Humbja ndaj Anglisë me rezultatin 2-0, në “Wembley”, për teknikun Sylvinho duket e pranueshme. Në një prononcim pas sfidës, braziliani që drejton Kombëtaren kuqezi tha se përballë një rivali të këtij niveli mund të pësosh edhe 5 gola.
“Anglia është një nga kombëtaret më të forta, kanë dy mbrojtës qendre shumë të fortë. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të vish në Uembli dhe të fitosh. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë. Jam shumë i lumtur dhe krenarë për gjithë lojtarët që futen në fushë. Nëse nuk shkon në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola”, u shpreh Sylvinho.
Në vijim, tekniku i Shqipërisë analizoi lojën e djemve të tij, duke vlerësuar kontributin e Armando Brojës, i cili në 30 minuta i dha një shkëndijë ofensivës kuqezi, por edhe Myrto Uzunin që nisi si titullar.
“Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në momentin që u fut Broja bëri një punë të mirë. Aty mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe ne humbëm. Nëse nuk përgatit mirë ndeshje në 45 minutat e para, përfundon keq. Kishim vështirësi për t’i bërë presing kundërshtarit. Vetëm Uzuni mund të sulmojë hapësirat. Kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga ky presing që bëjnë anglezët, mund të rrezikosh”, deklaroi Sylvinho.
Notë kaluese nga trajneri morën edhe mbrojtësit e krahut, Ivan Balliu dhe i rikthyeri si titullar në Kombëtare, Naser Aliji.