Edi Rama: Nuk ka nevojë të pritet Kushtetuesja për paktin detar, ja çfarë pres nga Meta për kreun e ri të KLSH, PD jashtë binarëve

0
522

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur dje akuzave të opozitës sa i takon debateve për rastin “Xhisiela”. Në një intervistë për “Real Story” të Sokol Ballës, Rama deklaroi se drejtësia do shkojë deri në fund për të zbardhur të plotë ngjarjen. Më tej ai deklaroi se të gjithë këto janë skenarë të opozitës dhe Lulzim Bashës për të mos pësuar disfatë në zgjedhje. Rama e cilësoi Bashën si një subjekt që nuk ka më interes. Madje sipas tij, PS ka rritur mbështetjen në publik dhe nuk e ka humbur atë pavarësisht akuzave të opozitës. Kryeministri foli dhe për çështjen e paktit me Greqinë, ku deklaroi se nuk është e nevojshme të pritet Gjykata Kushtetuese, duke ju përgjigjur në këtë mënyrë presidentit Meta.

-Po nis me çështjen më të fundit që ka dominuar më shumë se një javë skenën politike? Çështja e Krujës.

Unë mund të përgjigjem vetëm me aspektin që ka të bëjë me sjelljen e institucioneve që kanë të bëjnë me këtë rast dhe nuk preferoj të hyj në këtë vorbullën e kazanit për këtë çështje. Mendoj që vajza është marrë peng për llogaritë e tregut politikë dhe mediatik. Është mbajtur peng për ditë të tëra në mënyrë brutale ndërkohë që ajo meriton vetëm drejtësi dhe drejtësinë asaj do ja japi vetëm rruga e institucioneve të drejtësisë. Të tjerat unë ja kamë lënë atyre që nuk mund të jetojnë dot pa llapur.

-Pengmarrjen e ka kryer djali i deputetit të PS, ndonëse dhe krahu tjetër bën të vetën unë them se pengmarrja ka nisur prej disa muajsh dhe atë e ka bërë i përzgjedhuri i deputetit që ju e keni zgjedhur.

Ky fjalimi jot më kujton një nga fjalimet që një nga këta anëtarët e byrosë mbajti para Mehmet Shehut edhe pse…Mos më ndërprit të lutem. Por versioni im është që duke më kërkuar ju mua llogari për djalin e deputetit, versioni im është se djali i deputetit është në burg sot e para. Unë nuk e di në jeni ju në nivelin e kronologjisë. Por ta marrim kronologjinë unë nuk do i shkoj nga 21 korriku deri në fund, por do qëndroj tek kronologjia. Dhe ajo thotë që më 21 korrik vajza shkon në komisariat në orën 17:00, në orën 21:40 ajo thirret për të dëshmuar në stacionin e policisë Fushë-Krujës, nga një oficer policie i cili vepron jo konform ligjit dhe procedurës pasi thërret dhe personin që ishte i akuzuar dhe që të nesërmen shkarkohet nga detyra ky oficer policie dhe po të nesërmen policia bën komunikatën dhe çështja i referohet prokurorisë. Që do të thotë se në këtë moment ka mbaruar roli i Policisë së Shtetit dhe gjërat kanë qenë pjesë e prokurorisë.

-Z. kryeministër kush është opinioni juaj për çështjen e Xhisielës dhe sa besoni ju tek videopërgjimi i pretenduar nga ish-oficeri i policisë?

Besoj se Partia Demokratike e ka dhunuar çështjen përpara se ta nxirrte dhe ta bënte publike. Kështu që të besosh tek ky komplot i dytë i opozitës për këtë çështje është si të besosh tek seriali i parë i “Babales”. Pra të besosh tek ky konspiracioni tjetër ose je i vetëdijshëm që i shërben verbërisht qëllimeve të një partie që e thotë me zërin e liderit të saj legjendare që: “ne Edi Ramën nuk e mundim dot me votë”. Atëherë çfarë do të thotë kjo, hajde ta bëjmë lesh e li këtë vend duke u turrur me baltë krimi, krime dhe me video-përgjime e skandale sikundër bën opozita e sotme, në mënyrë që shqiptarët do të çoroditen. Por jeni tërësisht gabim. Jemi në një vend të lirë dhe duke iu rikthyer tek çështja “Babale” di t’u them se shumë shpejt do të dalë përgjigja për Babalen e parë. Do të habiteni, madje i madh e i vogël nga përgjigjia. Do të shihni surpriza nga përgjigja, ju dhe ata, pasi unë e kam marrë vesh përgjigjen qysh 24 orë që kur doli.

-Si i përgjigjeni argumentit të opozitës që rasti Rraja imponon një ligj siç është ai për vetingun në politikë?

Opozita sot në Shqipëri është një forcë politike që ka marrë fund. E dëshpëruar, e dështuar që e pranon me gojën e liderit të saj historiko dhe legjendar që nuk fiton dot zgjedhjet. Dhe nxjerrin justifikime të kota duke thënë se nuk fitojmë dot se është krimi, është blerja e votës, etj. Dhe gjëja që unë kam kërkuar dhe kërkoj nga të gjithë ju dhe ata, sepërse nuk e ndihmoni këtë popull. Përse nuk e ndihmon këtë vend shumë thjeshtë. Ju media. Merrni more vëlla bëni sondazhe. Sondazhet nuk manipulohen. Në qoftë se zgjedhjet u manipuluakan, sondazhet nuk manipulohen. Nëse ju media, secila media bëni një sondazh dhe pyesni opinionin publik, do shikoni atë që shikoj unë çdo muaj, që shoqëria nuk është e thyer në besimin e vetë karshi neve. Ne si Parti Socialiste e pyesim opinionin publik rregullisht. Po ua them me bindje se nëse zgjedhjet mbahen sot, Partia Socialiste fiton më shumë deputetë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Dhe kush është arsyeja. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjerë, përveçse Partisë Socialiste. Ore zotëri unë ju them bëni sondazhe dhe do të shikoni dhe ndjeni atë gjë që shikoj dhe ndiej unë.

-Kryetari i opozitës tha se ju më keni gënjyer një herë për marrëveshjen, por s’do më gënjeni dy herë. A do ketë një marrëveshje të dytë me opozitën dhe nëse po, për çfarë do të jetë?

Me thënë të drejtën, besoj që do na bjerë shumë audienca nëse flasim për Lulzim Bashën dhe opozitën sepse opozita është jashtë binarëve të një politike ku të sfidon. Opozita është kthyer në një i mbytur që po përpiqet të mbysë duke përdorur format më ekstreme të mbytjes, të bajgës, të shpifjes. Askush nuk ndihmon për të vënë përpara faktet. Si e kam gënjyer unë? Ai thotë ashtu, unë nuk them ashtu. Kjo bisedë s’ka interes sepse s’ka patur asgjë tjetër përveç asaj që është bërë publike. U ngrit alibia e manipulimit për një palë zgjedhje më të qeta dhe më të qarta. Ju nuk e keni besuar që PD do të fitonte në ato zgjedhje.

-Çfarë ndodh nëse opozita kësaj radhe i qëndron bojkotit të zgjedhjeve sepse ka thënë se nuk do të kthehen nëse nuk pranohet vetingu në politikë?

Hera e parë ishte dramë për opozitën, hera e dytë do të ishte komedi pastaj. Ne jemi këtu për të bërë detyrën tonë. Debati për opozitën është shterpë dhe nuk i duhet asnjërit. Ne duhet të shfrytëzojmë intervistën dhe qeverisjen për të bërë punë për njerëzit. Do na ikë audienca.

-Si ndiheni vetëm në drejtim të qeverisë? Si e shihni ritmin e punës së kësaj qeverie?

Së pari, më mirë të fillosh një punë nga fillimi sesa të fillosh një punë që është nisur mbprasht, Ka pasur inaugurim, por jo fonde për të bërë ato punime. Ne trashëguam një kolaps të atij sistemi dhe mandati i parë ishte shumë i vështirë sepse na duhej të mos lejonim rënien në humnerë, ne kërcënoheshim të binim realisht. FNM në tha ulni rrogat dhe pensionet. Nga ana tjetër duhet të mbanim edhe premtimet tona. Nga ana tjetër ishin projektet. Rruga e Pogradecit kishte një projekt skandaloz dhe praktikisht kemi ndërtuar nga e para të gjitha gjërat. Nuk bëhen rrugët sot për nesër. Nuk kemi pasur asnjë qëllim dhe arsye që të pengojmë punimet dhe nuk ka asnjë vonesë. Vonesat në punime ndodhin kur duhet të gjejmë një financim tjetër, kur ndryshon projekti, kur ka një rrëshqitje të paparashikueshme. Kështu për Pogradecin, kështu për Tiranë-Elbasanin, kështu për Bypassin e Vlorës. Ne kemi një projekt infrastrukture që është më i madhi si program infrastrukture që ka patur ky vend dhe në fund të mandatit do të kemi një ndryshim rrënjësor. Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda mandatit, do të ketë komplet ndryshim. Programi i mirëmbajtjes është komplet ndryshe nga ç’ishte.

-Kjo si qeveri, në raport me ekonominë, veçanërisht me infrastrukturën nuk ka ende bilance.

Ne kemi paguar në mandatin e parë koston e marrëzive dhe paditurisë së qeverisë në 8 vite. Morëm një mal me borxhe dhe u detyruam të bëjmë gjithçka nga e para. Vlorë-Levan u la në mes dhe për të hyrë në Vlorë duhet të hyje nga një xhep fallso. E mban mend apo jo? Nuk ka asnjë rrugë të përfunduar, por Rruga e Kombit është e vetmja rrugë që mund të thuash se ka një pjesë të mirë, por e kemi përfunduar ne. Qeveria nuk bën rrugë, financon projekte, bën kontrata, monitoron dhe paguan. Rrugët i bëjnë kompanitë. E mbani mend ju ku ishte ky vend? E mbani mend që ne kemi marrë qeverinë edhe Berisha thoshte ju pret skenari grek sepse realisht vendi ishte drejt rrënimit. Kemi bërë ne më shumë seç kanë bërë ata. E morëm ekonominë zero, sot e kemi plus katër. Ekonomia ishte aty si rezultat i një rrumpalle dhe mania për të hapur rrugë sa më shumë pa projekte dhe pa lekë për t’i thënë popullit shikoni se ne po bëjmë rrugë. Ne do ta çojmë ekonominë shqiptare mbi pesë. Kemi marrë përsipër një gjë të tillë.

-Si ka mundësi që ju turreni me të njëjtin pasion ndaj teatrit dhe tregoheni shumë të kujdesshëm ndaj Shtëpisë me Gjethe, Bunkart, etj?

Unë besoj shumë që komunizmi dhe egërsia e thellë e komunizmit nuk mund të tregohet për fëmijët tanë nëse nuk kanë mundësinë e një eksperience fizike. Ama, kur shohin nga afër dhe prek bunkerin kupton realisht se çfarë ndodh në Shqipëri. Godina e teatrit nuk ka asnjë vlerë dhe nuk mund të jetë për teatër. Ndërtimi i teatrit të ri me standarde krejt të reja është mirë edhe për historinë edhe për të gjithë. Në tokën publike ku sot do të ndërtohet teatri do të ndërtohet vetëm teatri. Ju thoni do të ndërtoni edhe 7 kulla. Ju mund të thoni edhe 17, por ai do të jetë trualli i Teatrit kombëtar. Mbrapa Teatrit Kombëtar ka një truall privat që e zotëron të drejtën ta zotërojë kompania që ka ardhur me të drejtë. Juve nuk ju interesojnë faktet, ky është problemi.

-Më thuaj një investim serioz në Shqipëri.

Ju nuk jeni njerëz të caktoni çfarë është serioz dhe çfarë jo në Shqipëri. Për këtë gjë është hedhur baltë në mënyrë të vazhdueshme. Këta njerëz që sot janë të pasur paguajnë më shumë apo më pak taksa, janë më të shumtë apo më të paktë në numër? Bëni shpifje si një provberbë latinisht që klientët e qeverisë që marrin PPP janë të korruptuar.

-Ju keni marrë një letër nga një prej anëtarëve të komisionit ku ju kërkohet që të mos shkohet përpara me marrëveshjen sepse nuk është pozitive për vendin tonë. A është e vërtetë?

Nuk e mohoj. Kini parasysh që një grup negociator me 12 a 15 veta, nuk është e thënë të ketë konsensus nga të gjithë për gjithçka. Ajo që përbën synimin tonë dhe besoj se do të sqarohet do të jetë që ne të dalim nga kjo negociatë me një marrëveshje më të mirë se ajo e mëparshme. Kjo është sensitive dhe nuk dua të flas më tepër. Në fund do të dalim me sukses dhe do të realizohen objektivat. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ai është një opinion i Presidentit, Parlamenti është sovran në këtë pikë. Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk gjykon, por është e hapur për të depozituar çështje. Nuk krijon asnjë problem. Kushdo mund ta çojë në Kushtetuese, pasi asaj nuk i është vënë dryni. Pra nuk krijon asnjë problem në kalimin e afateve.

-A po e pengon Meta paktin?

Presidenti nuk po pengon. Presidenti nuk është pengesë, kemi pasur vazhdimisht komunikim për këtë çështje. Është i fokusuar shumë dhe i interesuar për çdo detaj që të kemi një marrëveshje sa më pozitive. Ai ka ndihmuar çështjen sepse duke kërkuar shumë ka arritur që nesër pasnesër për historinë dhe arkivat të ketë gjithçka të dokumentuar.

-Presidenti vijon të mendohet për kreun e SHISH dhe në fund të këtij viti mbaron mandati i kryetarit të KLSH.

SHISH është në funksion të plotë, s’ka asnjë problem. Zoti Meta ka të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion. KLSH është propozim i Presidentit dhe pastaj e voton Parlamenti. Unë kam shumë besim tek Presidenti që do të më ofrojnë mbase një propozim që të jetë i pranueshëm nga ana jonë. Nuk është çështja ta ketë kush ta ketë. Janë shumë gjëra që janë parë sikur i ka opozita.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here