Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e djeshme se pensionet do të jenë më të larta, ndërsa po ashtu do të ketë rritje dhe të vlerës së paketës së solidaritetit në fund të vitit. Gjatë takimit të përjavshëm që mban në Kryeministri për platformën e bashkëqeverisjes, Rama tha se në ndryshim nga më parë, kur pensionistët kishin mundësi të blinin vetëm një gjel deti nga pensioni dhe shpërblimet, këtë fundvit do të jetë ndryshe. “Ne kemi një paketë solidariteti për pensionistët, që është tanimë e konsoliduar në zërat e buxhetit si asnjëherë më parë dhe që u shkon pensionistëve në fund të vitit, duke kompensuar në një farë mënyre edhe ato boshllëqe të krijuara për shkak të mungesës së reformës së pensionit për vite të tëra. Ata që dalin në pension pas reformës që ne bëmë, kanë të tjera kushte nga ata që kanë dalë në pension përpara reformës. Pensionistët e kujtojnë të gjithë që deri përpara reformës kishte një pension tavan prej 240 mijë lekësh të vjetra, që ishte i pakapërcyeshëm. Pavarësisht viteve të punës, pavarësisht masës së sigurimeve të pensionit, maksimumi ishte 240 mijë lekë. Sot, pas reformës, tavani nuk ekziston më dhe pensioni bazohet tek sigurimet. Sot ka jo pak njerëz që dalin në pension dhe kanë pension shumë më të lartë”, tha ai. Rama sqaroi edhe mënyrën si do të veprohet për ata pensionistë të cilët kanë probleme me llogaritjen e përfitimit. Shefi i qeverisë i ftoi të gjithë që të aplikojnë te platforma e bashkëqeverisjes dhe më pas do jetë një staf i tërë që do bëjë llogaritjet e duhura. “Më vjen shumë mirë që Platforma është një mekanizëm që ndihmon pa dallim të gjithë dhe në mënyrë të posaçme ata që janë më të dobët dhe që përndryshe do të kishin mbetur pa asnjë përkrahje dhe pa asnjë përfillje në zyrat e shtetit, ashtu si zyrat e shtetit janë mësuar t’i trajtojnë njerëzit në dekada. Ndërkohë që mjafton një ankesë në adresën www.shqiperiaqeduam.al dhe gjithsekush është i barabartë ndër të barabartët dhe trajtohet si qytetar i barabartë i Republikës. Po ashtu është me shumë rëndësi fakti që Platforma po ndihmon në mënyrë të vazhdueshme pensionistët, ata të cilët kanë probleme me llogaritë e pensionit për shkak të një trashëgimie shumë të rëndë me të gjithë bazën e të dhënave dhe edhe për shkak të mungesës së vëmendjes nga ana e punonjësve të zyrave, edhe pse, duhet thënë, ka një përmirësim që ka filluar të ndihet në shërbimin ndaj qytetarëve, pikërisht për shkak të presionit që ushtron Platforma”, tha ai.
Kritika kryebashkiakëve
Edi Rama lëshoi edhe disa kritika dje kundër kryebashkiakëve në vend. Ai deklaroi se vështirësitë më të shumta me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve hasen me pushtetin vendor sepse refuzojnë të pranojnë ankesat. E para bashki sipas tij, qëndron ajo e Shkodrës, por edhe të tjerat nuk mbeten pas. “Kemi vështirësi specifike me pushtetin vendor. Për fat të keq, në një sërë bashkish ka një refuzim për të marrë ankesat. Kampione është Bashkia e Shkodrës që refuzon çdo lloj bashkëpunimi. Bashkitë e tjera, po ashtu. Megjithatë, ne vazhdojmë përpiqemi edhe me bashkitë. Më vjen shumë keq në rastet kur koordinatorët detyrohen që të dorëzohen, pasi njësitë vendore në disa raste janë komplet indiferente. E konsiderojnë platformën si instrument të palës kundërshtare, ndërkohë që ne mund ta themi me krenari që në Platformë nuk kërkojmë as fenë, as partinë, as idetë e ndryshme. Ato janë të gjitha pronësi intelektuale e secilit. Ne thjesht dhe vetëm trajtojmë në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Republikës. Qofshin të majtë, qofshin të djathtë, qofshin të rinj, qofshin të moshuar, qytetarë nga qyteti, apo qytetarë nga fshati, ne i trajtojmë të gjithë njësoj në këtë Platformë”, tha kryeministri Edi Rama.
Mimoza Ibra