KPA e palëkundur, shkarkon përfundimisht nga detyra Adriatik Camën, prokurori i “21 Janarit” ngelet 15 vite jashtë drejtësisë

0
402

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vijon goditjet në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar që janë ankuar ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Me “dorë të hekurt” trupa gjykuese e KPA shkarkoi dje përfundimisht prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Adriatik Cama. Cama ishte shkarkuar edhe nga KPK, por për të kërkuar prishjen e vendimit, u drejtua në KPA me shpresën se do të rikthehej në detyrë. Mirëpo organi kolegjial vendosi paraditen e djeshme lënien në fuqi të verdiktit të KPK.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Ardian Hajdari, Albana Shtylla relatore dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci, Sokol Çomo, sot, më datë 18.02.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen (JR) nr.18/2018, datë 02.10.2018 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Adriatik Cama kundër vendimit nr. 35, datë 12.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht: Lënien në fuqi të vendimit nr. 35, datë 12.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Adriatik Cama. Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 18.02.2019”, njoftoi Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Kujtojmë që Adriatik Cama, i cili ndryshe njihet edhe si prokurori i “21 Janarit”, gjatë përballjes me KPK kishte probleme të shumta me pasurinë. “Prokurori ka apartament me sipërfaqe 77 m2. Apartamentin e ka blerë në 2011. Blerë me të ardhura ndër vite. Në vitin 2003 e ka blere për herë të parë këtë pasuri. Në deklaratë thotë se e ka blerë 3.4 milionë lekë. Ndërsa sipas kontratës është blerë me 29 e 700 dollarë. Prokurori ka kryer deklarim të pasaktë mes deklaratave 2003 e 2017. Po ashtu disa herë për këtë pasuri ka bërë deklarime të rreme që kanë cenuar rëndë figurën e prokurorit. Çmimi i apartamentit është likuiduar që në 2003, prokurori dhe gruaja e tij kanë të ardhura vetëm nga paga, por nga analiza financiare rezulton se nuk justifikojnë 1 milion e 865 e 30 lekë”, tha KPK pak kohë më parë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here