“Terror” me regji nga Gëzim Kame rikthehet 4 net në “arTurbina”

0
533

Drama “Terror” me regji nga Gëzim Kame pas skenës së Korçës rikthehet në skenën e re “arTurbina” për publikun. Ajo vjen për publikun nën interpretimin e aktorëve Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Yllka Mujo, Astrit Hasani në datat 25-26-27-28 tetor. ““Terror”, me regji nga Gëzim Kame dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh, rikthehet në Skenën e Re “arTurbina”.

Një shfaqje mbi krizën e drejtësisë në kontekstin e sotëm përballë terrorizmit”, shkruan teatri në faqen e tij. “Terror” është vepër autorit Ferdinand Von Shirach. Tema e dramës është një nga temat më përvëluese të kohës: terrorizmin në rritje dhe shkatërrimi i një pjese të mirë të funksionimit të sistemit gjyqësor. Drama “Terror” e autorit gjerman Ferdinand Von Shirach është përkthyer në 41 gjuhë dhe është shfaqur në mbi 80 teatro nëpër botë duke ngjallur shumë interes dhe polemika njëkohësisht. Vetë autori është me profesion jurist dhe në moshën 45 vjeçare filloi duke shkruar novela. Ngjarja ndodh në gjykatë, aty ku po zhvillohet një seanca gjyqësore mbi atentatin terrorist më të rëndë të vitit. Fati i një piloti, i cili rrezikon të dënohet më burgim të përjetshëm, pasi zgjodhi të vrasë 164 pasagjerë në vend të 70.000 sportdashësve në një stadium, do të varet nga vendimi i gjykatës, por dhe i njerëzve të thjeshtë të cilët do të vlerësojnë nëse piloti është vrasës apo hero.

Drama është një meditim i përkryer mbi ndërgjegjësimin e rreziqeve të kohërave moderne dhe të mbërthen me informacionin e gjerë dhe interesant pasi e gjithë ngjarja zhvillohet në një sallë gjyqi. Është një dramë që më shumë se çdo vepër tjetër skenike, kërkon aleancën e përfytyrimeve të gjalla të shikuesve për një ngjarje rrënqethëse me përmasa të mëdha që zhvillohet në qiell, në shtabet e Natos, sallat e kontrollit të hapësirës ajrore, në Ministrinë e Mbrojtjes. Subjekti flet për një pilot luftarak në mbrojtje të hapësirës ajrore që ndjek një avion pasagjerësh, i cili është marrë peng nga një terrorist dhe kërkon të godasë një stadium të mbushur plot me njerëz. Piloti urdhërohet të godasë stadiumin, por ai bën një zgjidhje tjetër individuale duke thyer urdhrin e marrë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here