Amerikanët kanë dhënë detaje nga ajo se çfarë ndodhte në burgjet dhe kampet shqiptare të regjimit komunist. Në një dokument të vitit 1955 tregohen detaje nga ajo se çfarë ndodhte në burgun e Burrelit. Sipas CIA, aty dominonin ballistë dhe zogistët. Ndërkohë jepen detaje dhe për kapet e përqendrimit.
Dhjetor 1955
Burgu i Burrelit mban rreth 400 të burgosur, shumica e të cilëve janë politikë. Drejtori i tij është njëfarë kapiten Metani dhe pas tij është një zyrtar i Sigurimit i quajtur Jorgo Jaçe nga Gjirokastra. Burgu ruhet nga pesëdhjetë njerëz. Mes të burgosurve ka rreth 100 zogistë, 150 ndjekës të Ballit Kombëtar dhe 150 nacionalistë të tjerë duke përfshirë dhe mbështetës të Gjon Markagjonit, Mustafa Krujës e Ismail Verlacit. Anëtarët e këtyre grupeve e ndihmojnë njëri-tjetrin duke ndarë ushqimin e pakët dhe duke mbajtur gjallë interesat politike me anë të diskutimeve të fshehta të herëpashershme. Zogistët kryesorë janë Enver Hasa, Ethem Cara dhe Dule Hoxha, ndërsa ballistët kryesorë janë Kudret Kokoshi, Abdullah Rahmi e Koço Tasi. Megjithëse ka diferenca opinioni mes zogistëve e ballistëve, ata të gjithë mbështesin Komiteti Shqipëria e Lirë dhe trishtohen për lajmet e mosmarrëveshjeve mes fraksioneve të ndryshme të refugjatëve shqitparë në Perëndim. Të burgosurit shprehen në favor të një qeverie koalicioni në Shqipëri në rast të rrëzimit të regjimit aktual. Opinioni është i ndarë në lidhje me rikthimin e mbretit Zog, por nëse çështja do të hidhej në votë në një referendum të mbikëqyrur nga Perëndimi mbreti do të merrte rreth 70% të votave. Prej vitit 1949 zyrtarët e Sigurimit në burgun e Burrelit kanë ndaluar keqtrajtimin e të burgosurve dhe trajtimi i tyre është përmirësuar disi. Në burg nuk shërbehet mëngjes, por ka supë në drekë e në dimër si dhe 600 gramë bukë për njeri. Familjarët ose miqtë e të burgosurve lejohen t’u sjellin atyre ushqime nga jashtë. Ndërtesa e burgut ndahet në 2 dhoma 7×6 metra, 8 dhoma 5×3 metra dhe 28 qeli për tre persona 2×2 metra të gjera. Ka gjithashtu 3 qeli izolimi.
Kampet e përqendrimit
Në Shkodër u dërguan katër të burgosur, tre për krime politike dhe një për krime të tjera. Rreth 200 persona po mbahen aty për shkelje politike dhe rreth 400 për krime të zakonshme. Në Burrel gjendet kampi i atyre që vuajnë dënime politike të gjata. Gjatë qëndrimit të burgosurit janë të detyruar të punojnë në minierat e kromit pranë Burrelit. Në Lezhë ka burgje për të ndjekurit për krime politike dhe ato ordinere, por pas gjyqeve të dënuarit dërgohen në burgun e Shkodrës për të vuajtur dënimin. Në pjesën veriore të Fierit, kazermat e vjetra italiane janë futur familjet e të arratisurve. Një informator tha se e kishte parë kampin në gusht 1950 teksa kalonte aty pranë me një mjet ushtarak. Një tjetër kamp përqendrimi është vendosur në Lushnje, në kazermat e vjetra italiane në perëndim të qytetit. Informatori ynë ka parë atje rreth 250 të burgosur kur kaloi me mjetin ushtarak. Rreth 30 nga të burgosurit ishin burra të vjetër, ndërsa pjesa tjetër ishin gra. Të gjithë po ktheheshin nga puna e detyruar. Gjatë të njëjtit udhëtim në një rrugë në jug të Kavajës, informatori ynë pa të arratisur ose familjarë të tyre që po ktheheshin nga puna e detyruar. Rreth 200 burra të vjetër dhe gra të të gjitha moshave, po shoqëroheshin nga gjashtë policë. Informatori nuk e dinte se k ndodhej kampi i tyre. Nga veshjet e të burgosurve, informatori gjykoi se ata vinin nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, përfshi edhe jugun. Informatori dëgjoi nga një ushtar nga Kosova se kishte një kamp për të burgosurit politikë dhe në Kosovë. Informatori beson se në Fier ka një kamp për refugjatët jugosllavë simpatizantë të Kominform. Në lidhje me këtë informatori deklaroi se një nga të afërmi e tij, qytetar jugosllav, i larguar drejt Shqipërisë dhe tan ndodhet në Fier. Ky i afërm kishte kërkuar leje të jetonte me njerëzit e tij në fshatin e informatorit, por autoritetet nuk kishin pranuar.
Guerrilët grekë
Informatori nuk ka dalluar lëvizje të guerrilasve grekë në Shqipëri. Ai e dinte se disa guerrilas kishin shprehur dëshirën të qëndronin në Shqipëri dhe të bëheshin qytetarë shqiptarë. Por gjithsesi numri i tyre ishte shumë i vogël. Qeveria i vendos ata në rajonet e Elbasanit dhe Fierit dhe u dha ngastra toke, kështu që ata shpërndahen dhe nuk janë të kufizuar vetëm në kamp.
Lejet dhe kartat e identitetit
Personat e autorizuar të mbajnë armë kanë një leje që duhet ta mbajnë me vete. Ajo lëshohet nga dega e tyre lokale e Sigurimit. Për të udhëtuar kërkohet vetëm pasaporta civile. Kur një person nuk është më anëtar i Partisë së Punës, tesera e partisë merret nga oficeri përgjegjës i organizatës bazë dhe i dorëzohet zyrës politike të punëtorëve të partisë, në zonën e tij. Çdo qytetar shqiptar duhet të ketë dokumentet e mëposhtme: Dokumentin e identifikimit, librezën e lirimit nga ushtria, pas kryerjes së shërbimit në forcat e armatosura. Dokumentin e partisë, nëse është anëtar partie, të lëshuar nga zyra politike e të rinjve.
Pozita e SHBA mbi pavarësinë e Shqipërisë
SHBA vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë: Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepër, ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912. E drejta e shqiptarëve për të qenë të pavarur është njohur dhe mbështetur në shumë deklarata publike të qeverisë së SHBA, dhe gjithashtu nga Britania. Nëse nuk do të kishte një Shqipëri të pavarur, nuk duket se ka tjetër mënyrë për zgjidhjen e konfliktit territorial mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë në këtë zonë strategjike, e cila prek sigurinë e të trejave. Asnjë prej këtyre shteteve nuk do të mbështesë vendosjen e influencës së rivalëve të tyre në këtë rajon, dhe asnjë marrëveshje për ndarjen nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme. Dorëzimi i Shqipërisë te një apo më shumë vende fqinje do të mbjellë farën e problemeve minoritare që mund të minojnë sigurinë e rajonit
Veprimet diplomatike
Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan. Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore.
Nxitja e konflikteve të brendshme
Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal, nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhim operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin.
Kujdesi i rusëve
Raportime të fundit tregojnë se përfaqësuesit sovjetikë në Shqipëri bëjnë kujdes që të mos bëjnë deklarata zyrtare për mbrojtjen e Shqipërisë në rast nevoje. Ky kurs vazhdon të ruhet megjithë përpjekjet e dukshme të bëra nga zyrtarët shqiptarë për të nxitur zotime formale prej tyre. Gjithsesi, nuk kemi as sinjalizime se BRSS do të braktiste Shqipërinë në rast lufte. Shqipëria ka marrëveshje tregtare me shumicën e vendeve satelite dhe akorde kulturore me disa prej tyre. Regjimi stalinist i Enver Hoxhës gëzon mbështetjen e sinqertë të rreth 30 000 anëtarëve të Partisë së Punës, por shumica e popullsisë së vendit e kundërshton. Regjimi ruan kapjen e tij të fortë ndaj vendit me anë të kontrollit ndaj ushqimeve të pakta dhe me anë të terrorit të policisë. Megjithatë, ka grupe të vogla rezistence me organizim të dobët, kryesisht në veri. Grupet besohet se kanë natyrë të pavarur dhe janë relativisht inaktive. Në lokalitete e tyre ato përfshihen në akte të vogla sabotazhi, në formë proteste. Por kjo lloj rezistence ndaj qeverisë qendrore ka ekzistuar gjithmonë në Shqipëri dhe besojmë se do të vazhdonte edhe nëse sikur regjimi i Hoxhës do të përmbysej. Mes grupeve individuale të rezistencës nuk ka ndonjë bashkëpunim aq sa për t’u marrë në konsideratë. Shqiptarët janë një popull trial dhe primitiv, me një histori të vjetër gjakmarrjeje mes fiseve. Prandaj sado që të ketë detaje rezistence ndaj regjimit brenda një grupi fisnor, rivalitetet e vjetra e bëjnë të vështirë bashkëpunimin.
Kliti Topalli