Zbardhet raporti i PS,19 krerë te bashkive rrezikojnë të mos rikandidohen, 44 kryetarë degësh drejt shkarkimit

    0
    500

    Plot 19 krerë baskish rrezikojnë të mos rikandidohen nga kryeministri Edi Rama në zgjedhjet vendore të 2019. Gazeta ka siguruar raportin e PS të diskutuar në Asamble ditën e premte, ku jepet një panoramë e punës së secilit kryebashkiak. Raporti në fjalë, specifikon disa kritere mbi të cilat është bërë vlerësimi i kryebashkiakëve të PS. Sipas raportit vlerësimi mbi kryebashkiakët është bërë sa i takon kriterit: të numrit të punonjësve në administratë; të ardhurave të bashkisë; të ardhurave të mbledhura për numër banorësh; ecurisë së investimeve me të ardhurat e siguruara nga vetë bashkitë; rritja e furnizimit me ujë të pijshëm; ecurinë e detyrimeve të prapambetura; si dhe mbi ecurinë e tokave të mbjella me sipërfaqe bujqësore. Por duke u bazuar në këto kritere jo të gjitha bashkitë e PS kanë një performancë të mirë. Sipas raportit, bashkia që ka plotësuar katër kritere dhe që ka performancën më të mirë është ajo e Malësisë së Madhe. Ndërsa Bashkia e dytë më e mirë renditet ajo e Tiranës. Sakaq, bashkitë Librazhd, Durrës, Pukë, Himarë dhe Vlorë, Elbasan renditen të tretat me nga dy kritere të plotësuara. Kurse me një kriter të plotësuar, renditet bashkia, Belsh, Konispol, Lushnjë, Poliçan, Roskovec, Shijak dhe Ura Vajgurore. Por nga 35 bashki që ka në zotërim PS, vetëm 16 kanë arritur të plotësojnë kriteret e vendosura nga qeveria. Ç’ka do të thotë se pjesa tjetër e 19 kryebashkiakëve të PS, rrezikojnë të mos rikandidohen në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Kjo për faktin se dhe vetë kryeministri Rama dy ditë më parë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura pas Asamblesë, u shpreh se ata kryebashkiakë që nuk kanë plotësuar kriteret nuk do të kenë mundësi të kandidohen nga PS. Por cilat janë 19 bashkitë që u rrezikohet vendi kryebashkiakëve socialist? Sipas raportit bashkitë që nuk kanë plotësuar asnjë kriter, janë Bashkia Tepelenë, Sarandë, Maliq, Divjakë, Gramsh, Konispol, Mirditë, Fushë-Arëz, Libohovë, Kolonjë, Has, Pustec, Këlcyrë, Kurbin, Finiq, Memaliaj, Patos, Kuçovë dhe Krujë. Pra të gjithë kryebashkiakët e këtyre njësive vendore me shumë gjasa nuk do të rikandidojnë në zgjedhjet e ardhshme pasi nuk kanë plotësuar asnjë kriter të vendosur nga qeveria.

    44 kryetarë degësh drejt shkarkimit

    Por në përfundim të turit të llogaridhënies, në raportin e Partisë Socialiste, krahas rrezikimit të rikandidimit për 20 kryebashkiakë, specifikohet se dhe 44 krerë degësh rrezikojnë të shkarkohen. Sipas raportit të prezantuar në Asamble, vetëm në 17 bashki ka pasur një punë të kujdesshme të strukturave vendore. “Në bashkitë: Lezhë, Mirditë, Kurbin, Klos, Bulqizë, Vorë, Belsh, Librazhd, Divjakë, Pogradec, Kolonjë, Memaliaj, Fier, Divjakë, Himarë, Sarandë e Vlorë, sipas të dhënave nga kryetarët e PS të bashkive, rezulton se ka pasur një pjesëmarrje më të mirë, gjë që flet për një punë të kujdesshme të strukturave vendore të Partisë”, thuhet në raport. Ndërkohë në 44 njësitë vendore të tjera, nuk ka pasur një punë të mirë nga strukturat. Dhe më konkretisht në 7 degë të PS në njësitë vendore, puna e krerëve të degëve ka qenë katastrofale gjatë turit të llogaridhënies. “Në disa bashki pjesëmarrja ishte e ulët, gjë që flet për punën e pamjaftueshme përgatitore nga strukturat vendore të partisë për të ngjallur interes tek banorët për të ndjekur këto takime, për t’i vlerësuar të dobishme për zhvillim e ndryshim në territoret e komunitetet në bashkitë e tyre. Kështu, vërehet në bashkitë: Pustec 50 vetë, Përmet 80 vetë, Këlcyrë 190 vetë, Shijak 250 vetë, Krujë 300 vetë, Kavajë 320 vetë, Delvinë 350 vetë, etj”, thuhet në raport. Në Asamble u vendos që të ketë sërish zgjedhje në degë dhe 44 emrat me performancë më të dobët janë më të rrezikuarit.

    Endri Arizi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here