KLSH kap me shkelje ligjore Bashkinë e Gjirokastrës, indice për kallëzim penal për 7 punonjës

0
571

Kontrolli i Lartë i Shtetit po përgatitet për depozitimin në prokurori të kallëzimit penal për 7 punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës. Gjatë një auditimi të ushtruar në këtë institucion për periudhën nga data 01.08.2015 deri më datën 31.12.2017, KLSH ka konstatuar se Në vitin 2017 janë nxjerrë jashtë përdorimit 4 mjete transporti. Ndërkohë, në procesin e nxjerrjes jashtë përdorimit në vitin 2017, dokumentuar në proces verbalin e mbajtur në datën 20.12.2017, nga komisioni “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve”, janë kryer veprime fiktive me pasojë humbjen e aktiveve, konkretisht humbjen e një mjeti me vlerë të kostos historike 397,000 lekë. “Proces verbali i mbajtur nga komisioni “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve”, në datën 20.12.2017, është fiktiv, pasi në të përshkruhet se “Komisioni i nxjerrjes jashtë përdorimit dhe asgjësimit, grumbulloi të gjitha aktivet për jashtë përdorimit, bëri verifikimin në vend të tyre sipas listës dhe i dogji ose dëmtoi ato sipas rastit”. Edhe në relacionin e hartuar nga kryetari i këtij komisioni z. A. S. përshkruhet e njëjta gjë”, thuhet në raportin e KLSH. Veprime fiktive të kryera nga komisioni i nxjerrjes jashtë përdorimit të aktiveve në vitin 2017 për mjetin “Kamioni Benz me rimorkio, me nafte ngjyrë portokalli”, me vlerë të kostos historike 397,000 lekë, dëm ekonomik për buxhetin e njësisë vendore, kanë sjellë efekte reale mbi humbjen e gjurmës së auditimit nga ana kontabël dhe gjithashtu humbjen fizike të mjetit, pasi 26 sipas konstatimeve të bërë nga komisioni i ngritur me urdhrin nr. 272, datë 23.08.2018, ky mjet nuk është gjetur në Bashkinë Gjirokastër. Veprimet e mësipërme bien në kundërshtim me nenin, 109, 110, të UMF nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik” dhe ngarkojnë me përgjegjësi komisionin e nxjerrjes jashtë përdorimit për vitin 2017. Bazuar në nenin 281 të ligjit nr. 7905, datë 21.03.1995 “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Udhëzimin e Ministrit të Financave nr.30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”, Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve të kryejë trajtimin e detajuar tekniko-juridik të materialeve të evidentuara nga grupi i auditimit në kuptim të referencave të Kodit Penal, për këta 7 persona: A. S., me detyrë specialist për transportin, licensat dhe strehimin, inxhinier mekanik, në cilësinë e kryetarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017; D. S., me detyrë përgjegjës i sektorit të shërbimeve, inxhinier mekanik, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2015 dhe 2017; M. Ç., anëtar, me detyrë specialiste buxheti, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017; B. L., me detyrë përgjegjës i sektorit të taksave dhe tarifave vendore, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017; M. B., me detyrë specialist juridik, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017; E. L., me detyrë specialiste për kontrollin në terren të zbatimit të projektit, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017; D. Sh., me detyrë punonjëse protokolli, në cilësinë e anëtarit të komisionit “Për nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve” për vitin 2017.

Shkeljet në bashki

Gjatë kontrollit në Bashkinë e Gjirokastrës, KLSH ka gjetur një sërë shkeljesh. Kështu, sipas KLSH, në auditimin e kryer mbi aktivitetin e Inspektoratit të Mbrojtjes Territorit Vendor (IMTV), u konstatua se për subjektet të cilët kanë ndërtuar pa leje janë mbajtur 16 vendime administrative (me gjobë) në vlerën 3,500,000 lekë, vlerë e pa kontabilizuar në librat e llogarive të Bashkisë Gjirokastër. KLSH nënvizon se nuk janë ndjekur procedurat ligjore për arkëtimin e këtyre gjobave. Po ashtu, Bashkia Gjirokastër nuk ka ngritur strukturë të menaxhimit të aseteve (toka, pyje, kullota, ndërtesa etj.), dhe për këtë arsye procesi i administrimit të tyre nuk është realizuar në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullator në fuqi. Kjo strukturë duhet të realizonte marrjen në dorëzim të aseteve, zbatimin e procedurave të transferimit në NJQV, vënien në eficencë të ndërtesave me sipërfaqe totale 9894 m2 dhe tokës bujqësore produktive dhe jo produktive me sipërfaqe gjithsej 1707 ha, duke rritur mundësinë e të ardhurave nga dhënia me qira. Për të gjitha asetet nuk është hapur regjistër kontabël. Për KLSH, këto veprime janë në kundërshtim me ligjin. KLSH ka gjetur ndër të tjera se Bashkia Gjirokastër nuk ka ngritur një sistem efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke mos hartuar një kuadër të plotë rregullash të shkruara për funksionimin e institucionit. “Nuk janë hartuar rregulla për ruajtjen e aktiveve, nuk është hartuar rregullore e arkivës, harta e proceseve të punës, gjurma e auditimit për ruajtjen e aktiveve, mënyra e bashkëveprimit midis strukturave të ndryshme në rastet kur në një proces pune marrin pjesë disa struktura. Mungojnë rregullat që përcaktojnë frekuencën e raportimit të menaxherve kryesor te titullari, llojet e raporteve për informimin e tij”, bëhet me dije në raportin e KLSH.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here