Shqipëria drejt shembullit kroat, para ngritjes së SPAK zbresin në Tiranë ekspertët e Europol, përgatitet terreni për të luftuar krimin e korrupsionin

0
449

Shqipëria duket se po shkon drejt shembullit kroat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kroatët kanë dërguar pas hekurave me mijëra zyrtarë, përfshirë kryeministra, ministra, deputetë, kryebashkiakë, etj. Por për të arritur deri këtu, një rol të rëndësishëm pati bashkëpunimi me agjenci ndërkombëtare ligjzbatuese. Kroacia firmosi marrëveshje me Europol, Eurojust, FATF, Edmond Group, Carin, Aro, etj. Por dhe vendi ynë është në gjurmë të saj. Pak ditë më parë gazeta publikoi marrëveshjen me Eurojust, ndërsa dje në Kuvend ka shkuar një marrëveshje, ku i hapet rruga Europol-it të sjellë në Tiranë agjentë. Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin në Zbatimin e Ligjit (Europol) ka në fokus krimin e organizuar dhe terrorizmin, pasi heton krimet kur dalin përtej një shteti. Por në Kroaci, Rumani, etj., jep asistencë dhe për korrupsionin apo lidhjet e politikës me krimin. Fakti që pak javë më parë u arrit pakti me Eurojust dhe tani Europol do sjellë një agjent ndërlidhës, tregohet se po përgatitet terreni para ngritjes së SPAK.

Marrëveshja me Europol

Projektligji i dërguar në Kuvend synon ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Zbatimit të Ligjit,

për vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it, e cila është miratuar në parim me vendimin nr.403, datë 4.7.2018, të Këshillit të Ministrave, dhe është nënshkruar nga palët. Ky draft i hap rrugë Europol-it të sjellë një oficer ndërlidhës në vendin tonë. Ai do ketë askes në të dhënat e institucioneve ligjzbatuese dhe do ndihmojë këto të fundit dhe për informacione nga jashtë. Neni 3 përcakton statusin e oficerit ndërlidhës, ku parashikohet se Shqipëria, brenda territorit të saj, do t’i japë zyrtarit ndërlidhës të Europol-it të njëjtat privilegje dhe imunitete si ato të akorduara nga Shqipëria për shtetet anëtare, me gradë të krahasueshme të stafit të misioneve diplomatike të vendosura në Shqipëri. Neni 4 përcakton metodat e punës, ku parashikohet se gjatë shkëmbimit të informacionit oficeri ndërlidhës i Europol-it do të komunikojë me pikat kombëtare të kontaktit dhe me autoritetet kombëtare kompetente, siç është përcaktuar në marrëveshje ose në ndonjë entitet tjetër specifik brenda Shqipërisë, i dedikuar për këtë qëllim. Neni 5 parashikon çështjet administrative për vendosjen e zyrës së oficerit ndërlidhës në Shqipëri, si dhe parashikohet përjashtimi nga të gjitha detyrimet doganore, ndalimet dhe kufizimet në importin e eksportin në lidhje me mallrat për përdorim zyrtar.Neni 6 përcakton mënyrën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe përgjegjësive në rast konflikti. Neni 7 përcakton modalitetet për ndryshimet që mund t’i bëhen marrëveshjes. Ndërsa neni 8 përcakton modalitetet për përfundimin e marrëveshjes nga palët. Pra duket se ndërkombëtarët po bëjnë gati terrenin dhe sapo SPAK të jetë gati, pritet reprezalje.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here