Vetingu në politikë, Spartak Ngjela: Skenar i Berishës për t’i shpëtuar FBI, skanimi i politikanëve do bëhet nga SPAK dhe Byroja e Hetimit

0
668

Propozimi i opozitës për të nisur një proces vetingu edhe në politikë ngjalli shumë reagime. Mazhoranca qeverisëse e mbështeti kreun e PD, Lulzim Basha në këtë nismë, por nuk ishin të paktë zërat që e komentuan si një lëvizje për t’i shpëtuar hetimit nga organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen së shpejti, Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Midis këtyre zërave bën pjesë edhe avokati Spartak Ngjela, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” deklaroi se ky propozim vjen sepse politikanët tanë janë të shqetësuar. Ngjela deklaroi se ndërkombëtarët dhe FBI i kanë tashmë të skeduar të gjithë të korruptuarit dhe për këtë ai e cilësoi propozimin e Partisë Demokratike si një skenar të ish-kryeministrit Sali Berisha për të shpëtuar nga “rrjeta”. “Ata janë të shqetësuar. Në Shqipëri është FBI që i ka hetuar dhe i ka skeduar të gjithë. Këta që të gjithë janë të skeduar ndërkombëtarisht. Atëherë pyetja është: Pse nuk bën thirrje Sali Berisha të ngremë Byronë Kombëtare të Hetimit? Për çfarë vetingu bëhet fjalë? Gënjeshtra. Pra, do ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit? Sigurisht që do të ngrihet. Pse do të ngrihet? Sepse e kemi në Kushtetutë. Politika amerikane, antikorrupsioni shqiptar dhe FBI për pastrimin e plehrave kanë marrë Kushtetutën shqiptare, nuk ka më asnjë shpëtim”, u shpreh kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi. Spartak Ngjela u shpreh i prerë se vetingun në politikë do të mund ta bëjnë SPAK dhe Byroja e Hetimit, duke lënë të nënkuptohet që drafti opozitar është i pavlerë. Në vijim të reagimit të tij, Spartak Ngjela shtoi se shtresa e korruptuar e vendit tonë po bën përpjekjet e fundit për të shpëtuar, por theksoi se çdo tentativë është e kotë. “Tani këta të gjithë janë të trembur, kishin shpresë tek Moska, akoma atje e kanë shpresën, por janë të humbur sepse asgjë nuk bëjnë dot. Duhet të kemi parasysh diçka se në funksion të politikës globale, Amerika dhe politika e saj nuk mund të pranojë dot njerëz të korruptuar, të cilët nuk dihet se ku shkojnë. Këta janë të dyshimtë, janë edhe të korruptuar, edhe të dyshimtë. Kështu që janë të humbur. Lodhen kot. Vetingun në politikë e bën Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK”, deklaroi avokati Spartak Ngjela.

Propozimi i opozitës

Dy ditë më parë PD-LSI depozituan në Parlament draftin e propozuar për veting në politikë. Por sipas draftit të siguruar nga gazeta, vetingu i opozitës përfshin vetëm pastërtinë e figurës, duke përjashtuar verifikimin me themel të pasurisë dhe të aftësive. Në draftin me 4 nene, PD-LSI kërkojnë që te neni në Kushtetutë që ndalon kandidimin e personave me rekorde kriminale, të përcaktohet që kjo gjë vlen dhe për emrat që kanë kontakte me persona të botës së krimit. “Subjektet e parashikuara në pikën 1, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mundtë përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Nëse subjekti i përmendur në pikën 1 ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në dokument

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here