Qytetarët fundosin gjyqtarët dhe prokurorët, rreth 1.900 denoncime brenda 1 viti për aferat e njerëzve të drejtësisë, ONM rrit monitorimin

0
508

Gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në sitë duhet të përballen edhe me ankesat që qytetarët kanë për punën e kryer prej tyre. Ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 53 të tij, parashikon se: “Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt institucionet e rivlerësimit…”. Pra iu jep të drejtë të gjithëve të ankohen për përfaqësuesit e drejtësisë. Teksa seancat dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nisën në mars të këtij viti, qytetarët kanë patur mundësi të dorëzojnë denoncimet e tyre që në tetor të vitit të shkuar. Gazeta ka arritur të sigurojë disa të dhëna nga regjistri i denoncimeve nga KPK, nga ku rezulton se në total, nga tetori i 2017 deri në shtator të 2018, njerëzit janë ankuar 1877 herë për gjyqtarët dhe prokurorët. Numri më i ulët i ankesave është shënuar në tetor 2017, muaj kur komisioni i vetingut sapo nisi punën dhe ku janë dorëzuar vetëm dy të tilla. Denoncimet e njerëzve të thjeshtë kanë arritur kulmin në muajin dhjetor të vitit 2017, kohë kur janë dorëzuar plot 321 ankesa. Muaji janar i vitit 2018 ka sjellë pranë KPK të tjera ankesa për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në total 187 të tilla. Më të pakta denoncimet kanë qenë në muajin gusht, me vetëm 106 të tilla. Ndërsa muaji me numrin më të lartë të ankesave gjatë vitit 2018 është korriku, gjatë të cilit janë depozituar plot 224 denoncime. Muaji korrik njihet edhe si muaji gjatë së cilit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit punoi shumë fort, duke zhvilluar 3, por edhe 4 seanca dëgjimore me subjektet e rivlerësimit në një ditë. Nga të dhënat e siguruara nga gazeta, bie në sy që ankesat kanë vijuar edhe përgjatë shtatorit, edhe pse ritmet e punës së KPK ranë ndjeshëm, që pas pauzës 2-javore në gusht. Në shtator pranë KPK janë regjistruar 189 denoncime. Sipas burimeve të gazetës, denoncimet janë kryer edhe për gjyqtarë a prokurorë që nuk kanë qenë pjesë e listës prioritare. Në këtë rast, ankesat e tyre janë regjistruar dhe arkivuar nga stafi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kur të vijë momenti për hetimet e emrave për të cilët ka patur denoncime, do të merren edhe ato në shqyrtim. Qofshin këto kërkesa të dorëzuara në mënyrë elektronike, apo edhe dorazi, ankesat e qytetarëve janë marrë në konsideratë nga komisioni i vetingut dhe po shqyrtohen nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë kryer shkelje me marrjen e vendimeve apo jo.

ONM rrit monitorimin

Në një kohë kur qytetarët janë të lirë të denoncojnë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rritur monitorimin ndaj organeve të vetingut. Pasi nisën edhe seancat e para dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, filluan edhe akuzat e para politike, por kohët e fundit këto sulme dhe presione janë shtuar ndjeshëm. Në këto kushte, ONM ka rritur vigjilencën, për të mos lejuar asnjë ndërhyrje politike. Po ashtu, është rritur edhe kërkesa e llogarisë ndaj organeve të vetingut, por edhe ndaj institucioneve që japin të dhëna për subjektet e rivlerësimit. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, dërgojnë të dhënat për gjyqtarët dhe prokurorët tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por edhe tek ONM. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, pas një vëzhgimi të hollësishëm, bëjnë edhe analizën nëse vendimet e KPK janë të drejta apo jo.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here