ONM i gjeti dënimin e fshehur në Itali, KPK zbardh vendimin e plotë për gjyqtarin Admir Thanza

0
364

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi ditën e djeshme vendimin e plotë për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Ai u shkarkua pak kohë më parë nga KPK, ndërsa dje ky organ ka zbuluar edhe faktet tek të cilët është mbështetur për këtë vendim. Sipas KPK, Thanza ka probleme me integritetin e figurës. Ai ka qenë i dënuar në Itali, dënim të cilin e ka fshehur, por e konstatoi ONM. “Përgjatë hetimit të kryer, Komisioni administroi dokumente në lidhje me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të bashkëngjitura me një shkresë përcjellëse të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, nga ku rezultonte se: “Z. Admir S. Thanza, i datëlindjes 18.09.1969, lindur në Shkodër, ka qenë i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, në Pisa të Italisë, në datën 21.06.1999, me 40 ditë burg dhe 100.000 lireta gjobë, për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë. Gjykata e sipërpërmendur ka caktuar pezullim me kusht të ekzekutimit të vendimit në fjalë. Ky vendim ka marrë formë të prerë””, thuhet në vendim. Po ashtu, Admir Thanzës i janë gjetur probleme edhe me plotësimin e formularit të DSIK, sipas së cilit subjekti i rivlerësimit ka pasur kontakte të papërshtatshme, të cilat nuk i ka deklaruar. “Në përfundim, trupi gjykues, pasi shqyrtoi dokumentacionin e dorëzuar prej subjektit të rivlerësimit, i) deklaratën për kontrollin e figurës; ii) raportin e DSIK-së, si dhe iii) zhvilloi një hetim të thelluar kryesisht, bazuar në parimin e transparencës, procesit të rregullt ligjor, eficiencës,barazisë së palëve në procesin gjyqësor, në lidhje me rubrikën e vlerësimit të figurës, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi. Nga analiza e të dhënave rezultoi që subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe mund të vihet nën presion nga persona të përfshirë në krimin e organizuar, si rrjedhojë konkludohet se ai është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, thuhet në vendim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here