Agim Canaj: Panuçi nuk e fitoi bastin në Kombëtare, sfidat e radhës përcaktuese për të ardhmen e tij

0
389

Problemet e futbollit tonë janë të shumta, që lidhen me punën jo të mjaftueshme në ekipet zinxhirë, organizimin e dobët, mungesën e profesionistëve dhe lënia e punëve në duar të gabuara. Pasojat dihen, sepse është dëmtuar infrastruktura, ka humbur trashëgimia e klubeve në sensin e akademive të tyre, ka pakësim prurjesh, mungesë vëmendje nga instancat etj. Së fundmi, edhe Kombëtarja po kalon një moment jo të mirë, me lojë që ka probleme të rënda dhe rezultate aspak bindëse, e ku është vënë në diskutim edhe vetë e ardhmja e trajnerit Kristian Panuçi. Duke folur për gjendjen e Kombëtares dhe pritshmëritë e sezonit në Superiore, një prej teknikëve të njohur të kampionatit tonë, Agim Canaj, në një intervistë për “Sot”, shpreh kritikën e tij për punën e Panuçit, por njëherësh sheh me mjaft probleme organizimin e vetë klubeve në Shqipëri. Nga ana tjetër, Canaj evidenton pozitiv faktin se këtë edicion ka rivalitet, ka nivel të mirë dhe përgëzon klubet pretendente për këmbënguljen dhe dëshirën që kanë për të fituar trofe. Canaj, njeriu që ka drejtuar 14 ekipe në karrierën e tij, pret ofertën e ndonjë klubi, por si kanë ardhur punët në Shqipëri, përfshi futbollin, këtu teknikë emërohen shpesh njerëz që kanë oratori në media dhe lidhje partiake e jo njerëzit e punës, prandaj edhe futbolli ngelet në vend, pa idetë dhe reformatorët e duhur.

Kombëtarja do të luajë së shpejti dy takime, një miqësor dhe një zyrtar, respektivisht ndaj Jordanisë dhe Izraelit. Ecuria e deritanishme e përfaqësueses nuk ka qenë bindëse, sepse ka paqëndrueshmëri në lojë e rezultate. Madje Panuçi bën aq shumë eksperimente sa është vënë në dyshim aftësia e tij si trajner. Si e shihni ecurinë e skuadrës dhe a ka gjasa që Panuçi ta kalojë këtë situatë?

Së pari duhet të flasim për ndeshjen e parë në radhë, miqësoren me Jordaninë. Këto lloj ndeshjesh janë një mundësi për të provuar elementët dhe për të fituar ndonjë të ri premtues. Jordania nuk është ekip i nivelit europian, por duke qenë një miqësore, mendoj se do të jetë një test në prag të duelit zyrtar me Izraelin. Trajneri i di më mirë lojtarët e tij, sepse i ka provuar dhe i ka ndjekur, por unë mund të them se ekipi nuk është në nivelin e dëshiruar, nuk është aspak në atë nivel që ne të gjithë dëshirojmë. Janë bërë ndryshime të shumta, lëvizje shpesh kaotike, por në Kombëtare këto nuk kanë dhënë shenja të mira. Një ekip përfaqësues duhet të jetë i stabilizuar dhe ndryshimet bëhen gradualisht e jo të menjëhershme, sepse kështu humbet linja dhe stabiliteti i grupit. Në këndvështrimin tim Panuçi nuk e ka fituar bastin. Ndeshja me Skocinë ishte një nga më të dobëtat që ka zhvilluar ndonjëherë përfaqësuesja jonë dhe kërkohet që në ndeshjet e radhës të kemi një skuadër të konsoliduar dhe vetë trajneri të jetë më lart. Prandaj unë e shoh duelin me Izraelin vendimtar për fatin e Panuçit. Ka shumë rëndësi të marrim rezultat pozitiv atje, për të mos thënë se kemi marrë më parë atje një rezultat mjaft të mirë. Pse të mos e përsërisim?

Kombëtaret kanë një cikël, në varësi të trajnerit që i udhëheq. Ne kishim një cikël me De Biazin, të cilit i erdhi fundi. Panuçi po tenton ciklin e tij, por s’po gjen sukses. Çfarë ka ndodhur?

Ciklet e skuadrave njihen, nuk bëjnë përjashtim as ekipet tona, por unë dua të evidentoj këtu se Panuçi në fillim tentoi të krijojë grupin e tij me një strategji loje të tijën. Kthimi sërish te lojtarët e De Biazit tregon tronditjen e thellë të trajnerit. Unë nuk e kuptoj çfarë po bën trajneri në këtë moment, ku dëshiron të dalë me gjithë këto lëvizje? Ne ende sot pas një viti e ca nga ardhja e tij, nuk po shohim një skuadër që të ketë fytyrën e Panuçit, pra një skuadër që të jetë vepër e tij. Ai ka ardhur me shumë pretendime dhe ndryshimet që bëri i kishte po në këtë vazhdë, por rezultatet që ka marrë nuk i japin të drejtë. Ka bërë shumë ndryshime, por skuadra e tij është një pikëpyetje e madhe, sepse ka një grup lojtarësh që nuk i japin siguri dhe vijimësi. Në fillim pretendoi se do të bënte futboll sulmues, por taktika po e shkërmoq. Shoh një skuadër pa orientim dhe një skuadër që nuk ka fytyrën e trajnerit.

Të flasim për kampionatin. Janë luajtur shtatë javë garë dhe Partizani ka marrë kreun. Për këto shtatë javë, sa i takon nivelit sportiv, cili është mendimi juaj?

Unë e njoh kampionatin shqiptar, në të dy kategoritë kryesore të tij. Ky edicion i Superiores është më rivalizues dhe asnjë ekip, sado i fortë qoftë, nuk mendon se mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet, sikurse ndodhte me Skënderbeun gjatë viteve të fundit. Në këtë pikëpamje kjo është gjë pozitive, sepse i jep garës emocion, konkurrencë dhe fut në luftën e titullit disa ekipe. Nga ana tjetër, largimi i shumë lojtarëve cilësorë nga Superiorja, kryesisht të rinj, si Abazaj e Guri, dhe mosardhja e lojtarëve cilësorë, sjell varfërimin, veçanërisht në repartin sulmues. Kjo ka sjellë të mos kemi lojtarë goli, që është e domosdoshme. Megjithatë, rivaliteti po shfaqet i mirë në këto javë të para dhe skuadrat janë aty-aty. Me përjashtim të Kastriotit që duket se nuk ka forcën e duhur, të tjerat kanë më shumë konkurrencë dhe disniveli nuk është i madh. Unë dua të veçoj Partizanin dhe Kukësin, që kanë qëndrueshmëri, por këtyre dua t’u shtoj edhe Laçin që këto vitet e fundit ka bërë merkato cilësore, lojë grupi dhe me pretendime për kupat e Europës. Gjykoj se lëvizjet e Laçit janë racionale dhe presidenti Laska duhet të jetë i kënaqur me ekipin e tij.

Partizani?

Sa i takon Partizanit, ka bërë ndryshime për mirë dhe ndryshe nga e shkuara, ku dështoi totalisht për disa vite radhazi, këtë vit e bazon performancën e tij tek lojtarët e rinj, një ekip i formatuar këtë vit, pra gjatë 2018-s, pa shumë bujë, por me cilësi. Megjithatë, kjo nuk është e gjitha sepse gara është e gjatë, kampionati ka disa faza, ka dhe të papritura dhe diferencat këtë sezon nuk janë të mëdha. Partizani ka bërë mirë sidomos në tre ndeshjet e fundit, ku fitoi me Flamurtarin, pastaj në derbi me Tiranën e në fund me Teutën, tri fitore radhazi që e ngjitën në krye. Është fakt që kjo skuadër ka uri për të fituar.

Duke i besuar intuitës tuaj, kë shihni skuadër kampione?

Ato ekipe që investojnë më shumë. S’e di se si do të rrjedhin ngjarjet, por Skënderbeu është “kockë” e fortë dhe kjo ndodh se ka një organizim të mirë të klubit, di të punojë, ka infrastrukturë, mentalitet fituesi, pra shkurt ka potencë. Ka dhe një tregues domethënës: Skënderbeu i ka fituar ndeshjet kryesore me Partizanin, Kukësin dhe ka barazuar me Tiranën. Çfarë tregon kjo? Se Skënderbeu është ekip i vështirë për t’u mundur. Përveç Skënderbeut, Partizani dhe Kukësi kanë treguar se janë skuadra që mund ta fitojnë titullin. Diferencat mes tyre nuk janë të mëdha dhe përcaktimi në fund do të varet nga organizimi i këtyre klubeve. Unë kësaj tresheje dua t’i ngjis edhe Flamurtarin, i cili nuk ka pasur ecurinë e mirë deri tani, por ka në përbërje elementët më të mirë në katër vitet e fundit. Nuk e di çfarë i ka ndodhur gjatë këtyre javëve, por mendoj se Flamurtari ka kohë për të rikuperuar dhe shfaqur si pretendent.

Kemi dy skuadra që e nisën me vrull të madh por kanë zhgënjyer deri tani, Tirana e Teuta. Si e shihni ecurinë e tyre?

Tirana duhet ta mendonte më thellë Superioren e këtij sezoni. Mos harrojmë se Kategoria e Parë (nga vjen) është modeste dhe Tirana vërtet e dominoi atë, por ka probleme dhe nuk e ka kuptuar ende që Superiorja kërkon angazhim më të madh, cilësi më shumë dhe potencë në emra e në lojë. Tiranës i duhen afrime në mbrojtje e në mesfushë. Ka një element të mirë në sulm, Blazhevskin, por nuk mjafton. Qendërmbrojtja është problematike dhe pëson gol në mënyrë të thjeshtë. Loja e Tiranës në tërësi lë për të dëshiruar dhe kjo duhet parë në dy elementë: 1-Ndërtimi i lojës nga poshtë me probleme dhe qarkullimi i topit me vështirësi. 2-Tirana është ekip 24-herë kampion, ka emrin e madh, ka qenë shumë lart dhe ajo është vazhdimisht nën presionin e tifozerisë që nuk pajtohet me këtë gjendje. Në fakt, Tiranës i mungon fryma e grupit dhe duke pasur këtë presion asaj i krijohen kontradikta. Spektatorët që ka Tirana nuk janë mësuar me këtë renditje, e shohin si poshtërim. Në këto rrethana, skuadra ka rënë në tension dhe koha po tregon se Tirana nuk ka bërë zgjedhjet e duhura. Që të rindërtojë balancat e duhura, Tiranës i duhet të bëjë ndërhyrje në momentin më të parë.

Teuta?

Kjo skuadër nuk ka gjetur ekuilibrat, që do të thotë se ky ekip ndryshon fytyrë nga një ndeshje në tjetrën. Brenda fushës shfaq cilësi, jashtë fushe shkërmoqet lehtë. Vetë grupi në prezantimin e tij është me dy fytyra. Pra Teuta s’ka qëndrueshmëri dhe për pasojë mungojnë rezultatet e duhura.

Ligji i ri për Sportin parashikon daljen e policisë nga impiantet e qëndrimi jashtë tyre. Ndeshjen duhet ta menaxhojnë klubet me stjuardë. Por dhuna tregoi se është problem tek ne që në ndeshjen e parë të sezonit. Sipas jush, a është e mundur të bëhen ndeshje pa policë në stadiumet shqiptare?

Kjo është një temë tepër delikate që përfshin edhe aktorë jashtë futbollit. Në fakt, menaxhimi i ndeshjeve me stjuardë duhet të forcohet dhe që të ndodhë kjo duhen ligje të forta për stjuardët. Unë gjykoj se ekipet në Shqipëri janë të papërgatitura dhe në ndeshjet kur ka shumë spektatorë në stadium as vetë s’kemi besim se do të organizohet si duhet. Unë kam drejtuar 14 ekipe në Shqipëri, në Tiranë e në rrethe, dhe e di mirë se sa vuajnë klubet në këtë drejtim. Në shumë qytete periferike nuk ka kushte, plus nivel i dobët emancipimi. Ne vazhdimisht do të jemi në alarm për këtë çështje dhe duhen gjetur mënyrat e duhura për të menaxhuar ndeshjet. Situata që ndodhi në Korçë ishte alarmante, sepse stjuardët ishin të papërgatitur, prandaj në dy-tre vitet e para duhet një gërshetim me policinë. I ka bota stjuardët, por atje kanë nivel të lartë përgatitjeje, kurse këtu i marrin njerëz nga rruga, ose punonjës bashkie, të cilëve u veshin nga një uniformë. S’bëhet kështu, stjuardët kërkojnë përgatitje specifike për këto raste. Përjashto dy-tre qytete që kanë tradita të mira, në rrethe situata bëhet dramatike. Prandaj them që kjo gjë duhet parë më mirë, me ide, forca të reja, përgatitje etj.

Nëse i vëmë një notë kampionatit për këto shtatë javë të luajtura, si e vlerësoni?

Në Superiore aktualisht nuk ka dominancë dhe duke mos pasur dallime mund të kemi edhe surpriza. Ku ka cilësi sportive ka dhe fryte, por mua më shqetëson mosha mesatare e lojtarëve, që është relativisht e madhe. Nga ana tjetër, elementët cilësorë janë me pikatore, ndërsa akademitë e klubeve kërkojnë punë shumë të madhe. Dhe kjo puna e dobët me akademitë ka dy-tre dekada që vijon. Nuk po dalin lojtarë cilësorë nga klubet dhe ata pak elementë që spikasin e largohen zbulohen krejt rastësisht. E parë në këtë formë, jemi shumë larg pritshmërive. Por, ky është realiteti.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here