Zbardhet skandali me amnistimin e Berishës, ja si u përdorën precedentët “Zaganjori-Llalla” për mbylljen e dosjes së CEZ, gjyqtari u bazua vetëm te email-et

0
274

Zbardhet skandali me mbylljen e hetimeve për aferën e CEZ. Më 24 janar, gjyqtari Lazer Sallaku pranoi kërkesën e prokurorisë, duke nxjerrë të pafajshëm ish-kryeministrin Sali Berisha, djalin e tij dhe disa ish-ministra të PD. Gazeta ka siguruar vendimin e plotë, ku shihet qartë skandali që shpëtoi nga afera të gjithë personat e akuzuar. Për aferën e CEZ, është bërë edhe një padi në vitin 2016 nga Ministria e Energjitikës, e drejtuar në atë kohë nga socialisti Damian Gjiknuri, i cili paditi disa ish-funksionarë të lartë të PD. Më konkretisht, të paditur ishin Genc Ruli, i cili mbante postin e ministrit në Ministrinë e Ekonomisë, Neritan Alibali dhe Eno Bozdo, të cilët kanë qenë zv.ministër në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, Florjon Mima dhe Ridvan Bode, të cilët kanë qenë ish-ministra në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës, si dhe ish-këshilltarja e Berishës, Suzana Guxholli. Por në atë kohë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme ishte Adriatik Llalla, i cili pushoi hetimet për ish-zyrtarët e PD, me argumentin se me privatizimin e OSSH nuk ka pasur shkelje ligjore. Por në atë kohë ka qenë Gjykata e Lartë ajo që ka pasur kompetencë për të hetuar zyrtarët e lartë, të cilët ishin të përfshirë në afera korrupsioni. Xhezair Zaganjori, i cili qëndronte në krye të kësaj gjykate, nuk hetoi asnjë zyrtar për aferën e CEZ, me argumentin se asnjë nga të paditurit nuk është në shkelje me ligjin. Por ajo që bie në sy është se si gjykata ashtu edhe prokuroria nuk kanë bërë asnjë hetim të thelluar për të akuzuarit në këtë aferë, por kanë marrë për bazë versionin e Prokurorisë së Përgjithshme që drejtohej nga Adriatik Llalla dhe të Gjykatës së Lartë të drejtuar nga Xhezair Zaganjori. Ky precedent është përdorur edhe nga gjyqtari Lazer Sallaku, i cili pushoi aferën e CEZ në mënyrë skandaloze.

Bazimi vetëm në email

Sa i takon pjesës tjetër të kallëzimit, për Shkëlzen Berishën dhe Nuel Kalajn, gjyqtari u shpreh se sekseri Nuel Kalaj nuk rezulton të ketë ushtruar ndikim të paligjshëm tek Berisha apo i biri. Këtu gjyqtari i referohet një e-maili të janarit 2010, të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i dërgon një e-mail nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth një takimi të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe djalin e tij, Shkëlzen Berisha, me ndërmjetësimin e Nuel Kalajt. Më konkretisht, gjyqtari Lazer Sallaku thotë se: “Në kallëzimet penal, është pretenduar se ndikimi është kryer nga ana e shtetasit Nue Kalaj, i cili rezulton të kishte njohje me shtetasin Shkëlzen Berisha dhe ka përmendur në një e-mail dhe kryeministrin e asaj kohe, z. Sali Berisha. Në përmbajtjet e e-maile-ve pavarësisht, se shihet interesimi i shtetasit Nue Kalaj në lidhje me procedurën e privatizimit dhe hidhet dritë mbi faktin se ai kishte kohë që punonte pranë kompanisë CEZ, me fokus të punës së tij kishte përhapjen e saj në tregun shqiptar, nuk përmend në asnjë rast dhe nuk rezulton të ketë ushtruar ndikim në asnjë lloj forme, qoftë edhe të nënkuptuar dhe as rezulton të ketë kërkuar përfitime të paligjshme për të premtuar kryerjen këtij ndikimi”. Po çfarë mendon gjyqtari për tërheqjen nga sekseri Nuel Kalaj të 6.8 milionë euro nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë dhe ia mbath nga Shqipëria, pasi kishte bërë ndërmjetësimin mes qeverisë Berisha dhe CEZ? Për këtë fakt, gjyqtari arsyeton në vendimin e tij se nga shuma e sipërpërmendur nuk rezulton të ketë ndonjë favor për ndonjë përfitues. “Shuma e mësipërme, nuk mund të konsiderohet si përfitim në kuadër të arsyetimit të mësipërm, pasi nuk rezulton që nga kjo shumë të jetë kryer ndonjë transaksion i mëtejshëm në favor të ndonjë përfituesi, i cili mund të kryejë ndikim”, thuhet në vendim. Si përfundim, gjyqtari thotë se nuk provohet fakti penal. “Në këto kushte, përderisa nuk provohet se ekziston fakti penal për të cilin akuzohen të pandehurit, atëherë nuk provohet as faj…”, thuhet në vendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here