Tre ditë pas megaoperacionit që u shtri nga jugu në veri, ku policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda goditi 4 grupe kriminale dhe lëshoi plot 44 urdhër arreste, përmban një dosje voluminoze. Kjo dosje, të cilën gazeta “Sot” disponon, përmban detaje të hollësishme për laboratorin e drogës në Has, për rolet e personave që policia ka arrestuar dhe ka shpallur në kërkim si dhe për lidhjet e ngushta që familja e Avdylajve, Bajrave dhe Ndokajve kishin me njëra-tjetrën. Operacioni i nisur të premten që lamë pas, filloi me sekuestrimin e laboratorit të heroinës në Has. Shtëpia e familjes Shuti u gjet si vend i përshtatshëm nga Admir Hoxha, një biznesmen nga Tirana, pronar i një hoteli luksoz në Rinas. Ai është edhe ideatori i ngritjes së laboratorit. Hetimet e Prokurorisë, sipas dosjes së siguruar nga gazeta “Sot”, zbulojnë se biznesmeni i shpallur në kërkim, kishte kontaktuar dy shtetas turq dhe 1 kosovar, edhe ata të shpallur në kërkim, për të sjellë në Shqipëri lëndën e parë për prodhimin e kokainës dhe heroinës dhe për të prodhuar drogat e forta. Admir Hoxha i ka takuar në hotelin e tij në Rinas turqit Iskander Saleh dhe Nedjet Cesuroglu, që mbante edhe emrin Lavdërim Limani, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Sala, me të cilët ka bashkërenduar punën për laboratorin. Lënda e parë vinte nga Turqia dhe Kolumbia. Sipas prokurorisë, është po Admir Hoxha që siguron shitjen e drogës. Grupi që e blinte drogën e fortë është ai i Shijakut. Sipas prokurorisë lidhja mes tij dhe këtij grupi kryhet nëpërmjet Saimir Gjepalit dhe Hekuran Hoxhës. Nga përgjimet rezulton se biznesmeni ka komunikim të shpeshtë me dy personat, anëtarë të grupit të Shijakut që trafikonte kokainë, heroinë e kanabis brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishte po grupi i Shijakut që merrej më pas me shpërndarjen në tre grupe të tjera, në Lezhë, Fier e Sarandë.
Bashkëpunimi mes grupeve kriminale
Familja Avdylaj, pasi furnizohej si dorë e parë në laboratorin në Has, bashkëpunonte me Hajri Seferin, i cili rezulton të ketë qenë ura lidhëse mes grupit të Shijakut dhe grupit të Delvinës që garantonin trafikun e kanabisit drejt Greqisë. Nga përgjimet ka rezultuar se Hajri Seferi ishte pika e kontaktit për Abedin Kucin, i cili ishte drejtuesi i grupi të Delvinës, që siguronin anën operacionale. Nga përgjimet mes Hajri Seferit dhe Bledar Kocit, rezulton që agjenti dekonspironte kolegët. Një tjetër lidhje edhe më e fortë e familjes Avdylaj rezulton ajo me Bajrat e Shkodrës. Sipas Prokurorisë, Astrit Avdyli, i cili njihet dhe si koka e grupit të Shijakut, bashkëpunonte me Safet Bajrin për trafikun e dograve të forta dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në përgjime del edhe një episod ku i përfshirë në trafik është Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit që në fillim të muajit shtator u arrestua sëbashku Safet Bajrin dhe anëtarët e tjerë të grupit si organizatë kriminale që trafikonte drogë. Astmer Bilali, sëbashku me ish-kampionin e mundjes Elis Guri kryenin trafik kanabisi, që sipas Prokurorisë e bënin për llogari të Safet Bajrit. Një tjetër linjë dhe bashkëpunimi mes familjeve kriminale ka qenë ajo mes Avdylajve dhe Ndokajve të Lezhës. Grupi i Lezhës e trafikonte drogën nga plazhi i Shëngjinit. Nga përgjimet është zbardhur që Astrit Avdylaj ka krijuar lidhje me Gjevi Ndokën, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka. Për finalizimin e kësaj linje trafiku, Astrit Avdyli dhe Gjevi Ndoka kanë krijuar lidhje me familjen fierake Sulejmani. Nga përgjimet dalin komunikimet dhe përgatitjet për një rast trafiku mes Astrit Avdylajt dhe Petrit e Saimir Sulejmanit kur ngarkesa fillimisht ishte parashikuar të nisej nga Lezha me gomone por në fund ndryshon plani dhe nisja bëhet nga Fieri, nga plazhi i Semanit. Në përgjimet për këto lidhje doli edhe skandali me pronat në Lezhë, ku në pranga si i përfshirë përfundoi edhe ish-deputeti I PS-së Arben Ndoka. Një lidhje më të ngushtë e bashkëpunuese eksponentët e familjes Avdyli e kishin me anëtarët e familjes Llaftiu po nga Shijaku. Fatos e Denis Llaftiu kryenin trafikun dhe shpërndarjen e drogës për llogari të Avdylajve.
Roli i policëve të arrestuar
Në rrethin e gjerë të personave të arrestuar me urdhër të prokurorisë si të përfshirë në grupin e strukturuar kriminal të Shijakut ka edhe efektivë policie. Në përgjimet e prokurorisë shihet se një prej efektivëve të Fierit, Bledar Koçi, informonte anëtarët e grupit për veprimet e prokurorisë dhe Astrit Gjyriqi që jo vetëm jepte informacion për hyrje-daljet e ngarkesave por dhe ndihmonte kalimin e personave me precedentë. Nga përgjimet e bandës së Shijakut, prokuroria ka zbuluar edhe disa bashkëpunëtorë të tyre në radhët e organeve të rendit. Një ndër ta ka qenë edhe oficeri i policisë, Bledar Koçi, i cili kishte lidhje me një nga eksponentët e grupit të Shijakut, Hajri Seferin. Bledar Koçi punonte në Fier në sektorin kundër narkotikëve. Nga hetimet rezulton se Koçi ka ndihmuar anëtarët e grupit kriminal dhe konkretisht nëpërmjet shtetasit Hajri Seferi, duke shfrytëzuar të dhënat dhe pozicionin e tij. Bledar Koçi ishte informator i Hajri Seferit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal.Madje sipas prokurorisë ai ka sjelle probleme për hetimet, duke i informuar anëtarët e grupit për veprimet e prokurorisë. Nga një përgjim rezulton se Koçi ka informuar Seferin në lidhje me GPS audiolokalizuese që ishte vendosur në automjet. Pajisja e cila u zbulua nga të dyshuarit pas disa ditësh të vënë në makinë dhe organet hetimore u detyruan ta çinstalonin. Ndërsa, Astrit Gjyriqi, punonjës policie në pikat kufitare, sipas Prokurorisë rezulton se bënte të mundur lejimin e kundraligjshëm të personave me precedentë penal pa të drejtë të kalimit të kufirit. Gjithashtu ai rezulton se ka shumë komunikime me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të familjes Avdyli në Shijak.