Vettingu, KPK shkarkon nga detyra prokurorin Bujar Hoti

0
736

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit në Durrës, Bujar Hoti.

Pas hetimit të KPK-së, i cili është zhvilluar në tre shtylla, deklarimi pasuror, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës, është vendosur se “Prokurori Hoti nuk kalon sittën e vettingut).

Prokurori Bujar Hoti është kandidat për Këshillin e Lartë të prokurorisë, por KPK vendosu shkarkimin e tij nga detyra.

PASURIA
Prokurori Bujar Hoti ka një karrierë të gjatë si prokuror dhe përgjatë një dekade ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Durrës. Në vitin 2013, ai u shkarkua nga detyra si drejtues dhe e kundërshtoi vendimin në gjykatë. Megjithatë, prej vitit 2013 ai ushtron detyrën si prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Bujar Hoti nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Bujar Hoti zotëronte një pasuri familjare me vlerë 810 mijë lekë në vitin 2003, e cila përbëhej nga një apartament i përfituar përmes privatizimit, një sipërfaqe toke bujqësore e falur nga prindërit dhe një makinë “Mitsubishi”.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Hoti është rritur me 31 herë, duke kapur vlerën e 24.8 milionë lekëve.

Investimet kryesore të familjes Hoti janë përqendruar në tregun e pasurive të paluajtshme. Referuar deklaratave të tij periodike, ai zotëron familjarisht 3 apartamente banimi me një vlerë totale që përllogaritet në 23.8 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu automjete në vlerën e 930 mijë lekëve dhe një armë gjahu të blerë për 80 mijë lekë.

Të ardhurat kryesore në familjen Hoti rrjedhin nga aktiviteti i bashkëshortes si notere në masën 69 për qind. Gjatë periudhës deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare kapin vlerën e 71.4 milionë lekëve, ku paga e prokurorit Hoti nga funksioni zë vetëm 31 për qind të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative.

BIRN identifikon megjithatë disa “flamuj të kuq” në analizën e pasurisë së prokurorit Bujar Hoti, të cilat lidhen me normën e lartë të kredive bankare të marra nga ai dhe bashkëshortja e tij si dhe transaksionet e kryera me automjetet.

Më konkretisht, familja Hoti ka përdorur sistemin e kredive bankare për të financuar blerjen e pasurive të paluajtshme. Gjatë periudhës deklaruese, subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshortja e tij kanë marrë në total 40.5 milionë lekë kredi.

BIRN gjeti gjithashtu se një makinë e shitur në vitin 2007 nuk rezulton në deklarimet e mëparshme të pasurisë, ndërsa blerja me leasing e një makine në vitin 2012 nga bashkëshortja e zotit Hoti nuk pasohet nga deklarimi i pagesës së kësteve deri në kohën e shitjes së kësaj makine.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here