SHBA-BE hapin rrugën për ngritjen e SPAK, 5 anëtarë të Krimeve të Rënda kalojnë vetingun, ngrihet sot komisioni që do shkrijë KLD

    0
    673

    Ndërkombëtarët duket se nuk tërhiqen nga nisma e tyre për të ngritur sa më shpejt SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Gazeta e theksoi pak ditë më parë se strategjia e tyre është që të ngrihet fillimisht KLGJ dhe të futen në veting anëtarët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë të drejtë të jenë pjesë e SPAK. Deri më sot kanë hyrë në veting 5 prokurorë e gjyqtarë të Krimeve të Rënda dhe të gjithë kanë dalë të pastër. Dje u dha vendimi për prokurorin e Apelit Bujar Sheshi, i cili po ashtu doli i pastër. Nuk është çudi që të gjithë anëtarët e Krimeve të Rënda janë të pastër. Ata kanë të drejtë tani të garojnë për SPAK dhe ndërkombëtarët po kujdesen nga të gjitha anët që ky organ të mos bllokohet, siç po ndodh me KLP. Ditën e djeshme u konfirmua në detyrë prokurori Bujar Sheshi, ndërsa para tij kaluan vetingun: Prokurorët Gentian Osmani e Besnik Muçi, si dhe gjyqtarët Nertina Kosova e Dritan Hallunaj. Sipas ligjit, prokurorët dhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda që kalojnë vetingun, automatikisht kanë të drejtë të bëhen pjesë e SPAK, vetëm nëse vendosin ata të tërhiqen. Por duke qenë se ata kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e KLGJ dhe e KLP, jepen sinjale se mund të pranojnë të jenë pjesë e SPAK kur ky organ të jetë gati. “Prokurori në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë ose të Apelit qëndron në pozicionin e tij deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji, ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Këshilli i Lartë Prokurorisë cakton në mënyrë të përhershme prokurorët në Prokurorinë e Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në ligj. I njëjti përcaktim vlen dhe për gjykatësit. Pra kemi 5 emra që kanë kaluar me sukses vetingun dhe tani kanë të drejtë të jenë pjesë e SPAK.

    Vendimi për Bujar Sheshin

    Bujar Sheshi, prokurori i Apelit për Krimet e Rënda ka kaluar me sukses vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi shqyrtoi dosjen e Sheshit mori vendim pozitiv në lidhje me prokurorin e Krimeve të Rënda. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 23.10.2018 për subjektin e rivlerësimit, z.Bujar Sheshi, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 24.10.2018 vendosi: Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Bujar Sheshi, prokuror pranë Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Pamela Qirko, znj. Genta Tafa Bungo relatore, znj. Xhensila Pine anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve

    Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, njoftoi KPK.

    Komisioni i posaçëm

    Përveç kësaj, ajo që e forcon idenë se po punohet për të ngritur organet reja të drejtësisë është se sot do të zgjidhet anëtari i fundit i komisionit të posaçëm që do të mbikëqyrë reformën në drejtësi. Bëhet fjalë për një komision me 5 ekspertë, të cilët do të merren me procedurat me qëllim ngritjen e KLGJ e KLP dhe shkrirjen e KLD. Më herët u zgjodhën 4 anëtarë, ndërsa sot do të zgjidhet emri i fundit dhe pastaj nis puna për të zyrtarizuar organet e reja dhe nxjerrë jashtë loje KLD.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here