Shumica e krerëve të drejtësisë të zhytur në afera, 12 emra ngelin në veting, edhe Dritan Peka rezulton me probleme

0
431

Një ndër gjërat që nxori në pah procesi i vetingut ishte zhytja në afera e krerëve të drejtësisë. Deri tani me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë përballur 19 kryetarë gjykatash dhe prokurorish, por vetëm gjashtë prej tyre janë rikonfirmuar në detyrë. Duke mos numëruar drejtuesen e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli, për të cilën nuk është dhënë akoma vendimi, 12 emra të tjerë kanë ngelur në “rrjetën” e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi valën e shkarkimeve në radhët e kryetarëve të gjykatave me Entela Priftin. Shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Korçë u pasua nga shkarkimi i kryetares së Gjykatës së Apelit Civil Vlorë, Alma Liçaj, ndërsa më pas u vijua edhe me largimin e kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta dhe të Gjykatës së Beratit, Agron Vavla. Për të katër këta emra, problemi kryesor që iu “hodhi në erë” karrierën ishte pasuria. Edhe kryegjyqtari i Pukës, Izet Kadana u largua për 15 vite nga sistemi i drejtësisë sepse u konsiderua i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Midis krerëve të gjykatave të shkarkuar në vend bën pjesë edhe emri i Bashkim Dedjes apo edhe ai i kryegjyqtarit të Sarandës, Alltun Çela. Listës së të shkarkuarve u janë bashkuar edhe kryegjyqtari i Shkodrës, Arben Zefi dhe kreu i Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni. Në listë bëjnë pjesë edhe kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, i shkarkuar vetëm pak ditë më parë, si edhe drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami. Duhet theksuar fakti se deri tani është vetëm një drejtues prokurorie i shkarkuar. Bëhet fjalë për Dritan Rreshkën, i cili deri para se të merrte vendimin KPK, drejtonte Prokurorinë e Tiranës.

Problemet e Dritan Pekës

Numri i krerëve të drejtësisë të shkarkuar nga vetingu rrezikon të shkojë në 13. Para trupës gjykuese të KPK dje dha llogari kryetari i Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka. Gjatë seancës dëgjimore u listuan problemet e Pekës me pasuritë. Sipas KPK, ai zotëron një apartament në Tiranë dhe një në Vlorë. Në lidhje me apartamentin në kryeqytet, gjatë hetimit të thelluar komisionerët kanë konstatuar se ka mospërputhje mes mandateve të pagesave dhe datës së marrjes kredisë prej 28 mijë, të cilën prokurori e ka deklaruar si burim për blerjen e apartamentit. “Nuk rezulton që subjekti të ketë pasur burim tjetër financiar për të paguar dy këstet. Ka mospërputhje deklarimesh midis subjektit dhe shoqërisë, për datat e pagesave”, tha relatorja e çështjes. Ndërkohë, subjekti ka marrë edhe një kredi të butë prej 5 milionë lekësh”, u bë e ditur gjatë seancës së Pekës. Ndërkohë gjatë seancës u referua se bashkëshortja e subjektit i ka bërë kërkesë kryeministrit për trajtimin me kredi të butë, për pajisjen me shtëpi të funksionareve të gjyqësorit. Në kohën e paraqitjes së kërkesës dhe marrjes së kredisë, subjekti dhe bashkëshortja kishin në pronësi dy pasuri. Sipas KPK, kjo kredi është marrë pa përmbushur kriteret e kërkuara dhe më pas nuk është përdorur për qëllimet e deklaruara por për të blerë një banesë jashtë Tiranës dhe për të arreduar një apartament. Në këtë pikë, trupës gjykuese i lindën dyshime për fiktivitet kontraktor. Në pronësinë e prokurorit është dhe një automjet i blerë për 980 mijë lekë. KPK kishte konstatuar se makina ishte blerë në Gjermani për 14 mijë euro nga shtetasi S. M., por më pas është shitur tek Dritan Peka. Sipas subjektit, kjo diferencë kishte të bënte me problemet e makinës. “Mungon dokumenti provues për pagimin e shumës për këtë makinë. Ka dyshime për fiktivitet për shit blerjen e kësaj veture”, tha trupa gjykuese.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here