Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit sjell për publikun filmin “Oriz i hidhur” një kryevepër të kinematografisë italianë. Një prodhim që i takon vitit 1949 dhe mban emrin e një prej regjisorëve të njohur italianë, pjesë e fondit që më parë nuk është shfaqur për publikun. Mbrëmjen e së mërkurës nga fondi i arkivit këtë herë do të jetë filmi i regjisorit Giuseppe De Santis në kinema “Agimi”. AQSHF bën me dije se publiku do të ketë mundësi të shikojë një kryevepër të kinematografisë italiane, që u nominua dhe për çmimin Oscar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit të Kanës në 1949. Sipas arkivit, nga kjo dramë e egër dhe pasionante për audiencë të rritur, bota u prezantua me aktoren legjendare Silvana Mangano, si dhe yllin protagonist Vittorio Gassman. “Bashkë-shkruar nga skenaristi mjeshtër Carlo Lizzani, përzierja e neorealizmit me melodramën shkon përshtat me rrëfimin e punëtores së orizores, që zbulon planin e një krimineli”, shkruan Arkivi Qendror Shtetëror për Filmin. Ky film vjen në vijim dhe të tjera prodhimeve të fondit filmik, që konsiderohen të rralla, dhe nuk janë shfaqur për publikun dhe Arkivi jonë e disponon këtë kryevepër të kinemasë italiane në një kopje origjinale dhe në gjendje të pacënuar. “AQSHF dhe publiku shqiptar është me shumë fat që disponon një kopje origjinale në gjendje të pacënuar të filmit që katapultoi karrierën e producentit jashtëzakonisht të suksesshëm Dino De Laurentis”, shprehet arkivi për këtë film që nesër në mbrëmje do të jetë në ekranin e kinemasë për publikun. Filmi “Oriz i hidhur” që i takon vitit 1949 i skenaristit dhe regjisorit Giuseppe De Santis për AQSHF ka shumë vlerë në materialet, që janë në fondin filmik. “Gjatë kontrollit teknik javën e kaluar në fundin e këtij filmi emocional pushuam së marri frymë. Le të bashkojmë lotët me imazhet brilante të një kohe tjetër”, shprehet AQSHF për këtë film, që sipas institucionit nuk duhet humbur. Filmi do të jetë në kinema me titra në gjuhën shqipe, një punë që është bërë nga vetë AQSHF.
Filmi që nuk duhet humbur
Për regjisorin e njohur të kinematografisë shqiptare Kristaq Mitro nisma e AQSHF për të shfaqur për publikun prodhime të rralla të filmave pjesë e fondit para ‘90 merr një rëndësi të veçantë. Nga eksperienca e tij ai tregon se të tillë praktikë e ka parë dhe më parë në Vjenë dhe tani po e shikon që të jetë dhe nga AQSHF. “Kjo është një gjë shumë e bukur, që shfaqen të tillë filma. Unë kur isha në Vjenë kam parë që ata shfaqin nga arkivi i tyre filma të tillë në dy a tre ditë të javës. Pra filma të vjetër, që i risjellin për publikun. Unë e kam parë këtë film në Arkivin tonë të Filmit por ka qenë në gjendje të dobët më parë, por besoj që do ta kenë rregulluar”, pohon mes të tjerave regjisori i njohur Kristaq Mitro. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. Fondi i artë shqiptar është me veprat më të mira kinematografike të regjisorëve shqiptarë më të njohur si Hakani, Erebara, Dhamo, Anagnosti, Gjika, Milkani, Keko, Fejzo, Hoshafi, Kumbaro, Ljarja, Muça, Mitro, Mysliu, Pecani, Prifti, Çashku, Topallaj, Zhabjaku, Dafa, Tane, Ibro, Xhuvani, Minarolli, Koçi, Bisha, Ruka, Minga, Shanaj, etj. Koleksioni klasik i kinematografisë botërore është me vepra të Eisenstein, Cukor, Engels, Camerini, Blasetti, Mastrocinque, Castellani, Ballerini, Bragaglia, Damiani, De Sica, Lizzani, Rosselini, De Santis, Visconti, Zeffireli, Dreville, Pagnol, Tourneur, Hitchcock, Goldëyn, McDonald, Baky, Froehlich, Sellers, Kazan, etj.
Nga Julia Vrapi