Partia Demokratike vijon të ketë bindjen se pas dekriminalizimit, vetingu në politikë është hapi i radhës, të cilën PD e quan domosdoshmëri zbatimin e tij, për të ndarë përfundimisht politikën nga krimi. Këtë nisëm të përmbledhur në paketën “Antimafia”, deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku dhe Gazment Bardhi, e prezantuan ditën e djeshme në Shkodër, përballë studentëve të degës së Drejtësisë. Fillimisht, ishte deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili gjatë fjalës së tij bëri me dije se Partia Demokratike vetingun në politikë e quan domosdoshmëri për të ndarë politikën nga krimi dhe e ka vënë kusht për t’iu rikthyer jetës normale parlamentare. Madje, Bylykbashi u kujdes të theksonte faktin se vetingu në politikë nuk ndikon në reformën në drejtësi dhe sipas tij, që të dyja duhet të ecin paralel.
“Do të ishte absurde që politika të merrte në duar kontrollin e vetvetes. Vettingu në politikë nuk interferon absolutisht me reformën në drejtësi dhe vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë dy proçese paralele, të domosdoshme të dyja dhe nuk kanë pikëprerje, përkundrazi ndihmojnë njëra-tjetrën”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ndër të tjera në fjalën e tij para studentëve të degës së Drejtësisë. Ndërkohë në të njëjtën linjë me kolegun Bylykbashi, ditën e djeshme u rreshtua edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Gjatë fjalës së tij, Salianji nuk kurseu akuzat ndaj qeverisë, ndërsa u bëri të qartë të rinjve se situata e rëndë që po kalon vendi është pasojë e lidhjeve që mazhoranca ka me krimin. “Jemi një vend pa institucione dhe institucioni i vetëm që ka mbetur sot janë rrjetet kriminale. Kur them rrjet kriminal kam parasysh Kryeministrin Edi Rama”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Platforma për pastrimin e politikës nga krimi, është kusht i Partisë Demokratike, për t’iu rikthyer jetës normale institucionale. Kujtojmë që opozita prej 2 muajsh nuk merr pjesë në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare.