Zbardhen detajet për SPAK, gjykata dhe prokuroria e posaçme ngrihen në të njëjtën ditë, gjyqtarët pritet t’i nënshtrohen më vonë vetingut

0
429

Zbardhen detajet mbi mënyrën se si do të ngrihen Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Më 21 shkurt mbyllet gara për prokurorë, ndërsa gazeta ka mësuar se puna po rakordohet mes KLGJ dhe KLP që si gjykata ashtu e prokuroria të zyrtarizohen në të njëjtën kohë. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur procesverbalin e një prej mbledhjeve, ku u vendos ngritja e SPAK. Për prokurorët, KLP hapi 15 vende vakante, por nuk ndodhi kështu me gjyqtarët. Sipas vendimit të marrë nga KLGJ, të gjithë anëtarët e Krimeve të Rënda zhvendosen aty automatikisht në momentin që marrin pëlqimin e familjarëve. Pra nuk ka kandidime nga jashtë. “Atëherë, ajo që propozohet tek kjo pikë e rendit të ditës është për të filluar procedura, pra është fillimi. Dhe të respektojmë të gjitha dispozitat ligjore, të gjitha hapat që po diskuton edhe kolegu dhe kam përshtypjen, për këtë pjesë neve duhet të jemi në komunikim edhe formal edhe informal me Këshillin tjetër për pjesën e SPAK-ut, që ato, logjikisht dhe ligjërisht duhet të krijohen në të njëjtën kohë, funksionin. Se ajo që ngre kolegu si diskutim, patjetër që është shumë e rëndësishme, që ato duhet të funksionojnë në një kohë sepse do jetë edhe problemi i kalimit/të transferimit të çështjeve konkrete që do kenë nëpër duar gjyqtarët e krimeve të rënda që janë sot. Kështu që, kam përshtypjen që ne thjesht sot po nisim procedurën dhe pastaj e gjithë procedura do t’i përfshijë të gjitha diskutimet”, ka thënë Brunilda Kadi, në mbledhjen e KLGJ. Në të njëjtën linjë me të ka qenë dhe anëtarja Brikena Ukperaj. Edhe ajo ka thënë se puna do rakordohet me KLP. “Duke u bashkuar mendimit të dy kolegëve, e rëndësishme është që edhe për shkak të hierarkisë së akteve, ne do respektojmë parimin kushtetues që, brenda 2 muajve nga momenti i krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të bëhet kalimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda tek gjykata e posaçme për gjykimin e veprave të tilla. Kështu që, sot fillojmë procedurën, me qëllim që gjyqtarët të plotësojnë formularët, edhe familjarët e tyre, sepse është kusht paraprak për caktimin e përkohshëm. Kështu që, duke iu dhënë atyre edhe kohën e mjaftueshme. Pastaj, jam dakord me pjesën që edhe gjykata edhe prokuroria duhet të ngrihen në të njëjtën kohë sepse do kenë probleme të kompetencave dhe të veprave që do gjykojnë”, thuhet aty.

Vetingu

Duke qenë se Krimet e Rënda shkrihen, gjyqtarët e SPAK duket se do vijojnë punë edhe pse nuk i janë nënshtruar vetingut. Të gjithë që kanë kaluar te Gjykata Speciale do vijojnë normalisht punën në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë. Problemi që shihet paraprakisht është se anëtarët e SPAK duhet të kalojnë vetingun. Por ky proces zgjat disa muaj dhe nëse shkrihen Krimet e Rënda, atëherë bllokohen çështjet. Pra në këtë mënyrë gjyqtarët do vijojnë punën derisa KPK të vendosë shkarkim për ndonjë prej tyre. Nëse ata konfirmohen, atëherë do kenë mandat të plotë te SPAK. Sa i takon prokurorëve puna komplikohet. Për ta kërkohet që të kenë kaluar vetingun. Por gazeta ka mësuar se nëse ka vonesa, KLP pritet të marrë vendim që dhe ata të vijojnë normalisht punën derisa të merret vendimi përfundimtar për ta nga KPK. Precedenti që do ndiqet do jetë ai i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Aty disa anëtarë nuk e kanë kaluar vetingun, por Komisioni i Posaçëm i Monitorimit të Reformës në Drejtësi ka kërkuar që ata të votojnë normalisht. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here