Komisioni i Prokurimeve Publike pezullon koncesionin e pompave të karburanteve

0
572

Komisioni i Prokurimeve Publike (KPP) ka pezulluar tenderin, që ka në objekt dhënien me koncesion te privati të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve, shërbim që sot kryhet nga institucionet shtetërore.

Sipas burimeve të ‘Monitor’, bëhet fjalë vetëm për pezullim dhe jo për anulim të tij, teksa ai është kthyer për më shumë informacion te Ministria e Financave, i cili është autoriteti kontraktues. Financat janë urdhëruar nga KPP që të mos kryejnë asnjë veprim deri sa të japë info për domosdoshmërinë e këtij shërbimi.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në datën 18 shtator, ka hapur garën për një koncesion 20-vjeçar që lidhet me kontrollin e matësve të karburantit dhe gazit në të gjithë territorin e vendit, konkretisht TENDERIT TË PROCEDURËS SË HAPUR “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”

Aktualisht, lidhur me koncesionin e kontrollit të pompave ka një ofertë të pakërkuar nga shoqëria “Noa Contol” e cila është shpërblyer me një bonus 10% të pikëve në një vendimi të veçantë nga qeveria.

Tregtuesit e kanë shprehur shqetësimin për koncesionin ende në procedurë prokurimi duke argumentuar se ai bie ndesh me ligjin “Për metrologjinë” nga njëra anë dhe se mënyra sesi është bërë pikëzimi nuk favorizon ata që do të ofrojnë çmim më të ulët për shërbimin pasi ky kriter nuk është përfshirë.

Një tjetër ankesë ka ardhur në Komisionin e Prokurimeve Publike nga zviceranët e Penzoil Trading SA. Ata pretendojnë se kushtet për tenderin shfaqnin diskriminim për kompanitë e interesuara sidomos për ato ndërkombëtare. Në bazë të kësaj ata kanë kërkuar që autoritetet kompetente (Komisioni i Prokurimit Publik) të vendoste tenderin në baza më të barabarta.

Ankesa e Impetus: Këtu nuk ka garë, procedura e paligjshme

Shoqata Impetus, që mbron të drejtat e shoqërive të tregtimit të hidrokarbureve, është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik dhe në Ministrinë e Financave lidhur me këtë tender. Sipas Shoqatës, dhënia e bonusit prej 10% për propozimin e pakërkuar është e paligjshme. Edhe vetë koncesioni është i paligjshëm, pasi në të drejtën ekskluzive për të operuar në këtë fushë e ka vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe s’mund t’i jepet operatorëve të tretë. Shoqata ka kërkuar nga Autoriteti Kontraktues të anulohet kjo garë dhe të ndërpritet rruga e dhënies se këtij koncesioni dhe kjo praktike t’i nënshtrohet një diskutimi paraprak më të gjitha grupet e interesit.

Më poshtë ankesa e plotë:

Pasi analizuam më ekspertët tanë praktikën e ndjekur për procedurën e ndjekur konstatojmë një sërë veprimesh çka lënë vend për dyshim se në këtë praktikë fituesi është paracaktuar dhe në fund do rezultojë një praktikë më kosto për qytetarët.

Konstatimet tona qëndrojnë si vijojnë:

Propozimi i pa kërkuar për të cilën garuesi ka marrë një bonus prej 10% është paraqitur pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe konkretisht znj. Milva Ekonomi, Ministre, në datë 9.12.2016 më Nr. Prot 9666 dhe vetëm më datë 20.06.2018 VKM Nr. 365 më Propozues tashmë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë fiks më të njëjtin material pranohet Propozimi i pakërkuar duke i miratuar bonusin 10% në procedurën konkurruese garuesit çka na bën të dyshojmë për një vendim jo transparent dhe klientelist pas afro 2 vjetësh nga Propozimi. Pasi ky Propozim i Pakërkuar nuk duhej pranuar dhe për rrjedhojë nuk duhej dhënë bonusi prej 10% të pikëve pasi Propozimi i Pakërkuar duhet dhënë vetëm për një nga fushat e përcaktuara në Nenin 4 të Ligjit Nr. 88/2014 datë 17.7.2014 ku në asnjë nga këto fusha nuk përfshihet sektori i kolaudimit dhe kontrollit të aparateve matëse në fushën e hidrokarbureve.

Për sa më lart, dhënia e bonusit prej 10% për subjektin që ka bërë Propozimin e pakërkuar bie ndesh më ligjin dhe cenon konkurrencën pasi ky Propozim nuk përbën një risi pasi ky shërbim më standarde shumë më të larta se ai i Propozuesit ekziston dhe kryhet më së miri nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM).

Theksojmë se dhënia më koncesion e këtij shërbimi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek mbrojtja e konsumatorit nga matjet e pasakta si dhe subjektet që operojnë në fushën e tregtimit më pakicë të hidrokarbureve, pasi vetë subjekti privat që do ngarkohet për kontrollin dhe kolaudimin do të paguhet nga vetë subjektet që do t’i mundësojnë këtë shërbim.

Fituesi sipas nesh i paracaktuar referuar dokumenteve të publikuara të tenderit nuk garon aspak për tarifën e kryerjes se këtij shërbimi çka lë rrugë të hapur për rritje të çmimeve për këtë shërbim që do të thotë rritje e çmimit të karburanteve në dëm të interesave të konsumatorëve. Mendojmë se tarifa e shërbimit tavan duhet të ishte specifikimi kryesor për zgjedhjen fitues të operatorëve pjesëmarrës nëse do të ishte sipas nesh një konkurrim për interesa të publikut.

Ne fakt gara është fiktive pasi kushtet e vendosura janë përjashtuese për gjithë operatorët e tjerë dhe konkretisht në propozimin e pakërkuar i vihet shumë theksi futja e standardeve të BE-së në këtë fushë kurse në fakt kompanitë europiane me përvojë në këtë fushë përjashtohen nga gara pasi:

  • Në Shtojcën 8 2.KRITERET E VEXCANTA të KUALIFIKIMIT Pika 2.3 Nënpika 2 kërkohet akreditimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit duke mos njohur dhe duke pranuar Akreditime nga Organizma Europian që njihen jo vetëm në Europë po në të gjithë botën.

Theksojmë se në Shqipëri është në fuqi Ligji 9875 datë 18.2.2008 “Për metrologjinë” i ndryshuar nëpërmjet të cilit funksionon dhe organizohet DPM. Për sa më sipër VKM Nr. 365 datë 20.06.2018 ka dalë në kundërshtim me Ligjin 9875, datë 18.2.2008 Neni 8, Neni 40 e në vijim të drejtën ekskluzive për të operuar në këtë fushë e ka vetëm DPM dhe s’mund t’i jepet operatorëve të tretë.

Kërkojmë nga Autoriteti Kontraktues të anulohet kjo gare dhe të ndërpritet rruga e dhënies së këtij koncesioni dhe kjo praktikë t’i nënshtrohet një diskutimi paraprak me të gjitha grupet e interesit ku së pari Autoriteti Kontraktues të argumentojë emergjencën për shkeljen e ligjit, nevojën e dhënies dhe përmirësimet e këtij koncesioni, pasi deri më sot na është thënë që në mungese të fondeve që qeveria të financojë nevojat korrente nëpërmjet koncesionit aktivizon kapitalet e privatit. Në këtë rast jemi para faktit që Qeveria i ka harxhuar në vite fondet e nevojshme për të ngritur këtë shërbim, ka punonjës të kualifikuar ndër vite, eksperiencë disavjeçare në këtë fushë dhe tani Propozohet që të gjitha sa janë bërë deri sot t’i braktisë dhe këtë shërbim t’ia japë privatit ku ai vetë thotë do investojë 60.000.000 Lekë, një shumë kjo e papërfillshme.

Nga të dhënat tona na rezulton se DPM të ardhurat kryesore me të cilat realizohet edhe aktiviteti i saj vijnë nga ky sektor dhe nuk e kuptojmë pse ky zë i duhet hequr buxhetit dhe të zëvendësohet me një fee minimale koncesionare.

Dhënia më koncesion e këtij shërbimi kompanisë së paracaktuar, e cila dhe nga ISHTI ka marrë të drejtën për të kryer shërbimin e dhënies së Vërtetimit Teknik për Depozitat e Karburantit, dhe referuar dokumenteve të tenderit Operatorit i jepet e drejta, që përveç verifikimit të pistoletave të vendosë dhe Gjoba dhe të kryhej riparimi tek këto subjekte. Këto të fundit, në konflikt interesi dhe haptazi në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here