Kush po e bllokon dëshminë e Nuel Kalajt? Kosova dështon në gjetjen e sekserit të CEZ, Berisha dhe ish-ministrat e tij gati t’u shpëtojnë hetimeve

0
411

Hetimet e prokurorisë për aferën e CEZ rrezikojnë të dështojnë. Prej më shumë se një viti, në organin e akuzës janë bërë dy padi ndaj ish-qeverisë “Berisha” dhe funksionarëve të saj, për privatizimin e ish-OSSH nga CEZ. I pari ishte juristi Romeo Kara, ndërsa më pas një padi të ngjashme depozitoi Kuvendi, pas përfundimit të një hetimi parlamentar. Paditë u bashkuan, por puna ka ngecur. Prokuroria ka kërkuar dje sërish zgjatje të hetimeve, pasi nuk po siguron provat e nevojshme ndaj të akuzuarve. Bëhet fjalë për dëshmitarin Nuel Kalaj. Prokuroria pasi kreu të gjitha verifikimet, lëshoi një fletëthirrje ndaj Nuel Kalajt, sekseri që vendosi lidhjen mes qeverisë së Sali Berishës dhe të çekëve të CEZ. Në padi pretendohet se marrëveshja ka qenë e jashtëligjshme dhe ai që ka më tepër dijeni është pikërisht Nuel Kalaj. Prokuroria kërkon dëshminë e tij dhe duke qenë se ai është shtetas kosovar, më herët u kërkua ndihma e autoriteteve të Prishtinës.

Por së fundmi prokuroria ka marr një përgjigje nga Kosova, ku thuhet se ata nuk po e gjejnë dot personin në fjalë. Edhe pse kanë thënë se do të vijojnë kërkimet, sinjalet janë se hetimet po dështojnë. Pyetja që shtrohet është: Kush po e bllokon dëshminë e Nuel Kalajt? Juristi Romeo Kara ka deklaruar se nëse flet Kalaj, mund të fundosen shumë persona të ish qeverisë demokratike. Por ditët e fundit po tregohet se po punohet shumë që Kalaj të mos shkojë në duart e prokurorisë. Ndërkohë vetë Romeo Kara pak kohë më parë publikoi foto, ku Kalaj shfaqej krah kryeministrit kosovar. Për shkak se mungon dëshmia e tij, prokuroria ka kërkuar dje zgjatje afatesh dhe me 3 muaj të hetimeve. Kjo kërkesë është e katërta prej saj dhe sinjalet janë se Sali Berisha dhe të gjithë të akuzuarit të tjerë mund të mos marrin përgjegjësi për këtë aferë. Në padinë e bërë në prokurori akuzohen si përgjegjës Sali Berisha, ish-kryeministër, djali i tij, si dhe ish-ministrat Genc Ruli apo Ridvan Bode.

Detajet e padisë

Në padinë e dorëzuar për aferën e CEZ, pretendohet se janë bërë 8 shkelje nga ish-qeveria “Berisha”. “Provohet se një sërë ish zyrtarësh të lartë të shtetit gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë: Nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa asete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj në favor të CEZ; Duke ndryshuar tregues specifikë në Deklaratat Rregullatore dhe duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe imponuar ERE në vendimmarrje të kundraligjshme”, thuhet në padi.

Ndërsa sa i takon rolit të Nuel Kalajt një deklaratë të qartë ka dhënë pak kohë më parë juristi Romeo Kara. “Populli shqiptar, përfshirë dhe pasuesit e Saliut, mësuan se tenderi i privatizimit të OSSH-së, i zhvilluar nga qeveria “Berisha” në 2008 ishte tërësisht një farse, pasi në të vërtetë fituesi CEZ ishte i paracaktuar dhe sekseri i këtij pazari ishte një emigrant shqiptar i Kosovës në Francë, me probleme të rënda penale atje, i cili për sekserllëkun e tij u shpërblye me 6.8 mln euro nga pala çeke, të cilat ai dyshohet t’i ketë ndarë me qeveritaret e Tiranës. Të gjitha këto mësohen nga thëniet pa ekuivok të Nuel Kalajt në e-mailet e tij, drejtuar menaxherëve të lartë çekë të CEZ-it, si dhe të rikonfirmuara nga investigimi i krejt ngjarjes të bërë nga unë dhe komisioni parlamentar Balla”, ka deklaruar ai./ Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here