Brukseli paralajmëron Italinë për buxhetin: Do përfundoni si Greqia

0
484

Kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker ka paralajmëruar dje Italinë mbi rrezikun e manovrave ekonomike të sapo aprovuara nga qeveria Conte, me të cilat shtohen shpenzimet e mbështetjes sociale, rrogave e pensioneve, duke thënë se largimet nga bilanci i përbashkët i bllokut dëmtojnë seriozisht panoramën e saj ekonomike. “Me këtë reformë rrezikohet fundi i euros në Itali. Italia po largohet nga objektivi i bilancit i aprovuar bashkarisht në nivel europian e  do të pësojë fatin e Greqisë. Nuk dëshiroj që pasi kemi kapërcyer krizën greke të kemi një tjetër krizë. Prandaj Italia nuk duhet të pretendojë një trajtim special e shtesë nga Europa pasi kjo do të thotë fundi i euros”, ka deklaruar Jean Claude Juncker. Komente të ngjashme ishin bërë dhe një ditë më parë nga zyrtarë të tjerë të lartë të Brukselit, por nuk ka shumë gjasa që ato të merren parasysh nga qeveria e re e djathtë e Romës, e cila justifikohet se me premtime të tilla ka ardhur në pushtet.

Salvini: Brukseli të bëjë kujdes me komentet

Ndaj deklaratës së Juncker ka reaguar shpejt zëvendëskryeministri e ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini, i cili tha se kritikat e Bashkimit Evropian për buxhetin e ri të Italisë po rrisnin artificialisht kostot e huamarrjes së vendit prandaj qeveria mund të kërkojë dëmshpërblim financiar. “Në Itali, tha ai, nuk pinë ujë kërcënimet e Juncker, që sot krahason vendin tonë me Greqinë, Detyra e qeverisë është t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve të drejtës për punë, siguri, shëndet e ne nuk do të ndalemi”, tha ai. Ndërkohë përqindja e fitimit nga bondet italiane është rritur ndejshëm javën e shkuar që kur qeveria e Romës ngriti limitin e deficitit të vendit për tre vitet e ardhshme, që solli kritika nga kreu i KE Jean-Claude Juncker dhe zyrtarë të tjerë të Brukselit. “Fjalët dhe kërcënimet e Juncker dhe burokratëve të tjerë të BE po vazhdojnë të rrisin diferencat mes bondeve italiane dhe ekuivalentëve gjermanë. Ne do të jemi të gatshëm të kërkojmë dëmshpërblim nga ata që kërkojnë të dëmtojnë Italinë”, tha Salvini në një deklaratë.

Kryeministria: Ekonomia italiane është e fortë

Një reagim erdhi gjithashtu nga kryeministria italiane e cila me një komunikim për mediat deklaroi: “Italia ka një ekonomi të fortë e të qëndrueshme dhe reforma ekonomike e aprovuar në këshillin e ministrave është një manovër serioze, e menduar mirë, me qëllim zhvillimin ekonomik me reforma strukturore. Qeveria është fryt i votës demokratike të popullit dhe ajo është e impenjuar të vazhdoj me këmbëngulje në këtë drejtim”. Ndaj kësaj përplasje mes Romës dhe Brukseli është shprehur dhe komisioneri i lartë evropian për Ekonominë Pierre Moscovici ka deklaruar se detyra e Komisionit Evropian është të bindë Italinë për të bërë një hap pas. Vetëm pak ditë më parë ekzekutivi i Conte miratoi dekret ligjin mbi bilancin e 3 viteve të ardhshme ku raporti borxh publik/ PPB është ndryshuar në 2.4%. Nga 1.6% që është limiti i koeficientit të vendosur nga Komisioni Evropian. Por megjithë tërbimin e Brukselit, buxheti i ri u brohorit nga publiku italian për rritjen e shpenzimeve të mirëqenies sociale dhe të pavarësisë nga Brukseli. Tashmë ky dekret ligj pritet të firmoset nga Presidenti Mattarella për t’u çuar më pas për aprovim në Parlamentin Italian./Andi LAMKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here