Kuvendi nis diskutimet e nismave për pronësinë mbi tokat bujqësore, deputetët përplasen me qeverinë, Fino e Braçe kritika ministrave

0
402

Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar në mbledhjen e djeshme dy projektligjet e propozuara nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, për kalimin e tokës bujqësore në pronësi të përfituesve. Nismat janë dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë nga deputeti Braçe, që synojnë të pajisin me certifikatë pronësie fermerët që tashmë e kanë tokën në përdorim, por që ligji i pengon. I pranishëm në diskutim tek Komision i Ligjeve ishte edhe vetë deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ndërsa nga qeveria përfaqësues ishte ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

Gjatë fjalës së tij, Braçe kërkoi që nismat e tij të merrnin dakordësinë e anëtarëve, duke kërkuar ndryshime ligjore në praktikat aktuale të marrëdhënieve të pronësisë dhe përdorimit të tokës bujqësore. “Bëhet fjalë për tokë të ndarë që është shoqëruar me akt të marrjes së tokës në përdorim dhe që më herët para viteve 90’ ka qenë në administrimin e ndërmarrjeve bujqësore. Nuk bëhet fjalë për tokat e ndara me ligjin 7501, por bëhet fjalë për tokën që ka qenë në administrim të ndërmarrjeve bujqësore dhe që pastaj i është nënshtruar procesit të ndarjes për familjet bujqësore dhe individët që janë marrë më bujqësi në atë periudhë. Kjo është e para që do doja të sqaroja”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Ndërsa nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka bërë me dije se brenda vitit do të jetë gati një draft ligjor që do të adresojë të gjitha problematikat e bujqësisë si dhe këto dy shqetësime të ngritura nga deputeti Braçe.

Mirëpo, reagimi i ministrit Peleshi, duket se nuk u mirëprit nga deputeti Erjon Braçe, i cili ishte edhe nismëtari i këtyre dy propozimeve. Madje, krah Braçes u rreshtua edhe deputetit socialist, njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino. Gjatë fjalës së tij në komision, Erjon Braçe kërkoi nga qeveria që të kthejë përgjigje brenda muajit nëntor, në mënyrë që nisma të hyjë në fuqi në fillim të vitit. “Duhet t’i vendoset afat qeverisë për të kthyer përgjigje për nismën. Duhet të hyjë në fuqi në datën 1 janar nisma. Çfarë do ndodhë nëse këta humbin mundësinë për marrjen tokës në përdorim? Nuk kam asnjë drojë të themi se ne presim qeverinë për këtë çështje, por jo më vonë se muaji nëntor. Njerëzit nuk kanë besim se do përfitojnë tokën. Kështu që unë dua një datë nga qeveria. Nuk duhet të zgjasë një muaj kjo çështje”, deklaroi Braçe. Ndërkohë që edhe deputeti Bashkimi Fino i kërkoi qeverisë që të japë dakordësinë për nismat e kolegut Braçe. “Deri në 24 nëntor qeveria të japë një përgjigje për këtë nismë”, deklaroi Fino.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here