Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e ka quajtur një turp të madh gjithë sa ndodhi në sallën e Kuvendit, e për këtë turp, PS nuk mund të tolerojë më që ai që e kreu, të vazhdojë të jetë në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Në një deklaratë për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Balla ka thënë se “Në seancën e ardhshme PS do të depozitojë kërkesën për shkarkimin nga posti të Edi Palokës”.
“Gjithçka u bë në një seancë solemne si është momenti i votimit të marrëveshjes për anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe në prezencën e një miku të vyer jo se është kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut por se është personalitet i rëndësishëm i shqiptarësisë. Berisha ia ka marrë dorën që çadrën ta bëjë pistoletë dhe shiringën ta bëjë stilograf. Të bëhen hetimet për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Më lejoni tu them se grupi i PS nuk duron më që nënkryetari të jetë Paloka dhe në seancën e ardhshme do depozitojmë kërkesën për shkarkimin”- tha ai
Pyetur për protestën e opozitës, Balla tha: “Nuk kam asnjë koment, opozita është vaj me det por nuk i takonte Shqipërisë edhe ky turp.”