Zbardhet raporti për demokracinë e partive, po identifikohen vetëm përmes liderëve, fshehin vendimet

0
454

Instituti i Studimeve Politike ka publikuar ditën e djeshme raportin e monitorimit të demokracisë së brendshme të partive politike shqiptare, për periudhën Mars-Maj 2016. Më konkretisht në raport, ISP ngre shqetësimin se partitë politike po identifikohen gjithnjë e më shumë vetëm përmes liderëve dhe sipas tij, nuk zbardhet roli për secilin anëtar që militon në tre partitë siç janë PS, PD dhe LSI.

“Në partitë kryesore (PS, PD, LSI) dominojnë njoftimet zyrtare mbi aktivitetet dhe deklarimet publike të kryetarit dhe stafit drejtues, por mungojnë përditësimet mbi zgjedhjet e brendshme partiake, të dhënat mbi strukturat drejtuese, mbi mbledhjet e kryesisë apo Asamblesë/Këshillit Kombëtar, si dhe mungojnë tërësisht mendimet kritike që shfaqen nga individ apo fraksione në parti, edhe kur këto të fundit janë headline në median e shkruar dhe vizive. Partitë po identifikohen gjithnjë e më shumë me emrin e liderit politik dhe ky tipar negativ, reflekton edhe natyrën disproporcionale midis lajmeve që prodhojnë partitë mbi kryetarin dhe lajmit mbi pjesën tjetër të partisë”, thuhet në raport. Më tej në raport thuhet se partitë nuk janë transparente për publikun.

“Vetë partitë janë promovuese dhe monitoruese aktive të ligjit mbi të drejtën e informimit, por brenda atyre, ato nuk kanë përmbushur as standardet minimale të zbatimit të tij. Partitë janë të mbyllura për publikun dhe refuzojnë transparencën dhe llogaridhënien publike. Legjislacioni shqiptar mbi partitë politike është i paplotë dhe konfuz. Nga monitorimi i kryer nga ISP vetëm 12 nga 126 partitë politike të regjistruara në gjykatë kanë raportuar periodikisht ndryshmet që kërkohen nga ligji. Pjesa tjetër e partive e ka injoruar detyrimin ligjor, disa parti politike figurojnë ende aktive me drejtues të cilët as nuk jetojnë më. Fiktiviteti i partive politike pranohet edhe nga KQZ, organ i cili në raportin vjetor 2015 thekson se nga 118 parti politike të cilat duhet të auditoheshin, 71 parti politike nuk u arrit të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël të kontraktuar nga Komisioni”, thuhet në raportin e Institutit të Studimeve Politike.

Është hera e parë që bëhet ky monitorim dhe do të vijojë çdo 3 muaj. Monitorimi mbështetet nga fondacionet politike gjermane FES dhe KAS.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here