“Teatri, vitet ‘50” vjen përmes fotografive dhe veshjeve të aktorëve në shfaqje

0
488

Teatri Kombëtar ka çelur ekspozitën “Teatri, vitet ’50” në hollin e “arTurbinës”. Ekspozita do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë mbrëmjeve të shfaqjes “Gusht: portret familjar”. Për publikun nga arkivi i teatrit janë prezantuar foto nga shfaqjet e ndryshme të atyre viteve, ku nuk mungojnë të ekspozuara dhe veshjet e aktorëve që kanë interpretuar në skenë. Kritiku i artit Josif Papagjoni shprehet se në ato vite në skenë kanë qenë vepra të suksesshme të teatrit  si “Orët e Kremlinit”. Në skenë në ato vite përmendim vepra si “Familja e peshkatarit”, “Prefekti”, “Revizori”, “Intrigë dhe dashuri”, një sukses i madh për atë kohë ka qenë dhe vepra “Orët e Kremlinit”, që u vu në skenë pas 1950. Ka pasur shumë drama të huaja, vepra ruse. Shumë mirë që ekspozohet se çfarë është bërë me teatrin në atë kohë. Aktorët e teatrit në ato vite vinin nga lëvizja amatore dhe nuk ishte shkollë profesioniste, ata bartën me vete dhe pjesën e amatorizmit”, tregon Papagjoni. Teatri Kombëtar prezanton fondet nga arkivi i tij, të cilat kanë ngjallur interes nga publiku siç tregohet dhe në fotot që ka publikuar vetë institucioni. Por kritiku i teatrit Josif Papagjoni shton se regjisorët rusë që erdhën ato vite në Shqipëri për teatrin patën ndikimin e tyre si dhe për aktorët në skenë. “Në Shqipëri erdhën regjisorët rusë, të cilët ndikuan në kualifikimin e aktorëve, ndërkaq që u çuan në Jugosllavi dhe në vendet e  Lindjes në Hungari në Bashkimin Sovjetik ku vazhduan shkollat Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Drita Agolli, Esat Oktrova, Serafin Fanko. Në vitet ’60 u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, por këta kanë qenë të spikatur si regjisorë që shkuan dhe vazhduan shkollat edhe e ngritën në një nivel të ri artistik lojën e aktorit, nivelin e teatrit, ku ishin dhe skenografi Agim Zajmi apo Shaban Hadëri”, tregon kritiku Papagjoni. Duke folur për teatrin gjatë viteve ’50 kritiku i teatrit Josif Papagjoni ndalet dhe në aktorët e atyre viteve, që sollën role të paharruar, duke nisur me punën e aktorit Mihal Popi. “Aktorë në vitet ‘50 kanë qenë Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marie Logoreci, etj. Më pas erdhi Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Tinka Kurti që ishte në Shkodër. Këta janë aktorë të famshëm të atyre viteve, ku kemi Sulejman Pitarkën apo dhe Ndrek Lucën”, vijon kritiku Papagjoni.

 Historia e teatrit

Më 25 maj 1945 u krijua për herë të parë në historinë e Shqipërisë, “Teatri Profesionist i Shtetit”. Ky teatër erdhi nga bashkimi i dy grupeve të njohura teatrore, ai i qarkut të Gjirokastrës me regjisor Andon Panon dhe ai i qarkut të Korçës me regjisor Sokrat Mion. Teatri qendror kishte në përbërje 35 artistë të zgjedhur. Ai krijoi një repertor aktiv, sa të trashëguar nga grupet teatrore partizane, po aq edhe me pjesët e reja që viheshin në skenë. Për kohën ishin shfaqjet si “Orët e Kremlinit”, “Mbi gërmadha”, “Doktor Aleksi”, “Studentja e vitit të fundit”, “Ngjarje në fabrikë”, “Sinjali i kuq”, “Përmbytja e madhe”, “Shënomëni dhe mua”, “Lulet e shegës”,  etj. TK u mbajt fort pas vlerave të jashtëzakonshme të dramaturgjisë botërore. Ajo shërbeu si një ushqim i freskët, por edhe si një katedër mësimdhënëse ku mësohej mjeshtëria dhe rritej cilësia. Gjithsesi, klasikja vinte dallgë-dallgë në skenën e tij, përputhur situatave e konjukturave politike. Në vitet ‘50 dhe fillimin e viteve ‘60, repertorin e mbizotëroi dramaturgjia sovjetike. Në TK u rritën dhe u afirmuan regjisorët e plejadës së parë si Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, për të mbërritur në një stad të lartë pjekurie profesionale me regjisorët Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Fatos Haxhiraj, Dhimitër Pecani, Agim Qirjaqi, Gëzim Kame, etj. TK ka në kalendarin e vet aktorë të mrekullueshëm, që i dhanë atij emër të nderuar. Ata janë bërë pjesë e kujtesës historike të artit skenik, po ashtu edhe e kujtesës kombëtare.  

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here