Skulptori Agim Rada shprehet se në Tiranë ka vepra që janë vendosur në hapësira publike, por që realizimi i tyre lë për të dëshiruar. Në këto kushte ai shprehet se ka vepra që nuk përfaqësojnë atë që duhet dhe sipas tij duhet që të jetë një komision me emra të njohur të artit, historianë dhe më gjerë, që të merret me vlerësimin e tyre. Në intervistën për “SOT” skulptori i njohur tregon se këtë komision do t’ia propozojë dhe Bashkisë së Tiranës. Për skulptorin Agim Rada ndër vite ka pasur dhe abuzime me vepra të ndryshme dhe përgjegjësia shkon te Ministria e Kulturës, që zhvillonte konkurset dhe miratonte këto projekte. Skulptori tregon se ky muaj nuk e gjen më Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në varësi të Ministrisë së Kulturës, dhe po kryhen procedurat që qendra të kalojë në varësi të Bashkisë së Tiranës. Për skulptorin Agim Rada kjo është pozitive, sepse sipas tij ndër vite Ministria e Kulturës i la me një fond qesharak që nuk dilte as për të blerë kimikatet për punën me veprat. Agim Rada në punimet i tij përfshin statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufrit, Petro Marko etj.
-Në punën tuaj ku jeni përqendruar këto kohë?
Qendra e Realizimit të Veprave të Artit ishte drejt degradimit total, dhe me vullnetin tim kur erdha në drejtim të saj arrita dhe e ringrita këtë qendër. I dhashë jetë një kufome, sepse ishte drejt degradimit. Krijova një bërthamë dhe futa njerëz të rinj në punë, disa ustallarë të vjetër i mbajta që i transmetuan zanatin të rinjve, sepse fonderia artistike është shumë e vështirë, dhe thura ëndrrat e mia me mendimin që ti shërbej artit dhe vendit tim. Por ne e patëm shumë të vështirë, sepse njerëzit me të cilët unë përballesha dhe varesha ishin jashtë fushës. Ish ministrja ime e Kulturës nuk do më kuptonte kurrë, sepse ishte një përkthyese dhe nuk kishte lidhje me artin dhe nuk na përfilli fare. Për 5 vjet ajo si ministre vetëm njëherë erdhi në QRVA kur ishte vepra për Nënë Terezën. Me shumë sakrifica e kemi mbajtur këtë ndërmarrje dhe kam restauruar monumente që ishin në degradim total. Përshembull “Nëna Shqipëri” nëse ne nuk do të kishim ndërhyrë, do të ishte shkatërruar. Në kokën e saj kur hipëm me skela pamë një gropë atje që ishte 45 centimetra e thellë e shkaktuar nga rrufetë meqë kishte armaturë hekuri brenda, dhe ne e restauruam. Po kështu kemi ndërhyrë dhe në tjera monumente të mëdha si ai i Pavarësisë në Vlorë. Por qeveria dhe Ministria e Kulturës morën vendime që restaurimet e këtyre veprave ti kalojnë bashkive përkatëse. Kjo sjell shumë probleme në qytetet e tjera, sepse bashkitë nuk kanë specialistë. Kjo për mua është e pamundur, sepse në bashki nuk ka njerëz të specializuar për monumentet, dhe do fillojmë të shohim gjëra qesharake, ku mund të kemi vepra të lyera me sprajt, ngjyrë floriri dhe do bëhet një katrahurë. Sepse ata që merren me restaurimin janë specialistë. Por tani ia kanë lënë bashkive në qytete, që nuk kanë specialistë të përgatitur. Për ne ishte fat si QRVA, që problemi ynë i shkoi në vëmendje të Bashkisë së Tiranës. Ata më thirrën dhe më thanë që këtë fushë do ta mbulonte bashkia. Përveçse do të mirëmbajmë bustet dhe monumentet në Tiranë, ne si QRVA do të merremi dhe me krijimtari për parqet dhe sheshet e Tiranës. Mua mu duk një ide e mrekullueshme, sepse ne si QRVA tani mund të na jepet mundësia me pak sponsorizim, që aty ku e kërkon syri mund të jetë ndonjë skulpturë parku, skulpturë dekorative, me ngjyra, drita, qelq, inoks, etj.
-Ju u shprehët se po përgatiten dokumentet dhe ju po kaloni në varësi në Bashkisë së Tiranës. Çfarë do kërkoni për punën tuaj?
Unë di të them që ish ministrja e Kulturës që u shkarkua na degradoi, duke na zbritur çdo vit fondet deri sa u bëmë qesharak me një fond prej 4 milionë lekë të vjetra në vit, që nuk dilte as për të blerë kimikatet për punën tonë. Por tani është më serioze situata. Bashkia na ka premtuar që të investojë dhe te ambientet tona që është e degraduar, kemi nevojë për disa makineri, repart për ngjyrosje, repart mozaiku dhe ndriçimi për objektet. Deri tani ne vetëm kemi biseduar dhe po përgatisim dhe një projekt, që do t’ia dorëzojmë bashkisë për punën tonë. I jam shumë mirënjohës që po e ndihmojnë qendrën tonë.
-Ju jeni shprehur më herët se në Tiranë ka dhe vepra që nuk meritojnë të jenë. Çfarë do kërkoni?
Unë këtë e kam thënë disa herë në intervistat e mia. Një nga propozimet që unë i bëra Bashkisë së Tiranës është edhe krijimi i një komisioni me njerëz specialistë të vërtetë, që kanë dhënë prova që janë në nivel për të gjykuar për vendosjen e veprave në Tiranë. Unë çdo gjë që them, do ta propozoj brenda një komisioni që do të bëhet vlerësimi për veprat, një komision serioz që mund të jetë jo vetëm me emra të artit, por dhe me historianë, arkitektë etj. Unë jam kundra sasisë, sepse mos ta bëjmë si fushatë që çdo rrugicë dhe qoshe të shohim skulptura dhe hekurishte dhe të na kthehen në problem. Mirë është të vendosen gjëra më pak, por që të jenë të gjykuara shumë dhe të kalojnë në një sitë të fortë nga ky komision dhe të marrin miratimin për t’u vendosur. Unë këtë komision ia pata propozuar dhe Ministrisë së Kulturës dikur, por s’e vuri ujin në zjarr. Kanë një veçori skulpturat në përgjithësi, sepse janë dhe pika reference. Nëse ti vë një skulpturë dhe ajo nuk ka vlerë s’e heq dot, sepse bëhet pikë referimi.
-Sipas jush, cilat janë disa nga veprat që duhen hequr?
Unë kam cilësuar disa vepra, që nuk janë dinjitoze në Tiranë. Por ato mbeten për t’u diskutuar me komisionin përkatës që unë kërkoj të ngrihet. Kam thënë dikur që është një monument me xhybe turke, që është themeluesi i Tiranës. Madje unë kam thënë që duket dhe si një fshatar sikur ka dalë të shesë në pazar. Nuk ka lidhje fare me atë që ka themeluar një qytet. Ndaj janë disa vepra që duhen parë me kujdes.
-Ndër vite ka pasur dhe vepra që kanë hapur shumë diskutime për realizimin e tyre. Çfarë mund të na thoni?
Ne kemi Monumentin e Pavarësisë, i cili vetëm Pavarësinë nuk e përfaqëson. Aq sa u detyruan dhe ato që e projektuan thanë që ne kemi parasysh kullat e malësisë, por kulla është e mbyllur. Kulla është simbol i mbrojtjes, jo i lirisë. Nuk ka lidhje me simbolin e lirisë dhe aty me atë vepër është abuzuar edhe financiarisht. Kujtoj që me 100 -vjetorin e Pavarësisë është abuzuar shumë atë kohë. U bënë si torta e famshme, që kush kishte legena dhe tepsi shkuan dhe morën dhe me vete në shtëpi. Kështu dhe me veprat e artit, kush donte. Njëri do bëj një shqiponjë alumini te ky vend tjetri në një vend tjetër një figurë që donte ai, pra u abuzua dhe u banalizua çdo gjë. Tani unë po kërkoj që të kalojnë në një sitë dhe të ketë një kontroll. Por jo të jetë arti i kontrolluar sepse unë jam kundra asaj, dhe artistët të jenë të lirë. Por të jetë me një konkurrim dhe seriozitet që kur të vendoset ajo vepër të shërbejë. Po ashtu diskutime ka pasur dhe për figurat historike që duhet parë po me kujdes. Sipas meje për të tilla figura pa i dhënë licensë historia nuk mund ti bëjmë. Kemi akoma figura që janë të diskutueshme, dikush i mban për heronj dhe dikush për armiq. Historia duhet ti shoshisë këto. Unë kohët e fundit bëra veprën e Mithat Frashërit, i cili edhe pse u konsiderua armik ai ishte një figurë e kombit që kishte bërë për Shqipërinë më shumë se çdo komunist. Prandaj Akademia e Shkencave, historianët e paindokrinuar të bëjnë vlerësimin për figurat dhe ne të bëjmë veprat, ti glorifikojmë figurat që mendohet si i shërbyen vendit dhe historisë sonë.
-Sa shqetësues është për ju gjendje e veprave të artit në Tiranë?
Mjafton të shikosh bustin e Çajupit përballë ish ekspozitës “Shqipëria sot” dhe do të shikoni se në çfarë mjerimi është. Kullon ngjyrë të zezë dhe nuk njihet se kush është. Po kështu është dhe Vojo Kushi te Selvia, por ka dhe vepra të tjera që janë në gjendje të mjeruar si Qemal Stafa afër parlamentit, vepra që janë lënë në mëshirë të fatit. Për sa kohë që ne nuk patëm fonde, nuk patëm as mundësi ti riparonim, tani me bashkinë besoj do të ndryshojë situata se do të bëjmë dhe një inventar për të gjitha veprat. Unë do të bëj një pasaportë për çdo vepër arti në Tiranë, që do të ketë identitetin e saj, vendin ku ndodhet etj.
-Për vendimet e gabuara për veprat sipas jush ku shkon përgjegjësia?
Shumë konkurse për veprat e mëdha i bënte Ministria e Kulturës, por që aty ka shumë të paaftë. Ndërsa veprat permanente që hiqen dhe vendosen i ka bërë bashkia. Por ato që janë vepra stabël është Ministria e Kulturës që ka bërë konkurset dhe siç ju pohova aty ka shumë të paaftë. Aty ka zyrtarë që rrinë në zyrë dhe nuk dinë.
-Ju tashmë me QVRA nuk mund të merreni më me veprat e tjera në Shqipërisë, sa është shqetësuese për ju?
Më vjen keq, por tani veprat në Shqipëri janë në mëshirë të fatit. Më vjen keq dhe më duket sikur i kemi braktisur, por ishte vendim i ministrisë.
-Sa është bërë për artin sipas jush nga ministria?
Fakti që ne ishim një ndërmarrje me shumë pak njerëz dhe ne na përzunë tregon se nuk bëhet fare për artin. Mendoni vetëm 400 mijë lekë të reja buxhet në vit, çfarë mund të bëhet me aq buxhet për veprat e artit për ti mirëmbajtur ato?
-Çfarë mendoni për Renë para GKA?
Unë që kur e kam parë atë vepër kam menduar, që ajo duhej të ishte vendosur në një tjetër hapësirë. Si Reja ka në botë, por aty para GKA nuk është vendi i duhur për një instilacion të tillë. Nëse do ishte majë një kodre do të dukej tamam si një re, por aty duket më shumë si një mjergull që ka zënë pamja e galerisë. Vepër e një artist të madh japonez dhe unë nuk kam kundërshtim për atë si vepër, por vendi i saj duhej të ishte menduar diku tjetër. Në një kodër diku të liqeni mund të ishte më mirë.
-Ka pasur artistë që janë shprehur se në atë hapësirë ka vepra nga fondi i GKA, që mund të ishin vendosur. Çfarë mendoni?
Po e drejtë, sepse kjo mund të bëhej dhe për efekt historie, qoftë dhe të realizmit socialit për të parë njerëzit në çfarë derexheje kemi qenë. Por ka dhe vepra të post realizmit, tendenca të artit modern apo të artit modern bashkëkohor që mund të ishin aty. Mund të ishte një mozaik me këtë lloj fryme.
Intervistoi: Julia Vrapi