Bankat vijojnë të shtrëngojnë kushtet e kreditimit për bizneset e mëdha. Pavarësisht apelit të ripërsëritur nga ndërkombëtarët apo dhe guvernatori i BSH për rritje të kreditimit karshi bizneseve apo dhe individëve në përgjithësi, bankat po tregohen prej kohësh shumë të rezervuara ndaj këtij procesi. Këtë e tregojnë dhe të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë në një studim për 6 mujorin e parë të 2018, ku bankat vërehet të kenë reduktuar ndjeshëm huadhënien veçanërisht për biznesin e madh.
Kredia për biznesin e madh
Sipas raportimit nga BSH, gjatë 3 mujorit të dytë, kredia për biznese ka shfaqur norma rritjeje më të ulëta se në tremujorin e parë. Bankat raportojnë së kërkesa nga bizneset ka qenë më e lartë, por ndërkohë ato kanë shtrënguar standardet e kreditimit për korporatat. “Kërkesa e bizneseve për kredi ka ardhur në rritje, ndërkohë bankat shprehen se kanë shtrënguar standardet e kreditimit për biznesin e madh dhe i kanë lënë të pandryshuara për biznesin e vogël dhe të mesëm. Kostot e kredisë kanë qenë përgjithësisht në kahun lehtësues, ndërsa dhe kushtet e tjera joçmim kanë mbetur të pandryshuara. Për tremujorin e tretë të vitit 2018, bankat presin që standardet e kredisë për biznese, ashtu si dhe kërkesa për kredi, të mbeten në nivelet aktuale”, raporton BSH.
Kredia për biznese
Kredia për biznese është rritur me 3.5% në tremujorin e dytë, ose 0.6 pikë përqindje më pak se në tremujorin paraardhës. Sipas BSH, ky ngadalësim ka reflektu ar më së shumti efektin e bazës krahasuese me një vit më parë, kur kjo kredi u rrit ndjeshëm, veçanërisht në muajin qershor. Rritja tremujore e kredisë për biznese prej 0.8% ishte e njëjtë me atë të tremujorit të parë, por në ndryshim nga ky tremujor, kjo rritje ishte e gjitha në valutë. “Raporti i kredisë për biznese ndaj PBB-së shënoi 23.4% në tremujorin e dytë të vitit 2018, ose 0.8 pikë përqindje më pak se në tremujorin e parë. Reduktimi i këtij raporti konfirmon ecurinë e dobët dhe të luhatshme të kredisë për biznese. Dobësia e aktivitetit kreditues për biznese ka reflektuar politikat shtrënguese të bankave, për biznesin e madh, dhe rritje të ngadaltë të kërkesës së bizneseve për financim nga bankat, të ndikuar edhe nga përmirësimi i likuiditetit të tyre”, thekson studimi i BSH.
Kreditimi sipas monedhës
BSH raporton se sipas monedhave, teprica e kredisë në lekë për biznese ka mbetur e pandryshuar nga fundi i tremujorit të parë, duke përcaktuar ngadalësim të ritmeve të rritjes së këtij portofoli në 1%, përkundrejt 4% të shënuar në muajin mars. Krahas mungesës së flukseve të reja në këtë tremujor, kjo ecuri është ndikuar edhe nga efekti bazë i rritjes së lartë të këtij portofoli një vit më parë. Një ecuri të ndryshme ka shfaqur kreditimi në valutë i bizneseve, i cili shënoi përmirësim të ritmeve të rritjes në 4.5% vmv, përkundrejt 3.7% të shënuar në muajin mars. Zhvillimet në tremujorin e dytë konfirmojnë preferencën e bizneseve për kreditimin në valutë, e lidhur kjo edhe me sektorin ku vepron biznesi, që në këtë tremujor ishte kryesisht sektori i tregtisë. Gjatë tremujorit të dytë, ngadalësimi i normave të rritjes së kredisë për biznese ka reflektuar normat më të ulëta të rritjes vjetore të kredisë për investime, e cila u rrit me mesatarisht 4.3%, përkundrejt rritjes prej 4.9% që shënonte në tremujorin e parë. Të njëjtën tendencë ka shfaqur edhe kredia për likuiditete, e cila shfaqi një rritje vjetore mesatare prej 2.6%, përkundrejt 3.9% të shënuar në tremujorin e parë. Shpërndarja e kredisë sipas sektorëve të ekonomisë tregon se bankat kanë rritur financimin për bizneset që veprojnë në sektorin e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve, dhe më pak në sektorin e ndërtimit, në tremujorin e dytë të vitit 2018. Ndërkohë, kredia për sektorin e industrisë ka mbetur në të njëjtin nivel si në fund të tremujorit të parë.