Amerikanët zbardhin detaje nga “lufta” mes Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, ja si më 1987 Shqipëria ktheu sytë nga Gjermania, SHBA dhe Britania

0
944

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato kanë hedhur dritë mbi betejën që nisi mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës. Po ashtu tregohet dhe se si Shqipëri nis të dalë nga izolimi.

Qershor 1986

Vdes Semiramis Alia, gruaja e udhëheqësit shqiptar

Semiramis Alia, gruaja e udhëheqësit shqiptar Ramiz Alia, ka vdekur nga ”një sëmundje e rëndë”, njoftonte sot agjencia zyrtare shqiptare e lajmeve. Ajo ishte 58 vjeçe. Raportimi i monitoruar nga Vjena nuk thoshte datën e vdekjes së saj. Zonja Alia ishte arsimuar në Kolegjin e Mësuesve në Elbasan dhe ka qenë drejtuese e Fakultetit të Shkencave Natyrore të Tiranës. Zonja Alia, e lindur me emrin Semiramis Xhuvani, ishte bija e profesorit Alexander Xhuvani, drejtor i Kolegjit të Mësuesve në Elbasan para Luftës II Botërore dhe më vonë shërbeu në qeverinë komuniste. Bashkëshorti i saj mori stafetën si udhëheqës i Shqipërisë në prill pas vdekjes së Enver Hoxhës.

27 korrik 1986

Autoritetet vëzhgojnë minoritetet e trazuara në Jugosllavi

Qeveria jugosllave po vëzhgon nga afër serbët e malazezët në provincën autonome të Kosovës për të parandaluar nisjen e marshimeve të protestës në Beograd. Serbët e malazezët në Kosovë kanë nisur të acarohen gjatë konventës së Partisë Komuniste në qershor, kur policia bllokoi rrugët për të ndaluar marshimet e planifikuara me qëllim dramatizimin e çështjes. Por edhe pa marshimet, tensionet etnike në Kosovë kanë qenë debati kryesor i konventës. Folësit kryesorë thanë se Shqipëria po nxit agjitacionin në provincën autonome me qëllimin për ta shkëputur nga Jugosllavia. Në konventë u sulmuan gjithashtu Greqia e Bullgaria për çështjen e vjetër të Maqedonisë. Maqedonasit janë një grup sllav me lidhje historike me Greqinë dhe Bullgarinë.

 Minoriteti turk në Bullgari

Bashkë me persekutimin e minoritetit turk në Bullgari dhe përçmimin etnik të hungarezëve në Rumani, çështjet etnike që kanë shënuar historinë e Ballkanit janë rikthyer në fokus. “Duhet ta themi se problemi i Kosovës është i rëndësishëm për integritetin e të gjithë vendit tonë”, thotë Ivan Stambolic, President i Republikës serbe të Jugosllavisë, ku përfshihet dhe Kosova, popullata e së cilës prej 1.6 milionë është 80 për qind shqiptare. ”Është problemi më delikat që kemi pasur ndonjëherë,” thotë Stambolic në takimin me gazetarët e huaj. ”Është një problem i vjetër që nuk mund të zgjidhet brenda natës.” Që prej fillimit të vitit qindra serbë të Kosovës kanë marshuar në Beograd për t’u ankuar se qeveria nuk i mbron nga sulmet dhe kërcënimet e shqiptarëve ndaj tyre dhe pronës së tyre. Vidoje Zarkovic, kreu i presidencës kolektive të partisë, foli në konventë për vazhdimin e tendencave negative në provincë. ”Ne nuk kemi arritur ende të stabilizojmë marrëdhëniet e trazuara ndëretnike dhe të krijojmë besim mes tyre”. Në deklaratën e saj finale, konventa akuzoi Shqipërinë se po nxiste konfliktet etnike në Kosovë. ”Shqipëria ka vazhduar haptazi të ndërhyjë në punët e brendshme të Jugosllavisë”, thuhet në deklaratë. ”Indoktrinimi irredentist dhe nacionalist i qytetarëve tanë nga Shqipëria është një kërcënim serioz i paqes dhe sigurisë në Ballkan e më gjerë”, shtohej në rezolutë. Me gjithë njëfarë zbutje të izolimit të Shqipërisë me botën e jashtme pas vdekjes së udhëheqësit Enver Hoxha, armiqësia e saj ndaj Jugosllavisë po rritet. “Shqipëria po intensifikon fushatën e saj anti-jugosllave,” tha Dobrivoje Vidic, anëtar i presidencës jugosllave të partisë. ”Ajo vazhdimisht sulmon vlerat e shoqërisë sonë, shpreh aspirata territoriale dhe ndërhyn haptazi në punët e brendshme të vendit, duke shprehur mbështetje kundërrevolucionare ndaj separatistëve shqiptarë në Jugosllavi”.

Në pritje të kongresit, vendet kërkojnë ide për Shqipërinë

12 tetor 1986

Në Bukuresht, Beograd dhe kryeqytete të tjera në Ballkan, pyetja në mendjen e specialistëve të Shqipërisë është se kur apo nëse lideri komunist i Tiranës, Ramiz Alia, do të nisë stilin e tij të udhëheqjes, për ta dalluar veten nga pararendësi Enver Hoxha. Prandaj dhe studiuesit, disa prej të cilëve kanë punuar në Shqipëri, po presin me entuziazëm Kongresin e Partisë Komuniste që do të hapet në Tiranë në javën e parë të nëntorit. Specialistët në Bukuresht e Beograd kanë konsensus se çelësi për llogaritjen e lirive të Alias është ajo që do të ndodhë me të venë e Hoxhës, Nexhmije, e cila është 71 vjeç. Hoxha ka udhëhequr Shqipërinë me dorë të hekurt për 40 vjet deri në vdekjen e tij në prill 1985. Asokohe zonja Hoxha ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-leniniste të Tiranës. Në fillim të këtij viti ajo u emërua në krye të Frontit Demokratik, post që është mbajtur më parë nga bashkëshorti. Edhe pse Fronti nuk ka influencë politike, një specialist jugosllav për Shqipërinë tha se, “kryesia e tij është një post me rëndësi dhe është i vetmi post që Ramiz Alia nuk ka pasur dot”. Specialisti thotë më tej: “Ka tre vende bosh në Byronë Politike dhe sigurisht ato do të mbushen me enveristë. Nëse Nexhmija zgjidhet në byro, kjo do të thotë se ajo ka ambicie dhe do të punojë për të forcuar enverizmin. Nëse jo, atëherë Ramiz Alia do të ketë më shumë kurajë për t’u bërë njeriu i vetvetes. Unë jam i sigurt se dhe Ramiz Alia është gjithashtu Enverist, por është pak më pragmatik dhe më modern se Enver Hoxha”, shtoi ai. Alia përballet tashmë me dilemën mes presionit për rritjen e ekonomisë dhe atij të gardës së vjetër që kundërshtojnë ndryshimet. Siç thotë një nga specialistët e vjetër “kjo situatë nuk mund të vazhdojë, por është gati e pamundur për ta ndryshuar”. Verën e kaluar Alia mblodhi Komitetin Qendror për çështjen e bujqësisë, me qëllim lejimin e fermerëve kolektivë të mbanin parcela private siç është bërë prej kohësh në Bashkimin Sovjetik. Kështu Komiteti Qendror lëshoi dekretin ku lejoheshin disa parcela të vogla private por prodhimi i të cilave duhej të ndahej me brigadat fshatare, ose në fjalë të tjera, pronësi e përbashkët. Me këtë dekret diplomatët në Tiranë arritën në konkluzionin se Alia nuk kishte forcë për të realizuar vullnetin e tij. Ndërsa për politikën e jashtme specialistët theksojnë se kreu i ri po përpiqet të përmirësojë lidhjet me Italinë, Greqinë, Gjermaninë Perëndimore dhe vende të tjera perëndimore, por në të njëjtën kohë ai ka vazhduar sulmet e ashpra kundër Jugosllavisë, duke e akuzuar për shtypje të minoritetit shqiptar në Kosovë. Një specialist argumenton se me këtë qëndrim ”Alia është i detyruar të tregojë se është Enverist, por ne gjithsesi besojmë se ai po ndjek një politikë evolucionare, edhe pse e ngadaltë”. Specialistët e Shqipërisë në Jugosllavi e Rumani besojnë se Nexhmije Hoxha është mes atyre që pengojnë Alian nga ndjeka e politikave inovative. Në fillim të vitit një specialist jugosllav shkruante në të përditshmen e Zagreb, Vjesnik se edhe pse zonja Hoxha ka influencuar të shoqin për të zgjedhur Alian si pasues që në vitin 1981, ajo mbetet ”përfaqësuese shpirtërore e linjës radikale të sekretarit të parë”.

5 korrik 1987

Shqipëria planifikon lidhje me Gjermaninë Perëndimore

Udhëheqja komuniste e Shqipërisë teksa lëviz gradualisht jashtë periudhës së gjatë të izolimit, do të vendosë këtë muaj marrëdhënie me Gjermaninë Perëndimore, sipas zyrtarëve në Bonn dhe Uashington. Kjo dhe lëvizje të tjera diplomatike të Shqipërisë duket se po e hapin më shumë vendin ndaj Perëndimit duke ruajtur një qëndrim të ftohtë ndaj vendeve të bllokut sovjetik. Në një fjalim në 25 qershor në Tiranë, President Ramiz Alia tha se negociatat që kishin nisur tre vjet më parë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore ishin duke u konkluduar. Në të njëjtën kohë Alia ka ftuar Britaninë të hapë negociatat për vendosjen e marrëdhënieve pas prishjes mes vendeve 41 vjet më parë. Deklarata e tij për vendosjen së shpejti të lidhjeve me Gjermaninë Perëndimore dhe negociatat e ngjashme me Britaninë, tregojnë se Shqipëria më në fund po heq dorë nga pretendimet e saj ekstravagante për dëmshpërblime lufte nga Gjermania dhe kthimin unilateral të floririt të saj të sekuestruar nga Britania, Franca e SHBA në fund të Luftës II Botërore. Një dekadë më parë Tirana thoshte se Gjermania Perëndimore i detyrohet $4.5 miliardë në dëmshpërblime për pushtimin e forcave të Hitlerit, pretendim që qeveria e Bonn ka refuzuar. Por edhe pa reparacione, Gjermania Perëndimore është e gatshme të bëjë investime të mëdha në Shqipëri. Ndërsa çështja e floririt shqiptar i vlerësuar në rreth 35 milionë dollarë, është e komplikuar prej pretendimeve britanike për incidentin e ngushticës së Korfuzit ku u vranë 38 detarë britanikë nga shpërthimet e minave ndaj dy luftanijeve pranë brigjeve të Shqipërisë në 1946. Britania fitoi një urdhër gjykate për kompensimin, por Shqipëria nuk pranon përgjegjësinë e minave detare. Dhe SHBA ka ndërprerë marrëdhëniet me Shqipërinë thuajse në të njëjtën kohë me Britaninë, në shenjë proteste ndaj ngacmimeve të diplomatëve të saj nga qeveria e sapoformuar komuniste. Bisedimet mes Londrës e Tiranës mbi floririn dhe incidentin e kanalit të Korfuzit nisën dy vjet më parë por tashmë presidenti Alia duket më i interesuar për gjetjen e një zgjidhjeje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here