiderojë mundësinë për zgjedhje të reja. Sakaq pritet që të paktën të mbahen zgjedhje të reja për pushtetin vendor në periudhën mars-qershor. Ka dy mënyra se do të shkohet drejt këtyre zgjedhjeve. E para është që kryeministri të kërkojë dorëheqjen nga ana e kryebashkiakëve, ndërsa e dyta është që të pritet vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa sa i takon zgjedhjeve të përgjithshme nuk ka ende sinjale. Mesa duket PS do të presë të shohë rezultatin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nëse ata dalin në favor do të tentojnë edhe ato të përgjithshmet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here