Specialistët kundër vendimit të qeverisë për dhurimin e ikonës “Ngjallja e Llazarit”: Është pasuri kombëtare, UNESCO ta kthejë mbrapsht

    0
    579

    Me propozim të Ministrisë së Kulturës qeveria vendosi ti dhurojë një ikonë UNESCO-s nga fondi i Muzeut të Artit Mesjetar Shqiptar në Korçë, me rastin e 60 vjetorit të pranimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Vendimi për ikonën “Ringjallja e Llazarit”, ka sjellë reagimet e specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. Specialistë të ndryshëm pohojnë se veprat që janë pasuri kombëtare nuk mund të dhurohen, duke pohuar se Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë për ikonën. Sipas tyre, UNESCO nuk duhet ta pranojë këtë dhurim, që i bëhet nga pala shqiptare. Arkitekti restaurator Kliti Kallamata pohon se nuk duhet të prishet koleksioni i e ikonave. “Nga burimet tona konstatojmë se nuk kemi të bëjmë me një ikonë të fillimit të shek. 19, kur arti ikonografik ishte në degradim, por me një ikonë të shek. 18, dhe për më tepër përfaqësuese të artit cilësor dhe mjeshtëror të ikonografisë sonë në këtë periudhë të ndritur të saj. Ikona e përzgjedhur është vepër e një prej mjeshtrave më të mirë të shek. 18 Konstandinit nga Korça, i mbiquajtur “Zografi”. A është e nevojshme që për një eveniment të tillë, për te cilin kjo qeveri nuk ka asnjë meritë dhe asnjë detyrim moral e ligjor, të prishë koleksionin e vyer e të rrallë të ikonave që zotëron Shqipëria nga dora e njërit prej piktorëve më të famshëm të shekullit 18 në Ballkan?”, pohon Kallamata. Duke shtruar pyetjen se çfarë fiton vendi ynë me këtë dhurim, sipas tij po UNESCO ku do ta mbajë këtë ikonë. “Çfarë fiton Shqipëria? Çfarë humbet? Kush fiton më tepër? Kush përfiton nga kjo? Nga ana tjetër shtrohen pyetje të tjera, si: ku do ta mbajë UNESCO këtë ikonë? Në cilën zyrë të UNESCO-s do të dhurohet, apo ekspozohet ikona? Në zyrat qendrore të UNESCO-s në ndërtesën e OKB në New York? Në zyrat e UNESCO-s në Paris? Apo në zyrat e UNESCO-s në Venecia, ku flitet se do të fillojë punë një ministre? Pse duhet që shteti i vogël shqiptar të bëjë dhurata kaq të shtrenjta, që më shumë dëmtojnë pasurinë e tij kulturore, se sa përfiton. Si rregull i përgjithshëm në diplomaci, të shpërdorosh pasurinë tënde kulturore duke e falur perceptohet si një gjest vulgar?”, vijon më tej arkitekti dhe restauratori Kliti Kallamata.

    Nuk po kuptojnë vlerat e trashëgimisë

    Por arkitektit Kliti Kallamta, nëse qeveria shqiptare nuk kupton vlerat, edhe nga UNESCO kjo dhuratë nuk duhet pranuar. “Në se qeveria shqiptare nuk arrin të kuptojë vlerat që ajo trashëgon dhe që është e ngarkuar ti ruajë, është në nderin e UNESCO-s që këto dhurata të mos i pranojë dhe të gjejë format për ti kthyer përsëri në strehën e tyre”, nënvizon arkitekti Kallamata, duke shtuar se është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës që të ruajë veprat e trashëgimisë. Me të njëjtin mendim janë dhe specialistët e tjerë, të cilët kundërshtojnë dhurimin e ikonës. Arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj pohon se nuk mund të falen objektet pasuri kombëtare. “Nuk mund të falen pasuritë kombëtare. Ikona duhet të vendoset tek kisha, ku ka qenë. Pasuritë kombëtare janë të vendit, ku janë gjetur. Normalisht UNESCO nuk duhet ta pranojë një gjë të tillë”, shprehet Miraj. Inxhinieri dhe restauratori Pavlo Shkarpa njëkohësisht dhe drejtues në shoqatën “Antipatrea” pohon se kjo që po ndodh me ikonën është turp. “Ikona është vlerë e trashëgimisë së një populli. Ministria e Kulturës për mua ka vepruar shumë gabim. Kush je ti ministre, që e bën këtë propozim? Pse je ministre Kulture dhe të marrësh e të çosh një vepër me vlera në UNESCO? Për mua ajo duhet të kthehet, nuk ka kuptim kjo që po bëjnë. Kanë qenë ministra Kulture dhe para saj, por pse duhet që kjo të marri një ikonë dhe ta çojë në UNESCO? Përse e çon? Për hir të kujt?”, pohon Shkarpa. Sipas tij, kjo mund të bëhet nëse janë kopje, por jo veprat origjinale. “Nuk janë ikonat fond personal, por janë të qytetit, dhe të marrësh një ikonë pse je ministre Kulture me autoritetin që ke mua më duket e papranueshme. Nëse do të ishte një kopje, një imitacion i saj jam dakord sepse shteti bën politikën, por nëse është origjinale kjo nuk duhet bërë”, vijon në reagimin e tij inxhinieri dhe restauratori Shkarpa.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here