15 persona kanë shfaqur interes për të qenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pak kohë më parë Kuvendi dhe qeveria shpallën nga 3 vende vakante, pasi 6 anëtarëve u mbaroi mandati. Dje Kuvendi ka publikuar listën dhe janë 15 emra që kanë shfaqur interes, të cilët garojnë për 3 vende. Në listë ka dhe emra të njohur. Një ndër ta është Arben Malaj, i cili mbante deri më tani postin e anëtarit të këshillit. Po ashtu një tjetër emër i njohur është Sulo Hadëri, ish-dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë. Mes tyre është dhe Vjollca Braho, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë që vjen nga radhët e PDIU. Ajo që bie në sy është se mes shumë emrave që kanë shfaqur interes, disa janë pedagogë të universitete private. Ndërkohë nesër Parlamenti do të nisë dhe seancat dëgjimore me ta.
“Kuvendi i Shqipërisë, njofton se ditën e mërkurë, datë 31 tetor 2018, ora 9.00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, në sallën e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ( salla e re, kati i II-të ) do të organizohet dëgjesa publike e 15 kandidatëve që i janë përgjigjur thirrjes publike të Kuvendit më datë 4 tetor 2018, për plotësimin e tre vendeve vakante që i përzgjedh Kuvendi i Shqipërisë, mbështetur në vendimin e tij Nr.103, dt.4.10.2018 “Për procedurën paraprake të përzgjedhjes së tre anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë”, Kandidatët janë njoftuar se do të kenë në dispozicion kohën e prezantimit të CV (jo më shumë se 3 minuta) si dhe shpalosjen e platformës dhe vizionit të tyre (jo më shumë se 15 minuta) për të qenë anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Emrat që kanë shfaqur interes janë: Vjollca Braho; Bardhyl Ceku; Leontijev Çuçi; Sulo Hadëri; Artan Hoxha; Altin Hoti; Oljan Kanushi; Genc Koxhaj; Arben Malaj; Visar Malaj; Luljeta Minxhozi; Ergys Misha; Nikollaq Pano; Drini Salko dhe Arben Xibri. Por zëvendësimi i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës ka rritur rrezikun e largimit të Guvernatorit Gent Sejko. Ai ka marrë mandatin e Fullanit dhe në 3 nëntor duhet të largohet. Por kohët e fundit po tentohen manovra që Sejko të rrijë në detyrë.