Të hënën nisin negociatat për vetingun në politikë, PS kërkon verifikim edhe për pasuritë, socialistët mesazh Bashës për rrugën Durrës-Kukës

0
511

Drafti i opozitës për të shtrirë procesin e vetingut edhe në radhët e politikanëve pritet të ndezë një debat të nxehtë javën e ardhshme. Eksponentë të Partisë Socialiste, por edhe vetë kryeministri Edi Rama u shprehën të gatshëm të ulen në tryezat e diskutimeve me opozitarët për të negociuar për nismën. Mirëpo pavarësisht dakordësisë në terma të përgjithshëm, është një pikë që i ndan mazhorancën dhe opozitën. Sikurse gazeta raportoi edhe dy ditë më parë, Partia Demokratike kërkon që vetingu në politikë të fokusohet vetëm tek lidhjet kriminale të politikanëve. Ndërsa sa i takon pasurisë, e cila është edhe pika më problematike për shumë deputetë e ministra sepse gëzojnë shuma marramendëse, opozita kërkon ta anashkalojë. Por burimet i thanë gazetës se nga e hëna pritet që të ulen për të negociuar dy grupet negociatore të opozitës dhe mazhorancës, ku nuk do të mungojnë edhe propozimet nga kjo e fundit. Sipas informacioneve të gazetës, Partia Socialiste do të kërkojë që vetingu i politikanëve të jetë si ai në drejtësi, ku përfshihet edhe pasuria. Madje socialistët do të kërkojnë që në sitë të jenë edhe familjarët e politikanëve, ndryshe nga propozimi i PD-LSI. Pikërisht këto janë pikat që ndajnë dy forcat kundërshtare e që pritet të shkaktojnë debat, por edhe pikat që i bëjnë socialistët të mendojnë se propozimi i opozitës bëhet për të shpëtuar nga hetimi i organeve të reja të drejtësisë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, socialisti Bujar Çela theksoi se me qëllim që të bëhet vetingu në politikë, duhet që më parë të përfundojë ai në drejtësi. “SPAK dhe BKH mund të hetojnë dhe shpresojmë të bëjnë drejtësi. Unë shpresoj që opozita ta ketë seriozisht, por kam frikë se është diçka retorike. Pa këto struktura nuk ka as reformë në drejtësi, nuk ka as veting në politikë. E do vetingun në politikë? E do apo e thotë kot për të thënë se shiko se çfarë po bëjmë, për t’iu larguar çështjeve më të rëndësishme. Për të thënë që ne nuk jemi dakord me reformën në drejtësi, por jemi dakord për një veting të politikanëve. Se kush do e bëjë këtë vetingun e politikanëve nëse ne sot nuk kemi drejtësi?”, tha ai.

Afera e rrugës Durrës-Kukës

Bujar Çela i kujtoi Bashës edhe aferën e rrugës Durrës-Kukës. “Ata duan ta kthejnë vetingun në komisione parlamentare. Dini ndonjë komision ju që ka organizuar PD dhe ka dhënë efekt? Më thoni një komision i cili 6 apo 9 muaj dha efekt e që të themi me plot gojën se po bëjmë komision hetimor parlamentar. Si historia e vetë Lulit i cili mbylli procesin e tij duke djegur afatet. Unë shpresoj që ta ketë seriozisht”, u shpreh ai. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste në Tiranë, Sadri Abazi. Sipas tij, vetingu i politikanëve mund të arrihet vetëm përmes një drejtësie të pastruar. “E dha përgjigjen e qartë dhe të saktë kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ne jemi gati. Sigurisht që vetingun për politikanët do ta bëjë drejtësia pas të mbarojë vetingu në sistemin e drejtësisë. Kjo do të bëhet me qëllim që gjithsecili, si kryeministri aktual, ashtu edhe ish-kryeministri, Presidenti i Republikës, edhe kryetari i opozitës, edhe deputetët, edhe ministrat të jenë të barabartë para një drejtësie të cilët deri më sot i kanë shpëtuar”, u shpreh ai. Ndërsa për Andrea Marton, propozimi opozitar është i mirëpritur nga mazhoranca, por duhet pritur të kalojnë disa ditë për të parë se për çfarë bëhet fjalë realisht. “Siç është bërë e njohur, propozimi i opozitës është mirëpritur nga mazhoranca. Propozimi duhet të njihet në detaje, për të patur një vlerësim objektiv”, theksoi Andrea Marto.

Mimoza Ibra

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here