Mbrëmja e dytë e festivalit “Metrofest 2” solli në skenë komedinë “Makaronat e shejtanit”, që dhuroi të qeshura dhe u mirëprit në teatrin Metropol nga publiku. Komedia nga Lazër Lumezi erdhi me regji të Rexhina Mollaymerit dhe nën interpretimin e Margent Çaushi, Erion Hodo, Aleksandër Mitrollari, Xhuliano Brisku, Artan Skënderasi.
“Makaronat e shejtanit” transmetoi tek publiku tematika thelbësore aktuale. Njeriu i ditëve të sotme nuk ka uri për ushqim, por pangopshmëri për para. Drejtuar nga materializmi, nuk kuptojmë dot më se kush do të jetë fituesi i kësaj lufte të vazhdueshme, mes asaj çfarë mendojmë ne që e bën jetën tonë më të bukur dhe asaj çfarë realisht i jep kuptimin e duhur jetës sonë. Klasat shoqërore, diferencimi sipas pasurisë, ose pozitës të individit, ishin gjithashtu pjesë e pandashme e veprës ku dhe publiku në shumë raste gjeti vetveten në problematikat e përditshme. Vepra do të jetë në skenë dhe më datë 11 tetor gjithashtu dhe si pjesë e festivalit teatror “Metrofest”. Regjisorja Mollaymeri tregon se kjo komedi shqiptare tregon dhe njeriun e ditëve të sotme, i drejtuar nga materializmi. “Vepra “Makaronat e shejtanit” bart në vetvete tematika thelbësore aktuale. Njeriu i ditëve të sotme nuk ka uri për ushqim, por pangopshmëri për para. Drejtuar nga materializmi, nuk kuptojmë dot më se kush do të jetë fituesi i kësaj lufte të vazhdueshme mes asaj çfarë mendojmë ne që e bën jetën tonë më të bukur, dhe asaj çfarë realisht i jep kuptimin e duhur jetës sonë. Klasat shoqërore, diferencimi sipas pasurisë, ose pozitës të individit, janë gjithashtu pjesë e pandashme e veprës”, shprehet Mollaymeri.
Sipas saj, përtej kopracisë, problemi kryesor që shqetëson personazhet është dredhia, të punuarit pas krahëve padrejtësisht, atij që të ka dhënë punë, e rrjedhimisht mundësinë për të bërë një jetë më të mirë. Mosmirënjohja, është ves i shëmtuar. “Duke u bazuar në këto aspekte e virtyte thelbësore të njeriut e gjithë shfaqja do të ndërtohet në përpjekje për të zgjuar tek ne, ndjenja e vlera mjaft të rëndësishme, që si rrjedhojë e kohës ku jetojmë, padashur ose jo, i kemi humbur”, shton më tej regjisorja