“Të gjithë e duan Agim Krajkën”, nesër në skenën e Shkodrës

0
574

Koncerti “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, kushtuar një prej figurave më të mëdha të muzikës shqiptare me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit si dhe Ansambli Popullor nesër në mbrëmje do të zhvilloher në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, me krijimtarinë më të bukur të mjeshtrit të madh pritet të përcjellë emocione. Koncerti më parë u zhvillua dhe në Tiranë duke marrë vlerësimin e publikut. TOB shkruan se të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse ai kompozoi për të gjithë shkroi këngë, muzikë filmash, vepra instrumentale dhe për orkestër. “Ai i shkroi gjyshes, por dhe rinisë e prandaj brezat unifikohen në pentagramet e tij”, shkruan TOB. Orkestra e TOB, Ansambli Popullor, bandi Jazz dhe këngëtarë të njohur, të gjithë për të interpretuar repertorin e mjeshtrit të madh në skenë.  Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej disa dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë por rëndësi ka dhe muzika e filmave. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here