Gjyqtari Jangulli në sitën e vettingut, zbardhet vendimi i KPK: S’flet qartë, ka gjuhë të pakuptueshme

0
382

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e cilësoi gjyqtarin Ahmet Jangulli të papërshtatshëm në të tri kriteret. Komisioni shprehet në vendimin e zbardhur se ai kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”, ndërsa gjeti zvarritje dosjesh dhe probleme të tjera.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti shkelje në të tre kriteret për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkodrës, Ahmet Jangulli. Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, Jangulli kishte dështuar të ishte i besueshëm në shpjegimin e pasurive, ai nuk dha shpjegime të besueshme në kriterin e pastërtisë së figurës dhe po ashtu shfaqi paaftësi që nuk mund të rregulloheshin përmes një programi trajnimi.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun e cilësoi Jangullin ndër të tjera me aftësi “të paparanueshme në komunikim”. Në vendimin zbardhur, KPK konstatoi gjithashtu “se subjekti nuk ka një komunikim në gjuhë të qartë dhe të kuptueshme, duke e bërë shpeshherë të vështirë të kuptohet qartë argumentimi që ka përdorur”.

Ndryshe nga shumica e vendimeve të tjera, në të cilat shkarkimi është përcaktuar pas hetimit të Komisionit, në këtë rast Jangulli është cilësuar i papërshtatshëm prej Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe nga  Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Me një sërë vërejtjesh rezultoi edhe raporti i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi aftësitë profesionale të Jangullit.

Jangulli e filloi punën si gjyqtar në Bulqizë në vitin 1994 dhe që më pas u trasferua në Dibër. Së fundmi e ushtronte funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës Administrative të Faktit në Shkodër. Në përballjen me KPK-në, Jangulli kundërshtoi raportet e ILDKPKI-së, DSIK-së dhe kontestoi përfundimet mbi profesionalizmin të arritura nga KLD.

Vlerësimi në kriterin e pasurisë

ILDKPKI i dërgoi KPK-së një raport negativ për Ahmet Jangullin. Në raport thuhet se “deklarimi i subjektit nuk është i saktë në përputhje me ligjin; nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; ka kryer fshehje të pasurisë; ka kryer deklarim të rremë”.

Hetimi i KPK-së për pasuritë e Jangullit konfirmoi raportin e ILDKPKI-së. Sipas vendimit të zbardhur, gjyqtari rezultoi të kishte kryer një shkëmbim makine në vitin 2012, për të cilën ai kishte dhënë një makinë të vitit 1995 të përdorur nga ai prej vitit 2005.

Në dokumentet e shqyrtuara nga KPK rezultoi se vlera e makinës së përfituar ishte disa herë më e madhe se ajo e makinës së dhënë. Kështu gjykatësi kishte dhënë një makinë që ishte blerë 570 mijë lekë para 8 vjetësh dhe kishte marrë në këmbim një makinë që ishte blerë 1.1 milionë lekë vetëm një vit para ndërrimit.

KPK ka hedhur dyshime te ky transaksion dhe i ka kërkuar Jangullit ta shpjegojë. Sqarimet e gjykatësit të shkarkuar nuk e përmirësuan situatën e tij. Ai shpjegoi se personi me të cilin kishte ndërruar makinën ishte mik (vjehrri) i një miku të tij dhe se donte ta shiste makinën me çdo çmim pasi me atë makinë i biri kishte bërë një aksident.

Ai po ashtu ka thënë se makina e tij ishte mbajtur mirë. “Makina që kishte shkëmbyer ka pasur opsione të viteve të mëvonshme se viti i saj i prodhimit, kishte qenë gati në tako (e papërdorur), pasi është përdorur vetëm për nevoja familjare (brenda qytetit ku kam banuar), ka qenë e mbajtur mirë dhe e paraqitshme (ka pasur sy)”, tha ai për të justifikuar transaksionin.

KPK gjeti se ai nuk kishte pasur mjetet financiare për të blerë makinën e parë në vitin 2005, ndërsa u shpreh se “veprimi i shkëmbimit të makinës mbetet i dyshimtë, pasi shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk e bindën trupin gjykues për të kundërtën e rezultateve të hetimit”.

Komisioni gjeti se Jangulli kishte dhënë 12 milionë lekë hua, te persona që sipas tij ishin miq. Huatë ishin dhënë sipas sqarimit të gjykatësit pa interes. Por sipas ILDKPKI ai kishte fshehur këto hua në kohën kur i kishte dhënë, duke mos i deklaruar në deklaratat vjetore të pasurive. Po ashtu Inspektoriati në raport i bëri me dije KPK-së se Jangulli nuk kishte pasur mundësi financiare për të dhënë këto hua.

Pretendimi i gjyqtarit të shkarkuar se paratë ishin përfituar nga puna e bashkëshortes si notere u cilësuan të pasakta, pasi ai kishte dorëzuar si justifikim xhiron dhe jo fitimet. Hetimi i KPK-së dhe analiza financiare konfirmuan se Jangullit i mungonin më shumë se 7 milionë për të justifikuar dhënien e huave.

Pretendimet e tij se për të ardhurat e bashkëshortes nuk duhej të shiheshin deklarimet në tatime ku kishte një gabim, por ato të bëra në bashki, u cilësuan nga KPK jo të mjaftueshme. Dy deklaratat, njëra për tatimet dhe njëra për bashkinë, sipas Komisionit ishin “kontradiktore ndërmjet tyre, duke mos provuar me ndonjë dokument se cila është e vërteta”.

KPK thotë se mospërputhja e deklaratave u konsiderua “si përpjekje e subjektit të rivlerësimit për të rregulluar situatën financiare pas evidentimit të diferencave të pambuluara nga ana e ILDKPKI-së”.

Në fund Komisioni doli në përfundimin “se subjekti ka kryer veprime fiktive, duke deklaruar gjendje likuiditetesh të cilat pretendon më vonë se janë gabim dhe duke i ndryshuar, pasi nuk arrinte të justifikonte ligjshmërinë e të ardhurave të deklaruara”.  Shpjegimet e Jangullit, se pasaktësitë në deklarime kanë qenë të paqëllimshme, nuk e bindën trupin gjykues për të kundërtën e rezultateve të hetimit, ndërsa arsyetuan se në kriterin e pasurisë niveli i deklarimeve të tij ishte i pamjaftueshëm.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka kryer kontrollin e figurës së Jangullit, dhe i dërgoi KPK-së një raport të arsyetuar, “duke konkluduar mbi “papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës së subjektit të rivlerësimit, z. Ahmet Jangulli.”

Sipas raportit të DSIK-së, kishte dyshime se Jangulli para dhe gjatë periudhës së rivlerësimit ishte përfshirë në veprimtari korruptive, në disa procese gjyqësore, “gjatë kohës kur ushtronte detyrën si kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Bulqizë dhe më vonë, si gjyqtar pranë Gjykatës Administrative Shkodër”.

KPK hetoi në mënyrë të thelluar disa nga akuzat e DSIK-së dhe arriti në përfundimin se raporti qëndronte. Raporti i DSIK “gjen mbështetje edhe nga hetimi administrativ mbi dosjen për veprime korruptive në bashkëpunim më një prokuror, siç janë rrethanat e ndryshimit të kualifikimit të veprës penale për të akuzuarit”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Jangulli u mbrojt duke pretenduar se vendimi në këtë rast ishte konfirmuar në Apel, por sipas KPK-së “gjatë zhvillimit të hetimeve dhe nëpërmjet dokumentacionit të administruar (Komisioni) nuk ka konstatuar fakte ndryshe”. KPK shprehet në vendim se “shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk e kanë bindur trupin gjykues”.

As Inspektoriati pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe KLD në shqyrtimin profesional nuk qenë i butë me Jangullin. Në raport u vunë në dukje një sërë shkeljesh, përfshi një vendim të KLD-së, që ishte rrëzuar në Gjykatë Administrative, që penalizonte gjykatësin.

KPK vë në dukje se për një nga ankesat ndaj tij, Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra. Në vendimin e zbardhur rezulton se Jangulli kishte përjashtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga 5 procese në të cilat ajo ishte palë, pa dhënë arsyetim ligjor.

Sipas raportit të KPK-së rezulton se në pesë rastet, Jangulli kishte përjashtuar përfaqësuesin me autorizim nga policia duke thënë se “i bëjmë me dije përfaqësuesit se tagrat tuaja të përfaqësimit janë me cen”. Ai kishte zhvilluar gjykimet në mungesë të Policisë së Shtetit si palë.

KPK thotë se nuk gjeti në vendime arsyetimin ligjor për këtë përjashtim të njërës palë, duke e parë këtë si “shkelje e parimeve themelore të procesit të rregullt ligjor”.

Komisioni cilësoi si paaftësi edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore. Duke marrë parasysh ngarkesën e madhe të gjyqtarit, KPK thotë megjithatë se në disa raste zvarritja nuk justifikohej. “Janë konstatuar zvarritje në gjykim, duke theksuar rastin e shqyrtimit të çështjes gjyqësore nr…., datë 14.01.2014, për 6 muaj dhe në përfundim është shpallur moskompetenca”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Po ashtu KPK vuri në dukje se në disa raste, Jangulli kishte marrë 4 muaj për të njoftuar palën paditëse se padia nuk ishte e plotë. Atij iu gjetën çështje të cilat ishin lënë pa veprime për rreth një vit, ndërsa u gjetën parregullsi në arsyetim vendimesh.

Problem për Jangullin u cilësua edhe fakti se përndryshe nga sa kërkohej prej ligjit, ai dorëzoi për vlerësim profesional vetëm një çështje dhe tre dokumente të tjera, që sipas KPK-së nuk mund të përfshiheshin në gjykimin e profesionalizmit.

Jangulli u gjet se kishte marrë më herët edhe vërejtje sa i përket etikës. KPK analizoi një ankesë ndaj tij së bashku me një CD me regjistrim të seancës, gjatë të cilës rezzultoi se komunikimi i gjykatësit nuk ishte etik. “Në përfundim, trupi gjykues çmon se komunikimi i subjektit konstatuar në CD-në e denoncuesit, e identifikon atë si një magjistrat me sjellje të papërshtatshme që dëmton figurën e tij,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Në fund ai u vlerësua “si një magjistrat, i cili ka njohuri, aftësi, gjykim apo sjellje të cekët, një mënyrë /praktikë pune të papajtueshme me pozicionin e tij”. KPK vendosi se këto paaftësi nuk mund të korrigjoheshin.

Në arsyetim treshja që gjykoi rastin shprehet se Ahmet Jangulli, “ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe të figurës”, ndërsa janë gjetur mangësi të përsëritura në kriterin profesional.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here