Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vënë në skaner Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Të gjitha këto organe përgatisin dosjet dhe informacionet paraprake për gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në sitën e vetingut dhe i dorëzojnë ato tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në lidhje me këtë proces pune, ONM ka rritur monitorimin tek ILDKP, DSIK, KLD dhe prokuroria, me qëllim që të vëzhgohet sesi punohet për çdo emër të sistemit të drejtësisë që do të përballet me vetingun. ILDKP është institucioni që jep informacione për pasurinë e secilit gjyqtar a prokuror, DSIK jep të dhëna për pastërtinë e figurës, ndërsa KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme vlerësojnë nga ana profesionale emrat e drejtësisë: KLD për gjyqtarët dhe Prokuroria e Përgjithshme për prokurorët.
Por me qëllim që përgatitja e dosjeve që do t’i shkojnë KPK të jetë sa më e plotë dhe larg ndikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka nisur lëvizjet në këto organe. Madje gazeta ka mësuar se një kopje e dosjes së përgatitur për çdo gjyqtar dhe prokuror, përveç komisionit të vetingut, i dorëzohet edhe ONM, me qëllim që edhe ata të jenë në dijeni për gjetjet e secilit institucion. Po ashtu, burimet i thanë gazetës se ekspertë dhe përfaqësues të caktuar të ONM kanë nisur të kryejnë edhe vizita dhe takime me drejtues të ILDKP, DSIK, KLD dhe prokurorisë. Qëllimi i këtyre takimeve është vëzhgimi dhe monitorimi nga afër i gjithë procesit të punës për gjetjet për prokurorët dhe gjyqtarët. Pra përveç punës së organeve të vetingut (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Komisioneri Publik) në lupën e ndërkombëtarëve kalon edhe puna e ILDKP, DSIK, KLD dhe prokurorisë. Mesa duket, përfaqësuesit e ONM po punojnë shumë fort që të mos lejohet asnjë deformim i informacionit apo fshehje e tij si edhe të mos ketë asnjë ndërhyrje nga politika dhe gjyqtarët e prokurorët.
Roli i ONM
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka pasur një rol shumë të veçantë dhe të rëndësishëm gjatë gjithë procesit të vetingut. Përfaqësuesit e ONM kanë qenë monitorues në çdo seancë dëgjimore të mbajtur me përfaqësuesit e drejtësisë, ndërsa shpeshherë nuk kanë ngurruar as të ngrenë dyshime për pasuritë e tyre, integritetin e figurës apo aftësitë profesionale. Kujtojmë që për rastin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza ishte ONM ajo që kishte gjetur se subjekti i rivlerësimit kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit dënimi në Itali për vjedhje. Po ashtu, ka pasur plot raste kur ONM nuk ka qenë dakord me disa vendime rikonfirmimi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Për këtë arsye ndërkombëtarët ia kanë kërkuar Komisionerit Publik që t’i ankimojë këto vendime, duke kërkuar kështu prishjen e vendimit të KPK dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një lëvizje e tillë nga ana e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është bërë në momentin që ka pasur dyshime se vendimet e KPK nuk kanë qenë korrekte apo se mund të ketë pasur ndikime a presione nga jashtë. Rikthejmë në vëmendje që për rikonfirmimet e dyshimta të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori ishte pikërisht ONM ajo që vuri në lëvizje Komisionerin Publik./ Mimoza IBRA