Inzagi motivon Interin: Fitorja e parë me Bajernin nuk mjafton, ta tregojmë në fushë që vlejmë

0
24

Champions vijon me ndeshjet çerekfinale. Sot në darkë do të luhet një duel i madh, pasi Interi dhe Bajerni i Mynihut përplasen sërish mes tyre, në një duel vendimtar për kualifikimin në gjysmëfinale. Italianët kanë fituar ndeshjen e parë dhe janë në pozita më komode, por gjermanët nuk dorëzohen lehtë. Ndërkohë, trajneri Simone Inzagi ka theksuar se Inter duhet të “harrojë rezultatin” e ndeshjes së parë, por jo paraqitjen, teksa skuadra përgatitet të përballet me Bajern Munih në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve në “San Siro”, të mërkurën në mbrëmje. “Zikaltrit” udhëheqin me rezultatin 2-1, falë golave të Lautaro Martinez dhe Davide Fratesi në Allianz Arena, dhe një barazim do t’i mjaftonte për të kaluar në gjysmëfinale, ku i pret Barcelona ose Borusia Dortmund.

“Do të thosha se ka më shumë tension sesa krenari, duke parë si po zhvillohet sezoni. E dimë që nesër do të jetë shumë e vështirë. Duhet të harrojmë rezultatin, por jo paraqitjen që dhamë në Mynih. Do na duhet një tjetër ndeshje e madhe, me vrapim, agresivitet dhe qëndrimin e duhur. Kjo është vetëm pjesa e dytë e çerekfinales”, theksoi ai. Më tej Inzagi foli për rëndesën që jep kalendari dhe lodhja fizike tek lojtarët. “Është një sezon i lodhshëm. Luajmë çdo tre ose katër ditë. Champions League këtë vit ishte ndryshe për të gjithë ne. Vitin e kaluar u kualifikuam në nëntor, këtë vit duhej të prisnim deri në fund të janarit. Ka shumë më tepër përpjekje, por edhe shumë më tepër kënaqësi. Djemtë bënë një ndeshje të shkëlqyer në Mynih. Ka momente ku mund të kishim qenë më agresivë pa topin, dhe më cinikë me topin. Nuk duhet të mendojmë për rezultatin, vetëm për performancën. Nuk ka rëndësi e kaluara, edhe pse Inter nuk ka pasur gjithmonë suksese ndaj Bajernit në San Siro”, shtoi ai.

Tekniku foli për Bajernin dhe specifikisht për Tomas Myler. “E njohim Mylerin. Hyri dhe shënoi në ndeshjen e parë, luajti shumë mirë edhe të dielën. Bajerni ka shumë cilësi, shumë lojtarë të rinj, agresivë, të talentuar. Do të duhet një tjetër paraqitje si ajo në Mynih. Ishte një pjesë e parë shumë e mirë, por në ndeshje me eliminim direkt duhet gjithmonë kujdes. Bajern është në nivelin e Real Madridit – një nga më të fortët në botë”, tha ai. Më tej komentoi penalltitë dhe përgatitjet. “Kur ka ndeshje me eliminim, gjithmonë përgatitemi për penalltitë. Me pesë zëvendësime, duhet të jesh më i vëmendshëm edhe ndaj atyre që nuk e nisin ndeshjen”, përfundoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here