Google search engine
Home Kulture Pas 14 vitesh pritje, nis sot Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, mbi...

Pas 14 vitesh pritje, nis sot Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, mbi 100 filma në 10 ditë në Tiranë

0
32

Filmat shqiptarë do të rikthehen në qendër të vëmendjes me zhvillimin e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, që rikthehet në Tiranë me edicionin e 14-të. Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, i nisur në vitin 1976, rikthehet pas 14 vitesh me një program që për dhjetë ditë do të sjellë në Tiranë mbi 100 filma shqiptarë, nga viti 2012 e deri më sot.

Festivali hapet këtë të enjte me një mbrëmje gala, në sheshin e Universitetit të Arteve, që do të bëjë bashkë artistët e kinemasë shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Vazhdon me ceremoninë zyrtare të hapjes, duke kulmuar me ndarjen e Çmimit të Karrierës, për 16 kolosë që me punën e tyre kanë shkruar historinë e filmit shqiptar.

Në skenë do të nderohen Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Robert Radoja, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro dhe Tinka Kurti, ndërsa në kujtim do të nderohen emra të paharruar të kinemasë shqiptare: Birçe Hasko, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Xhanfise Keko dhe Xhevdet Feri. Këtë mbrëmje do të jetë dhe shfaqja e filmit “Liqeni im”, një homazh për regjisorin Gjergj Xhuvani, një prej emrave të mëdhenj të kinemasë tonë.

Filmat në festival

Përgjatë 10 ditëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë prodhimet artistike të kineastëve shqiptarë, realizuar gjatë 14 viteve të fundit. Shumica e prodhimeve konkurruese janë mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, krahas filmave të realizuar me ndihmën e institucioneve kulturore të huaja në vend. Anëtarët e jurive do të vlerësojnë filmat në çdo kategori dhe festivali do të kulmojë me natën gala të çmimeve, e cila do të kurorëzojë veprat dhe krijuesit më të spikatur të këtij edicioni.

Gjithsej 31 çmime do të ndahen në tri kategori vlerësimi: çmimet e akorduara nga juria e ekspertëve, votimi nga anëtarët e Akademisë së Festivalit, si dhe votat e publikut. Festivali që vijon deri më 12 shtator këtë vit zhvillohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), nën drejtimin artistik të Ilir Butkës dhe në bashkëprodhim me Iceberg Communication.

Festivali gjithashtu është i hapur për të gjithë filmdashësit, me projeksione çdo ditë nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 23:00 të mbrëmjes. Hyrja për publikun është e lirë për të gjithë filmat, një ftesë e hapur për çdo dashamirës të ekranit të madh.

Filmat do të shfaqen në katër hapësira kryesore në Tiranë: Universiteti i Arteve, Kinema Agimi, Piramida e Tiranës, Film Zone (në hapësirën e Tirana Moon – Sheshi “Nënë Tereza”). Përtej programit kinematografik, festivali i shton një tjetër dimension jetës artistike të Tiranës, duke sjellë në vëmendje filmin shqiptar dhe duke krijuar hapësira për kineastët, profesionistët e fushës dhe publikun.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here