Filmi “Beni ecën vetë” në kinemanë verore të DPA

0
23

Nga Julia Vrapi

Filmi “Beni ecën vetë” prodhim kinematografik i vitit 1975 do të shfaqet në kinemanë verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Ky realizim i regjisores së mirënjohur Xhanfise Keko në vitin 1975, ekranizohet falë bashkëpunimit të vijueshëm mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF). Në vazhdën e nismës për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën e vendit, kinemaja verore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) rihap dyert këtë qershor për një sezon të ri artistik. DPA shprehet se ky sezon do ti dedikohet komedisë shqiptare. “Të hënën, më 2 qershor, ora 19:00 në vazhdën e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, çelim siparin me një prej filmave më të dashur të vegjëlisë, “Beni ecën vetë”. Duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë vendase gjatë regjimit komunist, ky sezon i kinemasë verore të DPA-së, do t’i dedikohet posaçërisht komedisë shqiptare”, thuhet nga DPA ndër të tjera. “Beni ecën vetë” është një film shqiptar i bazuar mbi librin e të njëjtit emër nga Kiço Blushi, dhe i prodhuar nga Kinostudio Shqipëria e Re. Nga kujdesi i tepruar i prindërve, Benin nuk e lejojnë të luajë jashtë mureve të shtëpisë. Xhaxha Thomai që vjen nga fshati e merr me vete dhe për herë të parë, Beni gjendet pa kujdesin e prindërve. Beni për herë të parë jeton në familjen e xhaxhait dhe i duhet të mësojë shumë gjëra të reja. Për ta ndihmuar të kalojë frikën dhe të ambientohet e ftojnë të marrë pjesë sëbashku me fëmijët e tjerë në një piknik. Një natë Beni mbetet i vetëm në mes të pyllit, por tashmë ai fillon të zbulojë një jetë shumë pranë natyrës, duke larguar frikën dhe mendimet negative të fëmijërisë. Në rolet e filmit janë Herion Mustafarja, Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka, Yllka Mujo, Gjergj Sollaku, Koço Guda, Selma Sotirllari, Genc Anastasi, Adrian Laperi, etj. Muzika në film nga Limos Dizdari. “Beni ecën vetë” mbetet një nga filmat më të shikuar dhe të dashur në kinematografinë shqiptare. Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër  dhe u nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.  E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera edukative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkurruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare.

Kinemaja verore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Filmit, ka sjellë më parë në sezonet tjera verore edhe filma të tjerë shqiptarë, por këtë verë sjell një cikël të dedikuar komedive shqiptare. “Filmave që na kanë bërë të qeshim, të mendojmë dhe që vazhdojnë të na shoqërojnë brez pas brezi”, thuhet nga DPA. Nga batutat legjendare te situatat plot humor të hollë, këto filma janë pjesë e një trashëgimie kinematografike që mbart jo vetëm të qeshura, por edhe reflektime të kohës ku janë krijuar. Sipas DPA-kinemaja verore mbetet një hapësirë e gjallë kulturore, me 140 ulëse nën qiellin e hapur, që ofron një mënyrë të veçantë për të përjetuar filmin si bashkëbisedim mes brezave. Jetësimi i kësaj hapësire vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të nxënësve dhe të studentëve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Kalendari i aktiviteteve të kinemasë verore pranë DPA-së do të zgjasë disa muaj, por repertori i filmave të përzgjedhur do të risjellë në vëmendjen e publikut kryeqytetas disa prej realizimeve artistike më të mira të kinematografisë shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here