Federata e Futbollit të Serbisë bëri një reagim tejet skandaloz dje duke thënë se ka hequr simbolet e Kosovës në Kongresin e 49-të të UEFA-s që po mbahet në Beograd. Gjatë ditës së djeshme, janë publikuar foto e video nga Qendra e Kongresit “Sava” ku po mbahet ngjarja e UEFA-s, ku shihej kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi duke prekur flamurin e Kosovës. Videoja u bë virale në rrjetet sociale. Në reagim të enjten, Federata e Serbisë e ka akuzuar Ademin se u përpoq ta shfrytëzonte ngjarjen për interesa jofutbollistike. Në fakt, për këtë ngjarje skandaloze që ka të bëjë me vetë UEFA-n, e cila ka heshtur për këtë, nuk ka mbajtur qëndrim as FSHF-ja e Armando Dukës.
Qëndrimi i federatës serbe
Tutje, ata bën të ditur se kanë hequr të gjitha simbolet që përfaqësojnë Kosovën. “Në Beograd sot po mbahet Kongresi i 49-të i UEFA-s, një nga ngjarjet më të mëdha në vendin tonë. Organizator i Kongresit është UEFA, ndërsa Federata e Futbollit të Serbisë është mikpritëse e figurave më të rëndësishme të futbollit në Evropë dhe në botë. Një hije u hodh mbi organizimin e jashtëzakonshëm, të cilën një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jofutbollistike. Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri, dhe me përgjegjësi të plotë, informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd, nuk ka asnjë simbol dhe as flamur që përfaqëson të ashtuquajturën Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre. Federata e Serbisë u kërkoi falje qytetarëve “të cilët u lënduan nga lëshimi i organizatorit, e cila u korrigjua menjëherë”.
“I kërkojmë falje secilit prej qytetarëve tanë dhe çdo pjesëtari të kombit tonë, veçanërisht popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, të cilët u shqetësuan dhe u lënduan nga lëshimi i organizatorit, e cila u korrigjua menjëherë me përgjigjen tonë”, vijon reagimi i tyre. Kosova është i vetmi vend që po përfaqësohet me logo të Federatës dhe jo me flamur. Në foto: sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Markus Veidner. Paradoksi në fakt është se në fjalimin hapës, presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, foli se si futbolli evropian po i bashkon popujt dhe po thyen kufijtë e vërtetë, duke përmendur Evropianin U21 që do të organizohet nga Shqipëria dhe Serbia. Mediat kosovare informojnë se është kontaktuar UEFA për të marrë qëndrimin për këtë çështje. Gjithashtu, pyetje janë dërguar edhe në adresën e FFK-së.
Qëndrimi i Federatës së Kosovës
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) doli me reagim pas njoftimit se Federata e Futbollit e Serbisë ka hequr simbolet e Kosovës në Kongresin e 49-të të UEFA-s që u mbajt në Beograd. FFK-ja ka shkruar se Kosova mori pjesë me simbole shtetërore në Kongresin e UEFA-s në Beograd. Megjithatë, faktet tregojnë të kundërtën. Kosova ishte i vetmi vend që gjatë mbledhjes fillimisht e kishte flamurin e më pas vetëm logon e Federatës. Pjesëmarrës në Kongres ishin kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Markus Veidner. Në shkrimin sqarues të FFK-së shkruan se Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore. Deklarimin e Federatës së Futbollit të Serbisë e ka cilësuar të pabazë.









































